Kur dielli ngrihet mbi malet e thata të Kabulit, fillon lufta e përditshme e një familjeje për të gjetur ujë, dhe për ta bërë atë të zgjasë. Zhurma e cisternave të ujit në një lagje, në kryeqytetin afgan e shtyn nënën 42-vjeçare të katër fëmijëve, të nxitojë jashtë për të mbushur kovat dhe bidonët e familjes me ujë. Furnizimi i tyre është gjithmonë i pakët, dhe çdo litër ujë është i kushtueshëm, duke i çuar në kufi si nervat, ashtu edhe buxhetin e tyre.
“Nuk kemi fare akses në ujë të pijshëm,” i tha nëna e quajtur Raheela gazetarëve të CNN-it. “Mungesa e ujit është një problem i madh që ndikon në jetën tonë të përditshme.”
Kabuli po shkon drejt një katastrofe. Sipas një raporti të fundit të organizatës joqeveritare Mercy Corps, qyteti mund të bëhet së shpejti kryeqyteti i parë modern në botë që mbetet plotësisht pa ujë, një krizë që mund të sjellë kolaps ekonomik.
Sipas ekspertëve, rritja e popullsisë, kriza klimatike dhe shfrytëzimi i pamëshirshëm i burimeve ujore kanë shteruar nivelet e ujërave nëntokësore, ku gati gjysma e puseve në qytet tashmë janë tharë.
Familja e Raheela-s paguan për çdo pikë ujë dhe kujdeset me rigorozitet si ta përdorë, duke sakrifikuar ushqimin dhe gjëra të tjera bazike vetëm për të pirë dhe për t’u larë.
“Jemi shumë të shqetësuar,” thotë ajo. “Shpresojmë për më shumë shi, por nëse gjërat përkeqësohen, nuk e di si do të mbijetojmë.”
Një krizë që shkon përtej ujit
“Nuk është vetëm një krizë uji,” paralajmëron Marianna Von Zahn, drejtoresha e programeve në Mercy Corps për Afganistanin. “Është një krizë shëndetësore, ekonomike dhe humanitare njëkohësisht.”
Vetëm tri dekada më parë, Kabuli kishte më pak se 2 milionë banorë. Por pas rrëzimit të talebanëve në vitin 2001, njerëzit u shpërngulën në qytet me shpresën për siguri dhe mundësi më të mira ekonomike. Ndërsa popullsia u rrit, u shtua edhe kërkesa për ujë.
Kabuli varet thuajse tërësisht nga ujërat nëntokësore, të furnizuara nga shkrirja e borës dhe akullnajave në malet Hindu Kush përreth. Por për shkak të keqmenaxhimit dhe mbinxjerrjes, sipas Mercy Corps, niveli i ujit ka rënë deri në 30 metra në dekadën e fundit. Kabuli nxjerr çdo vit 44 milionë metra kub ujë më shumë sesa natyra mund të rikthejë.
Ahmad Yasin, 28 vjeç, që jeton me familjen e madhe në veri të qytetit, thotë se ishte i detyruar të shpenzonte diku te 550 dollarë, për të hapur një pus në oborrin e shtëpisë. E gërmuan deri në 120 metra thellësi për të gjetur ujë, por ai nuk është i pijshëm.
“Nuk është i sigurt për t’u pirë,” thotë ai. “E ziejmë për shumë minuta, e ftohim dhe më pas e pimë.”
Sipas Mercy Corps, deri në 80% e ujërave nëntokësore të Kabulit janë të ndotura, një pasojë e përdorimit të përhapur të tualeteve me gropa dhe ndotjes nga mbeturinat industriale.
Diarreja dhe të vjellat janë sëmundje të zakonshme në qytet, thotë Sayed Hamed, një punonjës shtetëror që jeton me familjen në lagjen Taimani.
“Shpesh sëmuremi për shkak të ujit të ndotur, qoftë duke e pirë në shtëpinë e dikujt, në restorant, apo edhe duke larë dhëmbët me ujë nga pusi.”
Kabuli po përjeton gjithnjë e më shumë reshje shiu, por gjithnjë e më pak borë dhe kjo është një problem i madh për rimbushjen e ujit nëntokësor.
“Bora na ndihmonte,” thotë studiuesi Najibullah Sadid, “por tani kemi më pak, dhe kjo po na dëmton.”
Nëse trendet vazhdojnë, UNICEF parashikon se Kabuli mund të mbetet pa ujë nëntokësor deri në vitin 2030.
Ata që nuk kanë mundësi të gërmojnë puse, varen nga kompanitë private ose donacionet. Rustam Khan Taraki thotë se shpenzon deri në 30% të të ardhurave për të blerë ujë nga cisternat. Por për shumë familje, e vetmja mundësi është të ecin shumë larg deri te xhamitë që ofrojnë ujë.
Hamed, punonjësi i shtetit, zgjohet çdo mëngjes për të pritur në radhë te pusi afër për të mbushur dy kova për familjen. Fëmijët e tij, 13 dhe 9 vjeç, shpesh mungojnë në shkollë për të sjellë ujë në shtëpi në të nxehtin përvëlues.
“Orët që fëmijët duhet të kalojnë në shkollë, tani i kalojnë duke mbledhur ujë,” thotë Von Zahn.
Gratë mbajnë mbi vete peshën më të madhe të kësaj krize. Nën sundimin e talebanëve, grave nuk u lejohet të dalin pa një mashkull shoqërues. Për këtë arsye, shumë gra hasin në vështirësi për të siguruar ujë për familjet.
“Nuk është e lehtë për një grua të dalë jashtë,” thotë një 22-vjeçare nga Kabuli.
“Ka shumë vështirësi për çdo grua apo vajzë që del vetëm për të marrë ujë. Mund të ngacmohen apo shqetësohen gjatë rrugës.”
Përveç klimës, popullsisë dhe keqmenaxhimit, kriza e ujit në Kabul është përkeqësuar edhe nga turbulencat politike. Që nga rikthimi i talebanëve në pushtet në gusht të vitit 2021, ndihmat ndërkombëtare janë ndërprerë, duke e çuar vendin drejt kolapsit ekonomik.
Vendimi i ish-presidentit amerikan Donald Trump për të ndërprerë ndihmën financiare për Afganistanin ka thelluar krizën.
Nga 264 milionë dollarë që duhen për ujë dhe higjienë deri në fillim të vitit 2025, vetëm 8 milionë janë disbursuar.
“Po shohim një përzierje të rrezikshme: sisteme lokale që shemben, fonde të ngrira dhe tensione në rritje, ndërkohë që afganët e zakonshëm përballen me një krizë gjithnjë e më të rëndë çdo ditë,” përfundon Von Zahn. “Ku do të shkojmë tani?”
Kur Raheela dhe familja e saj u zhvendosën në lagjen e tanishme, jeta ishte më e lehtë, qiratë më të lira dhe xhamia ofronte ujë. “Tani nuk e di sa gjatë do të mbijetojmë në këtë qytet,” thotë ajo.
“Nuk na mbetet tjetër veçse të zhvendosemi sërish. Por ku të shkojmë? Nuk e di.”