Gazetari Enton Abilekaj ka ngritur alarmin për përmbajtjen dhe qëllimet e ndryshimeve të reja në Kodin Penal, të propozuara nga mazhoranca,
Sipas Abilekajt, ky projekt është sjellë tinëzisht menjëherë pas zgjedhjeve, ku Partia Socialiste fitoi 83 mandate dhe ka tashmë mundësinë të miratojë ligje sipas interesit të saj.
Ai theksoi se mazhoranca po paraqet një projektligj që kërkon 84 vota dhe synon të ndalojë qytetarët të flasin për vendime gjykatash, duke i kërcënuar me burgim për shprehje të lirë.
Gazetari theksoi se në rast se këto ndryshime miratohen, Gjykata Kushtetuese ka detyrimin moral dhe ligjor t’i rrëzojë, pasi përbëjnë një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, që nuk ndodh as në vende me demokraci të konsoliduar si SHBA-ja.
“Kjo u soll tinëz në një projekt të çuditshëm që u shfaq papritur menjëherë pas zgjedhjeve ku mazhoranca fitoi 83 vota dhe mund t’i bëjë kodet siç do vetë, si do interesi Edi Ramës dmth dhe shfaqet një kod që do 84 vota, që na ndalon të flasim për një vendim gjykate, që na fut në burg po të flasim për një vendim gjykate.
Nuk është vetëm kjo, na fut në burg edhe nëqoftëse shkruajmë diçka apo flasim diçka publikisht të cilën personi që preket e quan fyerje të rëndë.
Këto janë të dyja nenet në të cilat godasin rëndë lirinë e fjalës, lirinë e shprehjes në Shqipëri dhe sigurisht janë kundër çdo konvente ndërkombëtare.
Kështu që, besoj se këto të dyja nuk mund të kalojnë dhe nëqoftëse kalojnë, duhet patjetër Gjykata Kushtetuese t’i rrëzojë sepse kemi të bëjmë me shkelje të rënda të të drejtës së njeriut dhe që nuk ndodhin në asnjë vend të botës të paktën, sigurisht as në Amerikë dhe në asnjë vend që ka një demokraci normale dhe që të drejtën e shprehjes e ka në bazë të standardeve demokratike.
Që nga paketa e ligjit për shpifjen që zoti Rama paraqiti u kuptua qartë që qëllimi nuk ishte që të sulmoheshin ose të ndaloheshin shpifjet ndaj personave publikë, ndaj biznesmenëve, por ishte që të kontrolloheshin ato media të cilat janë të regjistruara dhe kryejnë veprimtari të ligjshme, pra të goditeshin mediat opozitare në vend, mediat kritike me qeverinë, sepse mediat që vërtet shpifin për figurat publike etj. etj. janë media të paregjistruara, nuk janë media të regjistruara as në regjistrin ekonomik as në gjykatë dhe nuk kanë llogari, ato përdorin zakonisht mediat sociale dhe ai ligj nuk parashikonte fare këto gjëra.
Kemi të bëjmë me një përdorim selektiv të të drejtës mbi bazë të ligjeve preferenciale dhe të cunguara të cilat nuk kanë asnjë qëllim që të forcojnë standardet e shtetit ligjor, por kanë qëllim që të bëjnë gjueti shtrigash dhe të marrin nën kontroll të gjithë median kritike që është në Shqipëri“, tha Abilekaj në Syri TV.