Vetëm 6 nga subjektet që garuan në zgjedhjet e 11 Majit, mundën të siguronin mandate në parlament. Por tashmë që Kuvendi i ri është konstituuar, rezulton që parti parlamentare të jenë 15.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, koalicioni i opozitës së drejtuar nga Partia Demokratike ka prodhuar 9 parti të tjera. Disa prej tyre përfaqësojnë aleatët me vende në listat e sigurta, ndërsa disa të tjerë kanë përdorur emrat e deputetëve demokratë.
Përveç Partisë së Lirisë, Partisë Agrare Ambientaliste, Partisë Republikane, PDIU-së dhe PBDNJ-së që kishin kandidatët e tyre në listat e mbyllura e që fituan mandate, si parti parlamentare figurojnë edhe Partia Balli Kombëtar Demokrat, Lëvizja e Legalitetit, Partia Demokristiane dhe Fryma e Re Demokratike. Deputetët e PD-së, Besard Xhaferi, Denisa Vata, Greta Bardeli dhe Klevis Balliu janë deklaruar si kandidatë dhe tashmë si deputetë fitues të këtyre partive.
Kjo është një ndihmesë që u ka dhënë PD partive të vogla aleate për të përfituar nga fondet vjetore që jep shteti për partitë politike. Por, tek lista e mësipërme mungon partia e Ballit Kombëtar të drejtuar nga Adriatik Alimadhi.
Ky i fundit ka reaguar në rrjetet sociale, ku hedh akuza drejt Flamur Nokës, ku sipas të cilit, ky ishte një skenar i tij. Alimadhi shton më tej se Balli Kombëtar është shpallur përsëri “armik i popullit” dhe se PD-ja asnjëher nuk është treguar e drejtë me këtë forcë politike, por gjithmonë me hilera dhe poshtërsira.
“Marrëveshjet e realizuara para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 sipas skenarit të Flamur Nokës, nxori partitë parlamentare midis tyre bëri edhe ballin demokratik të krijuar nga vet pd-ja në vitin 1998.
PL,
PAA,
PR,
PDIU,
PBDNJ,
PLLegalitetit,
Partia Demokristiane,
Fryma e Re Demokratike dhe balli kombëtar demokrat i pd-së
Balli Kombëtar përsëri armik i popullit. Kjo është pd-ja, e cila asnjëherë të vetme nuk e ka pasur të drejtë bashkëpunimin me Ballin Kombëtar por me hilera dhe poshtërsira.” – shkruan Alimadhi.