Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi këtë të martë hapjen e tenderit për një prej projekteve më të diskutuara infrastrukturore i njohur si Bypass-i i Tiranës.
Procedurat në sistemin e Agjencisë së prokurimit Publik përfshijnë dy lote të këtij projekti konkretisht “Ndertim rruga Kashar – Nyja Vaqarr Faza I” me fond limit 3.3 miliardë lekë apo 33 milionë euro dhe “Ndërtim rruga Kashar – Nyja Vaqarr Faza II” me fond limit 2.7 miliardë lekë apo 27 milionë euro.
Rruga parashikohet të jetë 21 kilometra e gjatë ndërkohë që shpejtësia e parashikuar për kalimin e mjeteve do të jetë me një limit 120km/orë por në disa seksione me limitime 80km/orë apo 90/km orë. Rruga ka sy akse kryesore Kashar-Vaqarr dhe Vaqarr-Mullet.
Pika e nisjes e autostradës së Unazës së Tiranës(BYpassi) në zonën e Kasharit nis rreth 500 metra në jug të autostradës ekzistuese “Tiranë–Durrës” (SH2). Kjo pikë përkon me daljen e nyjës së re “Thumanë–Kashar”, e cila në projektin e miratuar të detajuar (2017) paraqet një kënd kryqëzimi të ndryshëm me autostradën ekzistuese Tiranë–Durrës, i cili nuk ishte parashikuar në projektin paraprak të Unazës së Tiranës (2014). Një ndryshim i tillë ka kërkuar rialinjimin e Unazës së Tiranës duke e zhvendosur në drejtim perëndimor nga km 0+000 deri në km 2+000, siç paraqitet në Figurën 4-2 më poshtë.
Projekti është i ndarë në 8 seksione.
“Seksioni 1 kalon mbi një argjinaturë të lartë përgjatë fushës së rrafshët të luginës së Limuthit, e përbërë nga formacione gjeologjike me cilësi të dobët. Kjo kërkon forcimin e bazamentit rrugor përmes përdorimit të materialeve mbushëse të përshtatshme.
Seksioni 2 ndjek të njëjtin trase si ai i projektit paraprak dhe është shumë i ngjashëm me seksionin 1 në aspektin e topografisë, kushteve gjeologjike dhe elementëve të ndërtuar. Për shkak të pjerrësisë më të madhe të terrenit, në këtë seksion aplikohet pjerrësia maksimale vertikale prej 5.0% (e zhvilluar për një gjatësi prej rreth 100 metrash).
Seksioni 3 i Unazës së Tiranës përfaqëson ndoshta një nga pjesët më të vështira përgjatë gjithë trasese së saj. Seksioni rrugor i vendosur pranë rezervuarit të Kusit dhe kodrave përreth (nga km 3+500 deri në km 5+200) është veçanërisht i vështirë dhe kërkoi një ridizenjim të kujdesshëm për të arritur një ekuilibër të mirë mes parametrave gjeometrikë të projektimit rrugor, stabilitetit të shpatit, punimeve të tokës dhe kostove të ndërtimit. Seksioni 5 kalon përmes luginës së lumit Erzen, i cili kalohet dy herë në katër vende të ndryshme. Terreni është kryesisht i rrafshët, me përjashtim të zonës midis kilometrave 12+800 dhe 13+000, ku ndodhen dy zgavra të thella në formë V-je.
Zhvillimet më të mëdha vërehen kryesisht përgjatë dy kilometrave të parë të seksionit 6 (nga km 10+500 deri në km 12+500). Në projektin e detajuar përfshihen disa nënkalime dhe disa rrugë të vogla lokale hyrëse, të cilat sigurojnë aksesin e nevojshëm për banorët lokalë, bizneset, objektet shoqërore, etj. Të vetmet zona parkimi përgjatë gjithë gjatësisë së Unazës së Tiranës, të pozicionuara përballë njëra-tjetrës, ndodhen në kilometrin 13+900.
Seksioni 7 vazhdon në anën e djathtë të rrjedhës së lumit Erzen. Ajo kalon pranë brigjeve të lumit, ku janë parashikuar masa mbrojtëse ndaj lumit në pesë (5) zona të ndryshme, me një gjatësi totale prej rreth 2.2 km, të paraqitura me vijë të ndërprerë (ngjyrë cian) në Figurën 4-7 më poshtë.
Pjesa e fundit e trasese në Seksionin 7 (nga km 18+000 deri në km 19+500) kryqëzohet me rrugën rajonale ekzistuese (Farkë–Arbanë) dhe me rrugën e vjetër kombëtare SH3 (Tiranë–Elbasan). Projekti i detajuar i Unazës së Tiranës përfshin ndërtimin e nënkalimeve dhe mbikalimeve të nevojshme në këto pika ndërprerjeje. Segmentet e prekura të rrugëve ekzistuese janë rikthyer dhe rikonfiguruar në zonat përreth.
Traseja e Unazës së Tiranës në Seksionin 8 kalon nëpër luginën e ngushtë të përroit të Farkës, përgjatë anës së djathtë të rrjedhës së tij. Përroi i Farkës është degë e lumit Erzen, në kilometrin 19+600.
Terreni në Seksionin 8 është pothuajse i sheshtë. Zhvillimet aktuale në këtë luginë nuk kanë ndryshuar ndjeshëm që nga përfundimi i projektit paraprak në vitin 2014. Si rrjedhojë, traseja aktuale në këtë fazë të studimit (projekti i detajuar) ndjek pothuajse plotësisht gjurmën e projektit paraprak, deri në pikën përfundimtare të Unazës së Tiranës, në kryqëzimin me autostradën ekzistuese Tiranë–Elbasan (A3), ku është projektuar një nyje e re në formë “trumpete” thuhet në dokument./MONITOR