Kardinali Giovanni Angelo Becciu, dikur një nga figurat më të fuqishme në Vatikan, deklaroi të martën se nuk do të marrë pjesë në konklavën e fshehtë për zgjedhjen e Papës së ri.
Në vitin 2020, Papa Françesku e urdhëroi Becciun të dorëhiqej nga të drejtat dhe privilegjet e një kardinali, pasi ai u përfshi në një skandal financiar brenda Vatikanit.
Pas vdekjes së Papës javën e kaluar, Becciu nisi një apel për të mbështetur të drejtën e tij për të marrë pjesë në konklavë, por të martën ai publikoi një deklaratë ku njoftoi tërheqjen formale.
“Kam vendosur t’i bindem, siç kam bërë gjithmonë, vullnetit të Papës Françesku për të mos hyrë në Konklavë, ndërsa mbetem i bindur për pafajësinë time,” tha ai.
Vatikani njoftoi të hënën se kardinalët kanë caktuar datën 7 maj për të nisur konklavën dhe për të zgjedhur udhëheqësin e ri të 1.4 miliardë katolikëve në mbarë botën.
Vendimi i Becciu për t’u tërhequr nga konklava vjen vetëm shtatë ditë pasi ai i kishte thënë një gazete se “nuk ka pasur ndonjë vullnet të qartë për të më përjashtuar nga konklava dhe as ndonjë kërkesë të shkruar për dorëheqjen time të qartë.”
Kardinali kishte mbajtur më parë postin e “sostituto”-s në Sekretariatin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, një rol që në thelb është i krahasueshëm me shefin e stafit të Papës. Ky pozicion i jepte Becciu akses të drejtpërdrejtë tek Papa dhe një autoritet të madh në administratën qendrore të Kishës. Më vonë, ai u emërua në krye të departamentit të Vatikanit për shenjtërimet.
Në vitin 2023, Becciu u dënua për shpërdorim fondesh dhe mashtrim, dhe u dënua me pesë vjet e gjysmë burgim. Ai është kardinali i parë i dënuar ndonjëherë nga gjykata penale e Vatikanit.
Megjithatë, kardinali i cili ka mohuar gjithmonë fajësinë, ka apeluar vendimin, dhe procesi i apelimit është ende në zhvillim. Gjatë kësaj periudhe, atij i është lejuar të vazhdojë të jetojë në një apartament në Vatikan.