Aktori i njohur shqiptar dhe ish-banor i “BBV”, Vis Pupa, dhe bashkëshortja e tij Belina Pupa akuzohen për kultivim të një sasie të madhe kanabisi dhe ndërhyrje të paligjshme në furnizimin me energji elektrike në Australi.
Belina Pupa, terapiste dhe influencuese e njohur në rrjetet sociale me mbi 80 mijë ndjekës, doli këtë të martë përpara Gjykatës së Magjistraturës në Adelaide. Ajo nuk ka paraqitur ende ndonjë deklarim fajësie për akuzat që rëndojnë mbi të.

Sipas dokumenteve gjyqësore, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në periudhën 1 janar – 4 prill 2025, në një pronë në Ascot Park, ku janë zbuluar 43 bimë kanabisi.
Avokati i saj kërkoi nga gjykata ndryshim të kushteve të lirimit me kusht, me argumentin se Pupa ka një biznes ndërkombëtar dhe duhet të udhëtojë drejt Shqipërisë për qëllime pune.
“Ajo ka klientelë në Shqipëri, SHBA dhe Australi, dhe shpenzon rreth tre muaj në vit në Shqipëri, ku ofron shërbimet e saj edhe në televizion”, u tha në sallën e gjyqit.
Prokuroria kundërshtoi ashpër kërkesën, duke e cilësuar rastin të rëndë dhe duke shtuar se partneri i saj, Vis Pupa i bashkë-akuzuar në këtë çështje, është larguar nga vendi dhe është aktualisht në kërkim.
“Ne po kërkojmë partnerin e të pandehurës dhe kemi informacione që ai është larguar nga vendi”, thanë gjykatësit.
Gjyqtarja mësohet se shtyu çështjen dhe e la Belina Pupën në liri me kusht që të paraqitet përsëri në gjykatë javën e ardhshme.