Dy ndeshjet e para të fazës së kampionatit të Champions League u sollën fat skuadrave udhëtuese.
Arsenali e nisi rrugëtimin në kompeticion me një fitore të pastër 0-2 në “San Mamés”, ndërsa befasinë e madhe e shkaktoi Royale Union SG, që triumfoi bindshëm në fushën e kampionëve të Holandës, PSV, me rezultatin 1-3
Ndeshja në “San Mamés” u zhbllokua vetëm në minutën e 72-të, kur Gabriel Martinelli realizoi një gol mjaft të bukur.
Pas një kombinimi të saktë, braziliani krijoi hapësirë në zonë dhe dërgoi topin saktë në rrjetë për 0-1. Në minutën e 87-të, Martinelli ishte sërish protagonist, këtë herë si pasues.
Ai asistoi për Leandro Trossard, gjuajtja e të cilit u devijua dhe kaloi pa asnjë shans për portierin Unai Simon, duke vulosur shifrat 0-2.
Surpriza e madhe erdhi në Eindhoven, ku Royale Union SG tregoi karakter dhe efikasitet përballë PSV-së. Në minutën e 9-të, Promise David shënoi nga pika e bardhë, duke e dërguar topin me saktësi në rrjetë për 0-1.
Në minutën e 39-të, Anouar Ait El Hadj dhuroi magji individuale, kaloi mbrojtjen dhe gjuajti fort, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të majtë për 0-2.
Në minutën e 81-të, pas një goditjeje nga këndi, topi iu ul në pozicion ideal Kevin Mac Allister, i cili e dërgoi në rrjetë për 0-3, duke tronditur stadiumin holandez.
Golin e nderit për PSV e realizoi në minutën e fundit Ruben van Bommel, që shfrytëzoi një krosim perfekt për ta mbyllur takimin në shifrat 1-3.
Kështu, Arsenali merr tri pikë të çmuara në një transfertë të vështirë, ndërsa Royale Union SG shkruan historinë me një fitore të madhe ndaj kampionëve të Holandës.