Nga Ilir Kalemaj
Ndër vendet e ish-Lindjes komuniste që përjetuan tranzicionin demokratik dhe drejt ekonomisë së tregut, trajektoret qenë të ndryshme dhe për rrjedhojë edhe kurba që ndoqën më vonë. Ndërsa disa patën fatin të kryenin reforma të shpejta dhe cilësore, qofshin këto në përqafimin e një modeli kapitalist laissez faire si në rastin e Estonisë apo Republikës Çeke, të tjera vendosën për një transformim gradual si ato të Sllovenisë apo Polonisë. Pati nga ana tjetër vende që nuk e nisën fare procesin e tranzicionit demokratik apo që ngecën qysh në krye të herës në baltën autokratike të regjimeve të vjetra që nuk patën as dëshirën, as incentivat për t’u reformuar si rasti i Bjellorusisë apo stan-eve të Azisë Qendrore apo ndonjë republike ish-sovjetike të Kaukazit.
Ndërkohë që pjesa më e mirë e popujve të ish-Jugosllavisë u përfshi në konfliktet etnike të cytura kryesisht nga oreksi irredentist i Millosheviçit dhe paramilitarëve të tij vrasës si dhe nacionalizmat e Tuxhmanit me shokë. Shqipëria, është një rast kurioz që megjithëse nuk bënte pjesë në asnjë nga tipologjitë e mësipërme dhe nuk vuante as nga problemet e identitet-formimit, as nga struktura heterogjene e popullsisë dhe as nga përfshirja në luftëra dhe cikle konfliktesh, sërish ngeli në klasë në mënyrë të përsëritur. Kjo ndodhi pavarësisht progresit të konsiderueshëm në periudha të caktuara, për shembull, rritja e fortë ekonomike, gati dyshifrore në vitet 1992-96 apo reformat e forta dhe të guximshme përgjatë 2005-2009. Këto u shenjuan dhe me progres në politikën e jashtme ku për shembull Shqipëria u anëtarësua në NATO në 1 prill të 2009-ës.
Janë disa faktorë që nga analiza të thelluara akademike apo divulgative mund t’u vihet gishti si fajtorët kryesorë të mbetjes në klasë në një pjesë të mirë përgjatë historikut të tranzicionit. Që nga antagonizmi i skajshëm politik përgjatë pjesës më të madhe të këtyre tre dekadave e gjysëm, te 97-ta si një prapakthehu e fortë, te problemi i pronësisë qysh në gjenezë të sistemit të ri politik, te mungesa e një sistemi të pavarur drejtësie, te mungesa e një kontrolli dhe balanca respektive e pushteteve e kështu me radhë. Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të identifikojë as “thembrën e Akilit” të ngecjes në vend-numëro dhe as “Gralin e Shenjtë” të zgjidhjes deux ex machina sepse nuk mendoj se ajo ekziston.
Por është me vend të sjellim në vëmendje lidhjet e ngushta krim i organizuar-politikë si një nga shkaqet kryesorë që çojnë në korruptim të elitave drejtuese dhe në atë që rëndom njihet si ‘kapje e shtetit’. Oligarkia parë nga ky këndvështrim është një derivat dhe jo shkak i asimetrive shoqërore dhe thellimit të polarizimit. Është një karakteristikë qendrore e kapitalizmit klientelist dhe rënimit të institucioneve, mungesës së dhënies së drejtësisë dhe akaparimit dhe tjetërsimit të pronës publike.
Është interesante se si e përshkruante dikur ish-Drejtori i CIA James Wolsey ndërveprimin e mafias me pushtetin në rastin e Rusisë për shembull. Ai thotë ndër të tjera se “nëse ju bie rasti të hyni në një bisedë me një rus të mirë-artikuluar, me anglishte të shkëlqyer, në një restorant luksoz në brigjet e liqenit të Gjenevës dhe ai ka veshur një kostum që kushton mbi 3 mijë dollarë dhe një palë këpucë Guci dhe ju thotë se është një drejtues i një kompanie tregtare dhe do të flasë me ty për një partneritet të mundshëm, atëherë ka katër mundësi. Ai mund të jetë vërtetë ajo çka thotë. Mund të jetë një operativ i shërbimeve inteligjente që punon nën maskimin tregtar. Mund të jetë pjesë e krimit të organizuar rus. Por më interesantja është mundësia e katërt: që është pjesë e të trejave dhe asnjë prej këtyre institucioneve nuk e sheh këtë si problem”. Ky konstatim mund të ndeshet rëndom edhe në raste si Shqipëria, ku shpeshherë është e vështirë të pikasësh vijë-ndarësen mes oligarkisë ekonomiko-financiare, krimit të organizuar dhe veshjes me pushtet politiko-administrativ.
Pra, në vende si i yni më e theksuar ka qenë trinomi fatal i politikave asgjësuese falë ndërveprimit dinamik të kapitalistëve të asistuar, pronësisë mediatike të përqëndruar dhe elitës politike. Kjo natyrisht pa nënvleftësuar aspak rolin shpeshherë përcaktues të botës kriminale e cila përgjatë dekadës së parë dhe një pjese të mirë të së dytës qëndroi e nëndheshme por gjithnjë e më tepër mori guximin të hynte në politikë si aktore e dorës së parë, e përfaqësuar nga cuba të veshur me pushtet dhe gangsterë të rëndomtë me rekorde kriminale sa një faqe gazete. Por edhe sot dikton fijet nga prapa kuintave duke drejtuar fushata, zhvendosur emra kandidatësh në listë të sigurt apo duke zgjedhur të afërm të tyre përmes listave të afërm falë presionit, shantazhit, parave dhe shpesh edhe dhunës.
Natyrisht me këto limite të forta dhe e sulmuar nga lart dhe poshtë, demokracia shqiptare nuk mund të ishte një ishull i veçuar, dhe larg qoftë një “fanar ndriçues” për modelin e saj të demokratizimit në një rajon që me gjithë trazirat e forta që ka kaluar, ende vijon të rri në “bisht të kalldrëmit” të simotrave të saj ballkanike. Ndaj nuk është asfare e çuditshme pse ende vijojmë të ecim në shtigje të pashkelura, të kemi një model demokracie hibride, një polaritet të pasens socio-ekonomik dhe me shtresë të mekur të mesme, rritje ekonomike anemike dhe aspak strategji zhvillimore dhe model të qëndrueshëm ekonomik. Shqipëria quo-vadis është një thirrje sa për zgjim, aq dhe për mobilizim të zërit qytetar. Një thirrje për ndërgjegjësim të faktorit ndërkombëtar, aq dhe për kërkesë për rregulla loje të barabarta ku votimi i lirë, i drejtë dhe i pandikuar është alfa dhe omega e demokracisë.