Para se refugjati maroken Hamid Badoui të vetëvritej në burgun e Torinos, kishte marrë lajmin se duhej të rikthehej në izolimin e Gjadrit në Lezhë, aty ku prej disa javësh qëndrojnë të burgosur dhjetëra refugjatë me rekorde kriminale.
Koha që Hamid Badoui kishte kaluar në kampin e Gjadrit i kishte mjaftuar për t’i bërë vetes një betim, se nuk do të kthehej kurrë më në atë vend, madje një moment i ishte rrëfyer avokatit të tij duke ia thënë qartë dhe shkoqur: “Burgu është më i mirë se CPR-ja në Gjadër, unë nuk kthehem më në Shqipëri.”
Por kushtet çnjerëzore nën të cilat detyrohen të mbijetojnë refugjatët afrikanë në vendin tonë kanë dhënë rezultate të pëlqyeshme për qeverinë italiane, madje edhe lajmi për vetëvrasjen e një refugjati që refuzon të kthehet në Shqipëri, paradoksalisht është marketing i mirë për masat kundër emigracionit që ka ndërmarrë Italia.
Nga “palazzo Chigi”, Xhorxhia Meloni sheh se si lajme të tilla e frenojnë akoma më tej valën e emigrantëve nga Afrika. Kur llogarisin se mund të përfundojnë në një vend të humbur të Shqipërisë, të izoluar nga rrjetat e larta të hekurit, nën mbikqyrjen e xhandarëve italianë, pa avokatë, larg syrit të organizatave ndërkombëtare dhe pa gazetarë të vëmëndshme ndaj historive të tyre të dhimbjes, refugjatët stepen.
Ky “sukses” politik i Melonit, që shkel me të dyja këmbët të drejtat e njeriut, por funksionon, sepse i rrallon varkat me refugjatë në Mesdhe, ka ngjallur zili tek shtetarët e vendeve të tjera europiane, që kërkojnë rezultate dhe mezi presin të gjejnë një vend ballkanik që t’i dojë, aq sa e do Rama Melonin.
Me zgjidhjen e tyre kontroverse, çifti Rama-Meloni ka marrë vëmëndjen e disa kryeministrave të Bashkimit Europian që janë nën presion për masa konkrete kundër emigracionit, por i njëjti çift është kthyer në shënjestër të organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që po ngrenë alarmin se modeli “Shqipëria” mund të përhapet në të gjithë Ballkanin.
Alarmi i Human Rights Watch
Një raport i fundit i Human Rights Watch e vë gishtin mbi një skenar të dyshimtë që rrezikon të zgjerohet në Ballkan: ngritja e qendrave pritëse për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar nga vendet perëndimore në vende si Bosnja, Serbia dhe Shqipëria.
Në një deklaratë zyrtare, Human Rights Watch i ka bërë thirrje qeverive europiane të rishqyrtojnë çdo plan për të dërguar emigrantë në Bosnje dhe Hercegovinë, duke ngritur alarmin për shkeljet e të drejtave të njeriut që janë evidentuar në qendrat e ndalimit atje.
“Ndalimi i zgjatur i migrantëve pa garanci të mjaftueshme i vë njerëzit në rrezik shkeljesh të të drejtave,” deklaron Hugh Williamson, drejtor për Evropën dhe Azinë Qendrore në Human Rights Watch.
“Shtimi i kërkuesve të refuzuar të azilit nga Britania e Madhe apo ndoshta edhe nga Bashkimi Europian, në sistemin tashmë problematik të ndalimit në Bosnjë vetëm do të përkeqësonte problemet ekzistuese dhe do të rëndonte abuzimet.”
Në prill të këtij viti, Human Rights Watch kaloi dy javë në Bosnje për të hetuar situatën e migrantëve. Në qendrën e ndalimit në Lukavicë, pranë Sarajevës, organizata vërejti një sërë problemesh: vonesa të gjata në përpunimin e kthimeve, kufizim i qasjes në ndihmë ligjore, mungesë transparence dhe asnjë formë mbështetjeje psikologjike për të ndaluarit.
Një nga pikat më të rënda është mungesa e transparencës për të akuzuarit për kërcënim ndaj sigurisë kombëtare. Një avokat i Vasa Prava BiH u shpreh se “Sistemi është i mbyllur dhe nuk na jep lloj të tillë informacioni për akuzat apo detajet private – as neve dhe as klientit. Edhe kur i marrim vesh disa detaje, nuk mund t’i përdorim. Informacioni bazë për arsyen pse një person konsiderohet kërcënim për sigurinë kombëtare duhet t’i bëhet i ditur atij.”
Ballkani, si magazinë njerëzore larg Europës
Bosnja nuk është i vetmi vend që po negocion me Britaninë e Madhe. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk e përjashtoi mundësinë e ngritjes së qendrave për emigrantët në vendin e saj, ndërsa Gjermania ka shprehur miratimin për eksportimin e refugjatëve sipas të njëjtit model në Maqedoninë e Veriut.
Modeli “Shqipëria” mund të ndiqet jo vetëm në Europë, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë nisur diskutime me Libinë dhe vende të tjera në Afrikë, Amerikën Latine dhe Evropën Lindore për të identifikuar destinacione alternative për të rivendosur emigrantët që janë dëbuar nga territori i SHBA-së, por që nuk mund të kthehen drejtpërdrejt në vendet e tyre të origjinës.
“Wall Street Journal” citoi burime nga administrata amerikane, sipas të cilave vendet e kontaktuara përfshijnë edhe Libinë, Ruandën, Beninin, Eswatinin, Moldavinë, Mongolinë dhe Kosovën.
Kështu pra, vendet perëndimore i kanë tejkaluar dyshimet dhe po e kërkojnë me ngulm projektin që u gatua në Vlorë, kur Rama joshi Melonin me disa ditë pushime në jug të Shqipërisë bashkë me familjen, por ndërkohë, me sa u kuptua më vonë, të dy kishin punuar bashkë për një plan që e eksporton problemin e refugjatëve në një zonë të paqëndrueshme si Ballkani.
Vetëm se sipas këtij projekti, vendet e Ballkanit Perëndimor marrin trajtat e një magazinë njerëzore, të njerëzve të cilët nuk meritojnë të trajtohen sipas të gjitha ligjeve që respektojnë të drejtat e njeriut. Në vend të kësaj, ata transportohen në vendet Ballkanike ku mund të burgosesh pa gjyq, të keqtrajtohesh dhe të izolohesh në një vend të humbur, ku askush nuk do të shqetësohet dhe ky i jep gadishullit imazhin e një rajoni akoma më larg standarteve dhe botëkuptimit evropian.
Në një deklaratë pas vdekjes së refugjatit, Hamid Badoui, Amnesty International Italia shprehej se “modeli Meloni sjell vuajtje dhe vdekje” duke iu referuar kushteve degraduese në Gjadër, pa qasje në kujdesin e duhur, në një klimë braktisjeje të vazhdueshme dhe mungesë informacioni.
“Vdekja e Hamid Badoui është pasojë e drejtpërdrejtë e një sistemi politik që përdor frikën dhe shtrëngimin si mjete për (mos)menaxhimin e lëvizshmërisë njerëzore” – thuhej në deklaratën e Amnesty International që për momentin ka rënë në vesh të shurdhër, pasi politikanët e vendeve perëndimore janë në kërkim të territoreve të tjera Ballkanike për të ndërtuar burgje të reja për emigrantët./ Lapsi.al