Babai i 15-vjeçarit që u plagos pak ditë më parë në një piceri në zonën e ‘Ali Demit’ ka rrëfyer për emisionin “Me Zemër të Hapur” detaje tronditëse nga momentet pas ngjarjes dhe përpjekjet për të fshehur të vërtetën.
“Gjendja e tij shëndetësore është pak më e mirë. Isha në punë në orën 5:30 dhe më mori kushëriri në telefon. Më tha që djali ishte dëmtuar pak tek qafa,” – tregon babai, i cili më pas është përballur me një realitet tronditës në spital. “E ç’të shihja… Djali i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për të hequr plumbin që kishte në qafë.”
Sipas dëshmisë së tij, është bërë përpjekje për të fshehur ngjarjen nga pronarët apo persona të tjerë të pranishëm. “Kanë fshirë gjurmët e gjakut me facoleta dhe më pas kanë shqyer pjesën e kamerave që filmojnë.”
“Plumbi është plumb pistolete, jo plumb stilolapsi”, tha më tej ai.
15-vjeçari punonte si kamerier dhe banakier në picerinë ku ndodhi ngjarja. “Kishte vetëm një muaj që punonte aty. Shkonte në shkollë dhe pasdite punonte. Kishte dëshirë të punonte që të mos rrinte kot gjatë kohës së lirë,” tha i ati.
Për këtë ngjarje policia ka arrestuar 21-vjeçarin Aldo Neziri, i cili akuzohet nga policia për plagosje e rëndë me dashje dhe armëmbajtje pa leje.
Policia ka arrestuar edhe pronarin e lokalit Leonardo Mejdani, gjithashtu dhe tre punonjës të picerisë për moskallëzim krimi dhe pengim të drejtësisë, Ferit Basha, Andi Hyka, Keivin Bala.
Ata dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë fshehur pamjet filmike të kamerave të sigurisë.