Bora Muzhaqi, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në kabinetin qeveritar “Rama 3”, thotë se po largohet nga detyra, pasi i përmbushi të gjitha premtimet.
Muzhaqi, e cila prej vitit 2021 mbante një post ministri pranë Edi Ramës, duket se u harrua fare nga ky i fundit, kur prezantoi qeverinë e re, të enjten e kësaj jave. Kreu i qeverisë, jo vetëm që nuk e përmendi Muzhaqin si personazh, por as nuk e preku aspak ministrinë që ajo drejtonte deri më tani në fjalimin kilometrik prej më shumë se dy orësh gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Socialiste.
Megjithatë, Bora Muzhaqi ka vendosur të bëhet vetë e gjallë, duke iu drejtuar me një mesazh publik fansave të saj në rrjete sociale, të cilët e kanë njohur më së shumti për “memet” qesharake të krijuara nga batutat naive të thëna gjatë detyrës.
Por, Muzhaqi ka vendosur t’u përgjigjet “me fakte kokëforta” të gjithë atyre që e kanë shndërruar në personazh qesharak.
“Gjatë këtyre ditëve, rilexova fjalimin tim të parë në parlament 4 vite më parë, kur prezantoja programin qeverisës për fëmijët dhe të rinjtë. Me krenari kuptova se nuk kishin mbetur premtime të pa mbajtura”, shkruan Muzhaqi për fansat e saj në rrjete sociale.

Kjo është një deklaratë e fortë dhe një arritje spektakolare e Muzhaqit, duke ia tejkaluar edhe vetë Liderit politik, Edi Rama, i cili, gjithësesi pranoi se qeveria e tij ka ende punë për të përmbushur premtimet e bëra para elektoratit.
Duket se Muzhaqi ka qenë viktimë e suksesit të saj, pasi, duke përmbushur 100 përqind të premtimeve, është vlerësuar se nuk ka çfarë të japë më si ministre.
Tashmë, publiku dhe fansat e saj do të kenë mundësi të ndjekin Bora Muzhaqin nga salla e Parlamentit, ku ajo do të ulet në sallën plenare si një nga 140 deputetët e legjislaturës së re.
“Çunat” e memeve do të jenë gati!