Futbolli italian ka vendosur të ndalojë për të respektuar ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, duke shtyrë të gjitha ndeshjet e planifikuara për sot.
Lajmi u konfirmua fillimisht nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC), e cila njoftoi se takimet Torino-Udinese, Cagliari-Fiorentina, Genoa-Lazio dhe Parma-Juventus janë shtyrë pa një datë të caktuar.
Megjithatë, Lega Serie A e ka bërë tashmë publike datën e re të zhvillimit të këtyre përballjeve. Të katërta ndeshjet e javës së 33-të do të rikuperohen të mërkurën, më 23 prill 2025, në orën 18:30.
Këto janë ndeshjet që do të zhvillohen më 23 prill:
CAGLIARI – FIORENTINA, ora 18:30
GENOA – LAZIO, ora 18:30
PARMA – JUVENTUS, ora 18:30
TORINO – UDINESE, ora 18:30
Ndërkohë, edhe CONI (Komiteti Olimpik Kombëtar Italian) ka pezulluar të gjitha aktivitetet sportive në nder të Papës së ndjerë. Presidenti i CONI-t, Giovanni Malagò, u shpreh se “na lidhin shumë kujtime me Papa Françeskun” dhe se ky vendim është një shenjë respekti për figurën e tij.
Në këtë mënyrë, futbolli italian i jep një mesazh të qartë bashkimi dhe respekti në një moment zie për mbarë botën katolike.