Nga Ilir Kalemaj
Edhe një javë fushatë. Motorët e ndezur në pikun e tyre. Kandidatët, veçanërisht ata të listës së hapur të djersitur, lodhur dhe në luftë me kohën. Terreni i ashpër se një pjesë e mirë e shqiptarëve të këtushëm, hiq ata që janë militantë të vendosur apo anëtarë besnikë të një formacioni politik, janë bërë gjithnjë e më tepër transaksionalistë. Një gjuhë që e kupton dhe i përgjigjet partia në pushtet. Jo më kot, duket si diçka surreale të pyesësh nëse kanë lënë ndonjë në administratat lokale me teserë PD-je apo simpatizant të opozitës. Ndonëse të tillë mund të ketë inkonjito ose dhe socialistë të frustruar që këtë herë mund të zgjedhin shumicën e heshtur dhe të zhgënjyer nga ajo që është premtuar dhe aspak realizuar.
Kjo e fundit me shumë gjasa përfshin votën e diasporës, një votë e lirë, në teori e pashantazhueshme…, përveë nëse votuesi i atjeshëm kërcënohet me vendin e punës në administratë të të afërmit në vendlindje nga patronazhisti përkatës. Nëse në zgjedhjet e kaluara ishin plot 9500 patronazhistë të PS vetëm në Tiranë, në gjithë Shqipërinë i bie të jenë rreth 50 mijë apo rrafsh një e katërta e numrit të të punësuarve në administratë, çka i bie që taksat tona paguajnë shantazhin politik. Ajo që e bën akoma më të pabesueshëm realitetin surreal shqiptar, është që kryepatronazhisti e merr në mbrojtje publikisht këtë trup paramilitarësh politikë, si askund tjetër.
Gjithsesi opozita është në një garë të vështirë. Garë me kohën, garë me kundërshtarin, garë dhe me veten. Gara e kohës përcaktohet nga afatet dhe për opozitën është më e ndjeshme po të merret parasysh malorja që i është dashur të ngjitet vitet dhe muajit e fundit. Gara me kundërshtarin natyrisht krejtësisht e pabarabartë në mjete financiare, organizative, strukturore, mediatike etj. Kundërshtari që ka pushtetin, madje si qendror edhe lokal, ndikon ndjeshëm dhe te institucionet formalisht të pavarura. Kanë në dorë edhe gurin, edhe arrën. Kanë dhe rrjetin e patronazhistëve, klientelizmin qeveritar, fondet e buxhetit që përdoren për fushatë, por edhe botën e nëndheshme me presione ditën për diell. Organet ligjzbatuese janë dukshëm të anuar, një pjesë e mirë e medias gjithashtu.
Së fundmi kanë garën me veten. Garë e cila ka të bëjë me ruajtjen e ekuilibrave politikë brenda vetë PD-së, dhe mandej brenda opozitës politike. Së dyti, vota që mund të marrin splinter parties, pra partitë që janë ndarë nga trungu i partisë demokratike, që mund mos t’u mjaftojë për të nxjerrë qoftë dhe një deputet por që i prishin punë gjithsesi PD-së në qarqe të caktuara. Garë, e cila ndoshta do të kërkonte më tepër guxim nga të gjitha palët, më tepër vizion, më tepër besim për të qenë një trup i vetëm elektoral në një aleancë anti-sistem kur sistemi përcaktohet nga krye(neo)rilindasi mjekërzbardhur. Një front i gjerë opozitar anti-sistem pavarësisht diferencave ideologjike, parokiale apo personale do të kishte një shans absolut për të kryer rotacionin e vonuar politik në Shqipëri.
Por shpresë ka. Ka te të rinjtë që presin mundësi studimi dhe jo penalizimi për shkak të mesatares arbitrare. Te të rinjtë që presin një punë dinjitoze dhe me të ardhura të pranueshme dhe jo biletë një-drejtimëshe nga Rinasi. Te profesionistët e lirë të cilët panë te opozita një digë mbrojtëse ndaj taksës mbi taksa që padrejtësisht i’u vendos nga qeveria, ndërkohë që ishte PD që e coi në gjykatë kushtetuese dhe e rrëzoi.
Shpresë ka dhe te administrata për të qenë të lirë dhe që ata që janë profesionistë të mbrohen nga presioni i panevojshëm që i nxjerr në punë dhe jashtë orarit dhe i ngarkon me aktivitete politike të paligjshme, ndërkohë që u krijon frymë terrori përmes shefave inkompetentë, të korruptuar dhe militantë.
Shpresë ka dhe për ata pensionistë që nuk duan të presin dhe katër vjet t’u rritet sadopak pensioni por e presin brenda 100 ditëve të para. Njëlloj si për rritjen e rrogës minimale dhe asaj mesatare. Shpresë ka dhe për bujqit që paraja t’u shkojë atyre, madje të ripërfitojnë dhe nga fondet e pezulluara të BE-së ngaqë u vodhën dhe shpërdoruan më parë. Shpresë dhe për konsumatorët që mos të kenë më frikë nga çdolloj ushqimi që fusin në gojë se mungon inspektimi apo dikush ka paguar një ryshfet dhe helmon qytetarët.
Shpresë ka dhe nga ata që nuk duan të shohin një Shqipëri me Tiranë dhe bregdet të mbingarkuar me kulla, me male plehrash që kutërbojnë, të papërballueshme nga çmimet për shumicën e qytetarëve dhe me një pasiguri që sa vjen dhe rritet. Por a do të arrijë kjo shpresë të kthehet në një votë shumice kundër mazhorancën në kërkim të mandatit të katërt? Kjo ngelet për t’u parë në pak ditë por shpresojmë që manipulimi i procesit zgjedhor mos të jetë i tillë sa të kërcënojnë zgjedhjen e lirë të qytetarëve dhe vet demokracinë.














