Ditën e djeshme, dhunimi i një kamarieri 18-vjeçari brenda një lokali në Vlorë, solli reagime të shumta në rrjet. I riu u qëllua brenda ambientit të punës, me shpullë dhe grushte për një shishe uji nga dy persona, një prej tyre ish-drejtuesi i Qarkullimit Rrugor në Vlorë.
Por ngjarja nuk u ndal këtu. Pronari i lokalit ku punonte 18-vjeçari, shkon dhe dhunon në banesë ish-efektivin, i cili më pas përfundon në spital.
Avokati i ish-shefit të Qarkullimit Vlorë A.I., Kujtim Cakrani, përmes një postimi në Facebook, ka publikuar pamjet ku disa persona i shkojnë në shtëpi ish-drejtuesit të Rrugores Vlorë dhe e dhunojnë.
Avokati Cakrani kërkon të zbardhet ngjarja që nga fillimi, dhe të merren të plota videot e kamerave të sigurisë, pasi sipas tij është hedhur baltë mbi ish-efektivin i cili ndodhet në reanimacion.
Ai shkruan se Policia e Shtetit duhet të ndërhyj me ndalimin e dhunuesve dhe të zbardhë dinamikën e ngjarjes.
Ndërsa më tej avokati thekson se dhunuesit do përgjigjen ligjërisht edhe pse janë miqtë e kryeministrit dhe pushtetit të tij.
Postimi i plotë i Cakranit:
Meqë policia e shtetit nuk arriti të administronte pamjet filmike për të zbardhur ngjarjen e ndodhur në ambientet e një lokali në qytetin e Vlorës dy ditë më parë, ku u dhunua një punonjës shumë i nderuar i policisë së shtetit, atëherë po ja u vendos unë momentet e dhunës ushtruar ndaj policit.
Në video dallohen qartë personat që kanë dhunuar policinë, që në fakt nuk kanë qenë as dy as tre por 15 persona me mjete të forta.
Qytetarët janë bërë preha e një video të shkurtër të publikuar në media ku dallohet që është goditur me shpulla një kamerier, por qëllimisht është fshehur pjesa tjetër e ngjarjes.
Pamjet që më kanë ardhur mua si avokat I policit janë tronditëse dhe dallohen qartë edhe dhunuesit e tij.
Prandaj Policia e Shtetit duhet të ndërhyj me ndalimin e dhunuesve dhe të zbardhë dinamikën e ngjarjes.
Kjo histori nuk do përfundoj këtu jo? Dhunuesit e policit që është në reanimacion të spitalit Vlorës, do përgjigjen ligjërisht edhe pse janë miqtë e Kryeministrit dhe pushtetit të tij.