Qytetarja nga Lezha, Mimoza Kolndreu, tregon për emisionin “Stop” se në vitin 2016 kuptoi se vuante nga diabeti dhe në vitet 2016-2021, ka marrë KEMP. Tani jeton e kurohet nga Francë për një sërë problemesh dhe i ka lënë motrës prokurë që të interesohet te doktori për të vijuar procedurën e KEMP-it.
Pas shumë sorollatjesh, së motrës i kanë thënë që nuk mund të bëhet KEMP-i pa qenë fizikisht Mimoza. E sëmura është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe thotë se e ka të pamundur të vijë në Shqipëri, madje nuk është kthyer as për të varrosur të ëmën.
Mimoza Kolndreu, denoncuese: Në 2016-ën e kam diktuar që më ka kapur. 2016-2021, e kam marrë KEMP-in vazhdimisht. Motrës sime ia kam lënë me prokurë që të shkojë të interesohet te doktori që ta pyesë se çfarë duhet a si duhet, sepse unë jam në Francë për kurim. Jo, hajde pas një muaji, jo hajde më vonë…pastaj i ka thënë që nuk mund të bëhet pa qenë ajo këtu. Që në 2021-shin, qëkur kam ardhur këtu, kam ardhur për pak kohë se thashë, mbase më zgjat për shumë pak kohë operimi, por nuk e dija që kisha tërë këto probleme. Unë i marr që kur kam ardhur e deri në ditët e sotme, i marr të gjitha në Francë: insulinat, bëj katër insulina në ditë. Unë të kisha pasur mundësi do të kisha shkuar për të varrosur nënën se kurrkush nuk do mos t’i japë lamtumirën e fundit prindit të vet.
Ernest Rakaj, drejtor i ISH-së Lezhë, thotë se do të bëjnë edhe njëherë rishqyrtimin e dosjes që zonja ta rimarrë KEMP-in. Ai shprehet se do të këmbëngulë që vlerësimi i saj të bëhet me anë të videokonferencës, por miratimin për këtë e jep ISSH-ja në Tiranë.
Ernest Rakaj, drejtor i ISSH Lezhë: Ndërprerja e KEMP-it është bërë për shkak se zonja nuk është paraqitur fizikisht sepse zonja jeton jashtë vendit.
Gazetari: Pavarësisht se zonja na ka thënë që ka autorizuar motrën e vet që ndodhet në Lezhë me anë të një prokure në mënyrë që të merret ajo me këtë problem.
Ernest Rakaj, drejtor i ISSH Lezhë: Patjetër ne do të bëjmë edhe njëherë rishqyrtimin e dosjes e do të bëjmë maksimumin që ta rimarrë KEMP-in. Kemi edhe një mundësi tjetër që me anë të videokonferencës që bëhet kur në raste të vështira nuk mund të paraqitet fizikisht, por zonja me pjesën e epikrizës nuk e përfiton realisht si videokonferencë. Miratimin na e jep ISSH-ja në Tiranë. Ne u nisim dokumentat dhe na thonë nëse e përfiton ose nuk e përfiton.
Gazetari: Megjithatë zonja, në komunikimin që kemi pasur me të, na ka thënë se ndodhet për arsye shëndetësore dhe gjendja e saj, sipas saj, është e përkeqësuar.
Ernest Rakaj, drejtor i ISSH Lezhë: Patjetër që do e rishqyrtojmë me prioritet e me detaje dhe pastaj do të dalim në konkluzionin nëse e përfiton zonja apo nuk e përfiton, fiks sipas ligjit.
Qytetares i komunikohet se ç’do të ndodhë më tej me procedurën.
/Emisioni “Stop”