Rënia e lindjeve po thellohet nga viti në vit, duke sinjalizuar zhvillime negative në demografinë e vendit në dekadat në vijim.
Sipas të dhënave të INSTAT në 6 -mujorin e parë të vitit 2025 linden 9,644 bebe me rënie 6.5 për qind në krahasim me 6 -mujorin e parë 2024.
Rënia e lindjeve u thellua edhe me shumë në gjysmën e e parë të këtij viti, pasi në vitin 2024 lindjet ranë me 5 për qind në krahasim me vitin 2023. Ndërkohe shtesa natyrore në tremujorin e dytë ishte vetëm 48 lindje më shumë se vdekje.
Në periudhën janar–qershor 2025 janë regjistruar gjithsej 9.322 lindje, nga të cilat 4.340 në tremujorin e parë dhe 4.982 në tremujorin e dytë. Kjo përbën një ulje prej 6.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur u regjistruan gjithsej 10.325 lindje (5.056 në tremujorin e parë dhe 5.269 në të dytin).
Pothuajse të gjitha qarqet kanë shënuar ulje të lindjeve, me përjashtime të vogla lokale. Tirana vijon të mbajë rekordin kombëtar për numrin e lindjeve, por ka pësuar gjithashtu një rënie të ndjeshme. Qarqe të vogla si Gjirokastra dhe Kukësi mbeten me shifra minimale, duke theksuar kontrastin e madh mes zonave metropolitane dhe atyre periferike.
Në tremujorin e dytë të vitit 2025, një qark i vendit shënoi rritje të numrit të lindjeve, ndërsa njëmbëdhjetë qarqe të tjera shënuan rënie, në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2024.
Qarku me numrin më të lartë të lindjeve ishte Tirana me 1.982 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët Gjirokastra me 74 lindje. Qarku i Kukësit shënoi rritjen më madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025, krahasuar me tremujorin e dytë 2024, përkatësisht me 6,5 %, ndërsa qarku i Korçës shënoi rënien më madhe me 26,0 %.
Ky rezultat për gjashtëmujorin e parë 2025 nxit shqetësime për efektet afatgjata mbi tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe qëndrueshmërinë e popullsisë aktive, ndërkohë që politikat për nxitjen e lindshmërisë ende nuk kanë dhënë efektet e pritshme.
Rënia e lindjeve është produkt i disa faktorëve të njëkohshëm që veprojnë si “kaskadë” dhe ulin numrin e çifteve që zgjedhin të kenë fëmijë, si dhe reduktojnë bazën e njerëzve në moshë riprodhuese.
Një pjesë e madhe e popullsisë në moshë pune dhe riprodhuese, sidomos në zonat rurale dhe në qytetet e vogla, po emigron drejt vendeve të BE-së dhe më tej, duke u larguar nga vendi pikërisht grupmoshat që kontribuojnë më shumë në lindshmërinë. Kjo zvogëlon bazën demografike që mund të bëjë fëmijë dhe e bën të vështirë rikthimin e normave të mëparshme të lindshmërisë.
Shkalla e lindshmërisë për grua është ulur dekadash dhe për pasojë ka më pak gra në grupmoshat me fertilitet të lartë, çka përkeqëson efektin e çdo rënieje të momentit.
Pasiguria ekonomike dhe kostot e jetesës ndikojnë drejtpërdrejt vendimet familjare. Çiftet shtyjnë ose kufizojnë numrin e fëmijëve për shkak të punësimit të pasigurt, çmimeve të banesave dhe kostove të rritura të edukimit dhe kujdesit./ Monitor.al