Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, urdhëroi vendosjen e 2 mijë trupave të Gardës Kombëtare në Los Angeles, aty ku protestat kundër dëbimeve të emigrantëve janë përshkallëzuar së fundmi. Vendimi i tij për të thirrur Gardën refuzon autoritetin e guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili e përshkroi këtë lëvizje të Trump si “qëllimisht provokuese”.
Si pasojë e operacioneve në qytet gjatë javës së kaluar u arrestuan të paktën 118 emigrantë, duke shkaktuar reagimin e njerëzve. Departamenti i Sherifit në Qarkun e Los Angeles tha se turmat nisën të hidhnin objekte dhe shfaqën sjellje të dhunshme, duke detyruar policët të përdornin gaz lotjsellës dhe granata shurdhuese.
Guvernatori Newsom, njësoj si kryebashkiakja e Los Angeles dhe një kongresmene në Kaliforni, thanë se policia lokale mund t’i përballojë protestat. Sipas efektivëve, 29 persona janë arrestuar.
A mund ta dislokojë presidenti amerikan Gardën Kombëtare?
Për të ulur trazirat, Trump lëshoi një urdhër duke shfrytëzuar një ligj federal që është përdorur rrallë. Ky ligj e lejon presidentin të federalizojë Gardën Kombëtare sipas disa rrethanave të caktuara.
Garda Kombëtare vepron si një entitet hibrid që i shërben si shtetit, pra Kalifornisë në rastin konkret dhe interesave federale. Tradicionalisht, forcat e Gardës Kombëtare të një shteti aktivizohen me kërkesë të guvernatorit.
Për situatën aktuale, Donald Trump e shmangu këtë hap, duke përdorur një nen të veçantë të Kodit amerikan të Shërbimeve të Armatosura. Sipas këtij neni ka tre rrethana të veçantë në të cilat presidenti mund të federalizojë Gardën Kombëtare.
Pra nëse SHBA-të “pushtohen ose janë në rrezik të një pushtimi nga një komb i huaj”; “ka një rebelim ose rrezik për rebelim”; ose nëse “presidenti është i paaftë që të ekzekutojë ligjet e Shteteve të Bashkuara nëpërmjet forcave të zakonshme”.
Në memorandumin ku kërkoi përfshirjen e Gardës Kombëtare, Trump tha se protestat në Los Angeles “përbëjnë një formë rebelimi kundër autoritetit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.
Sipas ekspertëve, kjo është hera e parë që nga viti i largët 1965 që Garda Kombëtare aktivizohet pa kërkesën e një guvernatori. Në vitin 1992, Garda Kombëtare u federalizua në Los Angeles pas protestave si pasojë e lirimit nga akuzat të policëve që dhunuan motoristin me ngjyrë, Rodney King.
Asokohe, presidenti George HW Bush i nisi trupat me kërkesë të ish-guvernatorit të Kalifornisë, Pete Wilson. Edhe në vitin 2020 trupat e Gardës Kombëtare u dislokuan në disa shtete si pasojë e protestave për vrasjen e George Floyd.
Po ashtu presidentët Eisenhower, Kennedy dhe Johnson e përdorën Gardën Kombëtare për të zbatuar ligjet e të drejtave civile dhe për të ruajtur rendin publik. Garda u federalizua edhe gjatë trazirave në Detroit në vitin 1967, pas vrasjes së Martin Luther King Jr. në 1968, si dhe gjatë grevës postare në New York në 1970.
Si kanë reaguar zyrtarët mbi urdhrin e Trump?
Zyrtarë të lartë të administratës Trump e mbështetën vendimin e presidentit amerikan.
“Dhuna dhe shkatërrimi kundër agjentëve e ndërtesave federale nuk do të tolerohen”, tha në një reagim sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth në rrjetet sociale.
Vendimi i Trump u mbështet edhe nga senatori Markwayne Mullin.
“Të duket sikur protestat janë nën kontroll? Absolutisht që jo”, i tha ai CNN-it.
Kundërshtime ka pasur nga disa zyrtare të Kalifornisë, të cilët këmbëngulin që policia lokale është e aftë për të përballuar trazirat dhe se përfshirja ushtarake është e panevojshme.
