Një firmë nga fshati Bishqethem ka fituar një tender të majmë për rikonstruksionin e Spitalit Lushnje.
Ka dyshime të forta se e gjithë procedura është paracaktuar, pasi nga 12 firma në farë plot 11 janë skualifikuar, duke ia dhënë aforfe të gjithë shumën kësaj firme, e cila kohët e fundit është favorizuar edhe në procedura të tjera, jashtë qytetit të Lushnjes.
Ka dyshime se pas vëllezërve Aldi dhe Anea Llazi, të cilët kanë nga 50 % të aksioneve të firmës “LLAZO”, janë edhe politikanë me lidhje të forta në qarkun e Fierit apo edhe deri sipër në qeveri. Këto lidhje i kanë ndihmuar që të fitojnë lehtësisht para publike, madje me procedura tepër të dyshimta, megjithëse edhe SPAK-u ka hetuar.
Por, të skualifikosh të gjitha ofertat e tjera, që ishin jo pak dhe nga firma të mëdha, dhe t’ia japësh tenderin kësaj firme, do të thotë se këto lidhje e kanë bërë firmën të “paprekshme”. Madje, në vitet e fundit ka marrë nga buxheti i shtetit dhjetëra-qindra miliona euro, për punë kryesisht ndërtimi.

Në datën 25 prill 2025, sipas dokumenteve që hulumtoi VoxNews, Operatori i Blerjeve të Përqendruara, shpalli firmën “Llazo” fitues të tenderit 2.5 milionë euro për rregullimin e Spitalit të Lushnjes. Firma me seli në Bishqethem, në rrugën e Këmishtajt në Lushnje do të bëjë 89 % të punimeve, teksa ka si ortake me 11 % të punimeve firmën “METEO” nga Elbasani. Këto firma kanë edhe një subjekt mbështetës, firmën “IMPACT”, nga Tirana.
Objekti i tenderit ishte “rikonstruksion i Godinës Qendrore Spitali Lushnje”, me afat 13 muaj sipas grafikut të punimeve. Teksa garuan plot 12 firma, me oferta të ndryshme. BOE e parë “AIDA” dhe “PEPA GROUP” ofruan 259 milionë lekë, “C O L O M B O” dhe “AGI KONS” 284 milionë, apo edhe “ALB TIEFBAU” që ofroi 239 milionë lekë.
Firma “ED KONSTRUKSION” ofroi 326 milionë, “BE-IS” 278 milionë apo edhe “KEVIN CONSTRUKSION” që ishte bashkë me “ALKO IMPEX” të Arbër Abazit që ofruan 276 milionë lekë.

Firma e 7-të në garë ishte “ULZA” me ofertë 326 milionë, “ALBA KONSTRUKSION” me vlerë 226 milionë dhe e 9-ta në garë ishte firma “LLAZO” me vlerë 261 milionë. Nëse do të shohim emrat e firmave, janë ajo që fitojnë gjithmonë tendera ndërtimi. Madje, disa prej këtyre firmave kanë ofruar shumë herë më pak sesa fituesit.
Ofertë pati edhe firma “G.P.G. COMPANY” që ishte bashkë me “SENKA” apo”4 A-M” me vlerë 244 milionë. Firma e 11-të ishte “DESARET COMPANY” me vlerë 243 milionë dhe e fundit “Frontier Construction” me vlerë 0 lekë!

Pas 12 ofertave, OBP ka skualifikuar plot 11 të tilla. Madje, emrat e firmave janë nga më të mëdhatë, që fitojnë lehtësisht tendera në institucione dhe që shpeshherë favorizohen në disa institucione.

Duket se “lufta” e brendshme e mazhorancës, tashmë para zgjedhjeve, ka sjellë edhe influencën brenda saj, aq sa veprojnë hapur, siç është edhe rasti i mësipërm!/ VOX NEWS