Nga Boldnews.al
Një javë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij, Belinda Balluku, njoftuan me fuqi të madhe mediatike inagurimin e aeroportit të Kukësit. Madje, për ta bërë më të besueshme operimin e terminalit të ri aeroportual, majtisti Rama udhëhoqi në fluturim një grup, që siç tha ai, “janë ‘çunat e Londrës’ nga Kukësi, që votojnë për Partinë Demokratike të djathtë”.
“Çunat e Londrës”, të cilët nuk u kuptua asnjëherë nëse ishin vërtetë të tillë, fluturuan nga Britania e Madhe për në Tiranë dhe, më tej, nga kryeqyteti, drejt aeroportit më të ri të Kukësit.
Por, pas këtij fluturimi elektoral, aeroporti i Kukësit nuk ka funksionuar më, megjithëse inagurimi i Rama-Ballukut u krye plot 4 vjet më parë.
Tashmë, jemi në kulmin e fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Rama dhe Balluku i rikthehen sërish propagandës me fluturime. Kësaj radhe, në qendër të fushatës së tyre është aeroporti i Vlorës, i cili, njëlloj si ai i Kukësit, as nuk është funksional dhe as nuk dihet se kur do të jetë i tillë.
Megjithatë, kjo vepër publike e shumë-diskutuar, jo vetëm nga faktorë vendas, por edhe organizata ndërkombëtare, është pjesë e fasadës elektorale të qeverisë.
“Edhe 3 ditë nga ulja e avionit të parë në pistën e kodifikuar me inicialet VLO dhe për fillimin e testeve të hapjes graduale, për çertifikimin përfundimtar”, shkroi Rama në rrjetin Facebook të hënën e kësaj jave (5 maj 2025).

Kësaj radhe, duket se Rama ka përzgjedhur fjalët, për të mos dalë tërësisht blof, si në rastin e aeroportit të Kukësit. Kryeministri nuk përmend “inagurimin e aeroportit”, por “fillimin e testeve”, një zhvillim, i cili gjithësesi është shumë larg nisjes së operimit.
“Hija” e aeroporteve të rinj
Aeroporti lokal i Kukësit menaxhohet nga e njëjta kompani që zotëron edhe koncesionarin e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Tiranë, praktikisht njè situatë monopolistike. Ndërkohë sipas “fluturimit inagurues” duket se aeroporti i Kukësit, nëse do të funksionojë ndonjëherë, do të mirëpresë fluturime çarter që nisen nga Tirana drejt qytetit verior.
Ky lloj skenari nuk ka logjikë funksionale dhe, për më tepër, as ekonomike, për kompaninë private që i administron të dy.
Gjithnjë nëse do të funksionojë, kompania do duhet të mirëpresë avionët e mëdhenj në Tiranë dhe më pas të lejojë fluturimet lokale, të cilat zgjasin vetëm pak minuta. Shqipëria është një vend me sipërfaqe të vogël dhe “dendësia” aeroporteve për një fluks trafiku shumë herë më të ulët se vendet me sipërfaqe të madhe, duket si një sipërmarrje e tepërt.
Këtu mund të gjendet shpjegimi i mos-funksionimit të aeroportit të Kukësit-është pa leverdi. Njëlloj duket se është situata edhe me aeroportin e Vlorës. Kryeministri deklaron se në qytetin bregdetar do të mbërrijnë çartera me turistë që do të duan të shijojnë Jugun. Por edhe ky aeroport lokal, nëse do të funksionojë, me shumë mundësi, do të duhet të mirëpresë avionë të vegjël që kalojnë “transit” nga Tirana.
E njëjta skemë si me rastin e aeroportit të Kukësit dhe, rrjedhimisht, e njëjta situatë pa leverdi ekonomikë.
Në fund, mund të konkludohet se “aeroportet e Edi Ramës” duken më shumë si “qoka” dhjetra miliona euro që ai u bën oligarkëve të oborrit, nëpërmjet “koncesioneve pistash avionësh”.