“Nuk kemi nevojë për ndihmën”, tha kongresmenia Nanette Barragan, një demokrate që përfaqëson qytetin e Paramount në rrethinat e qarkut të Los Angeles. Në këtë zonë kanë ndodhur edhe protestat.
Sipas saj, Garda Kombëtare “veçse do i përkeqësojë gjërat”.
Kundër vendimi është edhe guvernatori Newsom.
“Qeveria federale po merr kontrollin mbi Gardën Kombëtare të Kalifornisë dhe po dislokon 2 mijë trupa në Los Angeles, jo sepse ka mungesa te forcat e zbatimit të ligjit, por sepse ata duan spektakël”, shkroi ai në rrjetin social “X”.
Ndërsa kryebashkiakja e Los Angeles, Karen Bass, tha se vendosja e trupave të Gardës Kombëtare ishte e panevojshme.
Çfarë ka bërë Agjencia për Emigracionin dhe Doganat?
Siç dihet botërisht, Trump rihyri në zyrë me qëllimin për të ekzekutuar “operacionin më të madh të dëbimeve” në historinë e SHBA-ve. Shtëpia e Bardhë vendosi së fundmi një objektiv për zyrtarët e Agjencisë për Emigracionit dhe Doganave (ICE) që të bëjnë të paktën 3 mijë arrestime në ditë. Ky vendim erdhi pasi numri total i dëbimeve ra poshtë pritshmërive të Trump.
Operacionet kundër emigrantëve dhe arrestimet kanë rritur shqetësimet në komunitete të ndryshme në Shtetet e Bashkuara, pasi agjentë të ICE-së janë shfaqur kudo, që nga vendet e punës, shtëpitë e njerëzve, e deri në gjykata.
Fushata e deportimeve ka përfshirë mbledhjen e emigrantëve të paligjshëm me avionë ushtarakë dhe dërgimin e tyre në Gjirin e Guantanamos, një qendër famëkeqe ushtarake e mbajtjes nën arrest.
Disa emigrantë të tjerë janë dërguar në mega-burgun e El Salvadorit, duke përfshirë edhe disa që qëndronin ligjërisht në Shtetet e Bashkuara. Disa të tjerë janë dërguar në vende ku nuk e kanë origjinën.
Shumica e këtyre vendimeve po përballen ligjërisht në gjykatë.
Si i janë përgjigjur qytetarët aksioneve të ICE-së?
Agjentët e Agjencisë për Emigracionin dhe Doganat mësynë në lagje të populluara kryesisht nga latinë në Los Angeles me qëllim për të ekzekutuar planin e Trump për të goditur emigracionin e paligjshëm. Për pasojë pati dhjetëra të arrestuar.
Los Angeles Times, duke cituar një zyrtar për Sigurinë e Kombëtare raportoi se të premten ishin arrestuar 44 persona.
Kjo solli trazirat. Disa protestues u përplasën me agjentë federalë jashtë një qendre tregtare për veshjet. Ata hodhën sende ndaj agjentëve dhe u përpoqën të pengonin zyrtarët federalë që të kryenin arrestimet. Në kundërpërgjigje, agjentët përdorën granata shurdhuese dhe spraj për të qetësuar turmën.
Në një dyqan tjetër në Paramount, 32 kilometra larg qendrës së Los Angeles, u hodh edhe gaz lotsjellës.
“Oficerët tanë guximtarë ishin më të paktë në numër – mbi 1 mijë tubues rrethuan dhe sulmuan një ndërtesë federale”, reagoi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ICE-ja duke përshkruar ngjarjet e së shtunës.
“Cari i kufijve”: Dikush do humbasë jetën nëse vijon dhuna
Tom Homan, “Cari i kufijve” i vendosur nga Donald Trump, ka paralajmëruar për viktima nëse vijon dhuna ndaj zyrtarëve të emigracionit.
“Është çështje kohe përpara se dikush të lëndohet seriozisht. Nëse vijon dhuna, dikush ka për të humbur jetën”, tha ai për NBC.
Homan, i cili është në krye të kufijve të SHBA-ve, tha se vendimi i Trump për të dislokuar Gardën Kombëtare ishte i nevojshëm për të ndihmuar në “mbrojtjen e sigurisë së publikut”.
/BBC