Ndihma ushtarake amerikane për Ukrainën është ndalur papritur, duke krijuar një boshllëk të rrezikshëm në mbrojtjen ajrore të vendit ndaj sulmeve të vazhdueshme ruse. Vendimi i administratës së presidentit Donald Trump, i cili nuk ka autorizuar paketa të reja dhe ka bllokuar edhe dërgesat e miratuara më parë nga presidenti Joe Biden, ka ardhur në një moment kritik për Kievin, ndërsa ofensiva ruse po intensifikohet.
Në disa raste, armët e ndaluara ishin tashmë në Poloni, gati për t’u transportuar në Ukrainë. Sipas të dhënave të siguruara nga “Politico”, lista përfshin sisteme thelbësore për mbrojtjen ajrore: raketat PAC-3 për bateritë Patriot që neutralizojnë raketat balistike, raketat Stinger me lëshues portativë, raketat e vjetra AIM-7 Sparrow të përshtatura për sistemet sovjetike të ashtuquajturat “Frankensam”, si dhe municione 155 mm për artilerinë e rëndë, raketat precize GMLRS dhe raketat antitank Hellfire.
Zyrtarisht, ndalimi justifikohet me nivelin e ulët të rezervave të Pentagonit. Por disa analistë dyshojnë se kjo është një lëvizje politike për të ushtruar presion mbi qeverinë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e shtyrë drejt një marrëveshjeje me Moskën. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, e komentoi prerë situatën: Sa më pak armë të dërgohen në Ukrainë, aq më afër jemi përfundimit të Operacionit Special Ushtarak.
Kievi ka reaguar me shqetësim, duke thirrur të ngarkuarin me punë të SHBA-së në Ukrainë për sqarime. Ministria e Jashtme deklaroi se “çdo vonesë ose ndërprerje në ndihmën ushtarake i jep kurajë agresorit për të vazhduar luftën dhe terrorin, në vend që të kërkojë paqen”. Zyrtarë të ushtrisë ukrainase kanë pranuar se do ta kenë të vështirë të përballen pa furnizimet amerikane, pavarësisht ndihmës në rritje nga vendet europiane.
Rënia e mbrojtjes ajrore
Problemi më urgjent është mungesa e raketave për sistemet kundërajrore. Stoqet e Ukrainës për raketat Patriot, SAMP/T dhe IRIS-T, të cilat përbëjnë mburojën ajrore të vendit, janë drejt shterimit. Kjo ka detyruar forcat ukrainase të improvizojnë, duke montuar raketat amerikane Sparrow në sisteme sovjetike – zgjidhje të njohura si “Frankensam”.
Ndërkohë, përqindja e raketave dhe dronëve rusë të ndaluar nga mbrojtja ajrore është në rënie. Në qershor 2024, Rusia lëshoi 332 dronë të tipit Shahed/Geran; vetëm një muaj më vonë, ky numër u rrit në mbi 5.400 – një rritje 16-fish. Edhe sulmet me raketa janë shtuar: nga 124 në 225 në muaj. Për më tepër, dronët janë përmirësuar teknikisht, duke fluturuar më lart, duke shpërndarë objekte mashtruese dhe duke mbajtur kokë lufte më të fuqishme, ndërsa sistemet e tyre të navigimit janë bërë më rezistente ndaj ndërhyrjeve elektronike.
Rreziku në front dhe mungesa e municioneve
Në fushën e betejës, situata po përkeqësohet. Në rajonet si Donbasi dhe Sumy, Ukraina përballet me presion të vazhdueshëm rus, ndërsa ndihmat europiane nuk mjaftojnë për të kompensuar mungesën amerikane. Prodhimi i municioneve 155 mm nuk arrin të mbulojë kërkesën e artilerisë, ndërsa raketat GMLRS – thelbësore për goditje precize kundër artilerisë ruse – janë prodhim ekskluziv amerikan dhe aktualisht të bllokuara.
Trump ka ndërprerë ndihmat direkte nga depot ushtarake amerikane që kur mori detyrën, duke ofruar vetëm disa kontrata të kufizuara shitjeje, që kërkojnë kohë për prodhim. Ukraina llogariste që furnizimet e miratuara nga administrata Biden do të mbulonin nevojat të paktën deri në fund të gushtit. Tani, ato janë pezulluar.
Europa në provë
Pesha e mbështetjes ushtarake bie tani mbi Europën, por edhe këtu ritmi i prodhimit është i ngadaltë dhe rezervat janë gjithashtu në rënie. Disa vende, si Letonia, po dhurojnë të gjithë arsenalet e tyre – si në rastin e 42 mjeteve të blinduara Patria – por kjo është e pamjaftueshme për të përballuar makinerinë e luftës së Kremlinit, e cila ka intensifikuar prodhimin dhe po merr pajisje edhe nga vendet si Koreja e Veriut.
Sipas “New York Times”, Koreja e Veriut planifikon të dërgojë deri në 30.000 ushtarë në territorin rus, për të liruar forcat ruse për linjën e parë të frontit.