Pas 15 vitesh nga eksperienca e parë ku ai fitoi titullin e parë kampion si trajner, Massimiliano Allegri është rikthyer në stolin e Milanit. Një rikthim i shumëpritur nga tifozët kuqezi dhe një vendim që tekniku italian e quan “zgjedhje me zemër”.
Pavarësisht ofertave të shumta që kishte në tavolinë, Allegri vendosi të kthehet aty ku nisi suksesi i tij i madh si trajner. Në një konferencë për shtyp të mbajtur në prag të miqësores të enjten ndaj Perth Glory në Australi, ai foli me emocion për këtë hap të ri në karrierë.
“Milani nuk refuzohet”
“Kam pasur kohë për të reflektuar dhe për të marrë energji të reja, por gjithmonë e kam ndier mungesën e pankinës. Kur erdhi telefonata nga Milani, nuk u mendova dy herë. E dua këtë klub dhe këtë fanellë. E ndiej si detyrim personal që të jap gjithçka për të rikthyer këtë skuadër aty ku i takon: në majat e futbollit”, – tha Allegri.
Synimi kryesor: rikthimi në Champions League
Trajneri toskan theksoi se prioriteti absolut për sezonin e ri është rikthimi në Ligën e Kampionëve. “Ky klub është ndër më të mëdhenjtë në histori dhe e meriton të jetë në elitën e futbollit europian. Kjo fanellë mbart peshë dhe krenari. Synimi ynë është i qartë: të ndërtojmë një skuadër të fortë, me identitet të qartë dhe me dëshirë për të fituar”, – theksoi ai.
Miqësorja e fundit në Australi dhe planet për 2026
Milani do ta mbyllë turneun veror me një ndeshje ndaj Perth Glory më 31 korrik. Allegri pret nga kjo sfidë një hap përpara në aspektin fizik dhe taktik. Ndërkohë, nuk përjashtohet një tjetër rikthim në Australi vitin e ardhshëm: sfida Milan-Como, e parashikuar për shkurt 2026 në Perth, për shkak të pamundësisë për të luajtur në “San Siro” gjatë Lojërave Olimpike Dimërore “Milano-Cortina”.
Me një mesazh të qartë pasioni, Allegri ka rikthyer entuziazmin te tifozët kuqezi: ai nuk vjen thjesht si trajner, por si një figurë që kërkon të rilindë shpirtin dhe krenarinë e vërtetë të Milanit.