Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë pretencën këtë të enjte për dosjen “Metamorfoza”, ku të pandehur janë marrë biznesmeni Pëllumb Gjoka, anëtarët e krimit të organizuar Behar Bajri dhe Astmer Bilali, si dhe zyrtarë të Policisë dhe Drejtësisë.
Për Behar Bajrin alias Brajoviç, i cili konsiderohet si një prej krerëve të grupin kriminal Bajri në Shkodër, SPAK ka kërkuar dënimin me 15 vite burgim, ndërkohë për biznesmenin Pëllumb Gjoka është kërkuar dënimin me 14 vite heqje lirie. Ndërsa për ish-efektivin e policisë Edmond Preka është kërkuar dënimi me 11 vite burgim.
Për Astmer Bilalin është kërkuar dënimi me 10 vite burgim, për ish zv.drejtorin e Policisë së Shkodrës Ardit Hasanbegajn 9 vite burgim, për ish shefin e Forcave Operacionale të Policisë së Shtetit Oltion Bistrin 9 vite burgim dhe për ish-prokurorin Xhevahir Litën 6 vite burgim. Ndaj tyre do të aplikohet edhe gjykimi i shkurtuar për uljen e një të tretës së dënimit.
Çështja penale është ndarë, ku tre prej të pandehurve Pëllumb Gjoka, Behar Bajri dhe Edmond Preka po gjykohen veçmas për akuzat për vrasje. Ndërsa për sigurimin e kushteve për vrasje dhe veprat e tjera penale, për të cilat u pranua gjykimi i shkurtuar për të shtatë të akuzuarit, të enjten u arrit që të plotësoheshin kushtet për të paraqitur kërkimet përfundimtare nga ana e SPAK.
Në seancën e sotme në GJKKO, në sallë ishin të pranishëm të pandehurit Edmond Preka dhe Oltian Bistri. Mes diskutimesh, u kërkua dhe ndërprerja e seancës së sotme, gjë që nuk u pranua nga GJKKO-ja.
Avokati: M’u dha koha e mjaftueshme për takimin me të pandehurin, por ai ka kërkuar të mos mbrohet prej meje, pa më dhënë arsye.
Edmond Preka: Unë nuk dua të përfaqësohem nga avokati, ai ka në dorë jetën time, ai s’ka lexuar as dosjen.
Avokati: Kërkoj vazhdimin e gjykimit të çështjes ose të kërkojmë ndarje të çështjes, pasi nuk mund të penalizohet klienti im duke iu pezulluar afati i paraburgimit.
Avokati Gurali Brahimllari: Lidhur me vendimet e të pandehurit Edmond Preka, ligji parashikon një mbrojtje efektive, në kushtet kur mbrojtësi i zgjedhur prej tij mungon dhe ka paraqitur një raport mjekësor…
Gjykata: Nuk keni pse ju të flisni për të pandehurit tjerë, ju lutem mbroni klientin tuaj.
Avokati Gurali Brahimllari: Kërkoj që seanca e sotme të ndërpritet për shkak të raportit mjekësor. Flas në emër të vijueshmërisë së seancës pasi preket edhe e drejta e klientit tim
Avokati Rumano: Duke marrë parasysh se gjyqtarja Irena Gjoka ka qenë në situata më kritike se ne dhe ka vijuar të jetë prezent në seanca, por ajo çfarë unë shoh nga gjykata është përshpejtimi i seancës, duke mos lejuar mbrojtjen efektive. Me gjithë respektin për kolegët, nuk munden avokatët kryesisht të përfaqësojnë të pandehurit, Gjykata e përdor si efekt procedurial pa marrë parasysh efektivitetin e mbrojtjes, situatë e cila mund të sjellë rigjykim.
Avokati Gurali Brahimllari: Dua të di nëse prokuroria ka paraqitur konkluzionet e 26 prill 2024, apo qëndrimi që ka mbajtur më 1 tetor 2024? Mbi çfarë baze autoritete ligjore franceze e kanë kryer këtë porosi?
Prokuroria: Do të lexoj vetëm dispozitivin dhe do ua paraqesim avokatëve një kopje.
Gjatë leximit të fakteve të nxjerrja nga hetimi, prej Prokurorisë së Posaçme, avokati Brahimllari u shpreh se “Ajo çfarë po lexohet është e njëjta, gërmë për gërmë me dosjen që kanë paraqitur për gjykimin e këtij procesi”.
Biznesmeni Pëllumb Gjoka u arrestua më 27 Korrik të vitit 2023, në bazë të një hetimi të zhvilluar nga SPAK. Bashkë me Pëllumb Gjokën u arrestuan edhe prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita, ish-shefi i operacionales së Policisë së Shtetit, Oltion Bistri dhe personazhe të tjerë të kronikës së zezë në zonën e Shkodrës.
Ata akuzohen si pjesë e një grupi kriminal dhe mbi ta rëndojnë akuza të ndryshme, nga vrasja, sigurimi i kushteve dhe mjeteve për kryerje vrasjeje, korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash e të tjerë.
Hetimi për këtë grup personash nisi, pasi SPAK administroi nga autoritetet franceze dhe belge të dhënat e ç’koduara nga aplikacionet Sky dhe Enchrochat. Sipas SPAK-ut, Pëllumb Gjoka rezulton të ketë komunikuar me mesazhe me anëtarë të fisit Bajri në Shkodër për kryerje atentatesh, përfshirë pagesa për ekzekutorët dhe financim për blerje armësh.
SPAK akuzon biznesmenin Pëllumb Gjoka, se në bashkëpunim me Behar Bajrin dhe Edmond Prekën, kanë kryer vrasjen e Gjin Boriçit dhe kanë siguruar kushtet për vrasjen e Kleant Musabelliut, Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit.
SPAK thotë se ata u ndihmuan edhe nga ish-shefi i krimeve në Shkodër, Ardrit Hasanbegaj, që u jepte informacione. Teksa hetimet treguan edhe se Pëllumb Gjoka e Behar Bajri kishin korruptuar ish-prokurorin Xhevahir Lita dhe ish-shefin e forcave operacionale Oltion Bistri.
Pëllumb Gjoka dhe të tjerët kanë kundërshtuar provat e Prokurorisë së Posaçme, duke vënë në pikepyetje edhe vlefshmërinë e marrjes dhe përdorimit të mesazheve nga “Sky Ecc” në procese penale në Shqipëri. Kërkesa e biznesmenit Gjoka është rrëzuar në tre shkallët e gjyqësorit, si dhe në Gjykatën Kushtetuese.