Nga Artan Hoxha
Rilindja po plotëson 12 vite në qeverisje, 8 prej të cilave e vetme në timon, ndërsa po kërkon një tjetër mandat 4 vjeçar duke shmangur llogaridhënien për bilancin e shkuar e duke shpërqendruar vëmendjen përmes premtimit të anëtarësimit të përshpejtuar në Bashkimin Europian në vitin 2030-divulguar përmes metaforës së pasaportës europiane nga vetë Kryeministri.
Në fakt, 12 vite qeverisje rilindëse shënojnë 12 dështime të mëdha dhe/ose premtime të pambajtura.
- Shëndetësia falas jo vetëm që është bërë shumë më e shtrenjtë por është bërë shëndetësi që edhe nuk shëron edhe që poshtëron. Shqipëria, ndër vendet me rritjen më të lartë të vdekjeve shtesë nga Covid19 në rang europian e botëror, me numrin tejet të ulët të mjekëve e infermierëve për frymë, me koncesionet abuzive e deri tek skandali i pashpirt me ilaçet e mohuara për pacientët fatkeq tek Spitali Onkologjik,janë ndër provat më domethënëse të këtij dështimi.
- Premtimi për ujë të pijshëm 24 orë, në fakt me rritje veçse modeste të orëve mesatare të furnizimit, pa rritje të cilësisë (mbetet si gjithnjë ujë për larje lëveresh, pjatash e dyshemerash) dhe asnjë shtesë domethënëse në trajtimin e ujërave të zeza, ndonëse në sektor janë investuar shuma marramendëse dhe borxhet e sektorit për energjinë dhe furnizuesit e tjerë janë rritur ekspotencialisht, është një tjetër premtim i pambajtur dhe dështim i paralajmëruar.
- Arsimi, premtuar të financohet me 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), mezi arrin 2.5% ndërsa Testi Pisa dëshmon rënien në pikiatë të cilësisë së dijenxënies si treguesi më sintetik i gjithë morisë së problemeve e mangësive në dimensionet horizontale e vertikale të sistemit arsimor e të relacioneve të tij me shtetin partiak, shoqërinë në emigrim e plakje, dhe ekonominë në koncentrim e drogëzim, një tjetër dështim rilindës por me pasoja afatgjata.
- Bujqësia dhe agroindustria, e premtuar se do rilindte me qeverisjen e tyre, po shkon drejt vdekjes klinike nga konkurrenca e pamëshirshme e importit, pakësimi i fuqisë punëtore e rinore në fshat prej emigrimit masiv dhe zhvendosjes së përshpejtuar drejt qyteteve, subvencionet klienteliste dhe investimet e pakta shtetërore në infrastrukturën bujqësore e rurale e deri tek bllokimi i fondeve të Bashkimit Europian, IPARD III, si pasojë e abuzimeve me fondet e fazave të mëparshme.
- Pastrimi i Shqipërisë nga plehrat, krenaria e Kryeministrit, rezultoi në dështimin më spektakolar të Rilindjes. Kosto qindra milion euro drejtpërdrejt e lidhur me inceneratorët inekzistentë dhe/ose jofunksionalë është vetëm maja e ajsbergut të dëmeve. Ndryshimi i skemës, kapërcimi i fazave të ripërdorimit dhe riciklimit, grumbullimi i përqendruar e me përdhunë i mbetjeve për qëllimet e skemave abuzive të incenerimit shkatërroi industrinë e re ricikluese dhe gjithë rrjetin e grumbullimit e të seleksionimit paraprak ndërsa ekonomia humbi vlerat kolosale të këtyre lëndëve të para kaq të çmuara.
- Industria përpunuese dhe eksportet përkatëse në rënie vijuese prej disa tremujoresh tashmë, pasojë e drejtpërdrejtë e narkoeurove që fuqizojnë virtualisht lekun dhe tërheqin kapitale në sektorët ku pastrohet më kollaj origjina kriminale e parasë, siç është ndërtimi masiv i banesave e kullave, e gjitha kjo falë bashkëqeverisjes së Rilindjes me Krimin e Organizuar. Në industrinë minerare dhe atë energjetike asnjë shtesë domethënëse kapacitetesh prodhuese përveç premtimeve karagjozë për naftën e Shpiragut dhe hidrogjenin e Bulqizës që do na ushqenin me lugë floriri, siç Norvegjezët nafta e Detit të Veriut.
- Infrastruktura rrugore, premtuar se do ndërtohej e plotë, e shtrirë në territor në shërbim të zhvillimit dhe me standarde europiane sot është në pikë të hallit. Në 12 vite Rilindja nuk ka bëre dot as gjysmën e kilometrave rrugë kombëtare krahasimisht qeverisjes demokrate në 8 vite, edhe këto vende-vende të pambaruara, me kosto të shumëfishuara e kohëzgjatje tërkuzë; për rrugët rurale as që është kujtuar kush nga rilindja e ato që la të bëra qeveria e mëparshme janë dëmtuar; rrugët përshkuese të zonave industriale janë ku thërret qameti, sa për ilustrim: rrjeti rrugor përshkues i shpartalluar tërësisht në zonën industriale në dy krahët e superstradës Tiranë-Durrës, zonë kjo qe jep më shumë se gjysmën e PBB-së e të taksave. Në 12 vite kjo qeveri mezi mbaroi gjysmën tjetër të Unazës së Tiranës ndërsa të hysh e të dalësh prej saj është një tmerr i vërtete.
- Cilësia e mjedisit, ajrit, ujërave, pyjeve, tokës dhe erozionit të saj, premtuar se do përmirësohej thelbësisht, është përkeqësuar në vijimësi e pa kthim. Pa trajtim të ujërave të zeza, me një pjesë të madhe të mbetjeve urbane e industriale që përfundojnë në lumenj e prej këtu në det, bashkë me tretjet e pesticideve e kimikateve të mbipërdorura në bujqësi, po shkatërrohet flora dhe fauna detare si dhe cilësia e ujërave në plazhe në dëm të turizmit bregdetar. Pyjet në pakësim, po kështu lulishtet e parqet në qytete (përveç gënjeshtrave me 1 milion pemë në Tiranë) ndërsa galopi i ndërtimit dhe zvarritja e trafikut, veçanërisht në qytetet e mëdha dhe rrugët në bregdet, kanë rritur ndjeshëm ndotjen e ajrit. Shqipëria pozicionohet ndër vendet më të ndotura të Europës në disa tregues thelbësore mjedisorë, e shëndetësorë për rrjedhojë.
- Ndërsa të ardhurat për fryme mezi arritën 1/3 e mesatares së Bashkimit Europian pabarazia, premtuar nga rilindja se do zbutej,është thelluar dhe ashpërsuar. Rilindësit kritikonin qeverisjen demokrate me argumentin se 5% e depozituesve posedonin gjysmën e vlerës së depozitave bankare në 2012-tën dhe ata do ta përmbysnin këtë realitet me politikat e tyre sociale dhe taksën progresive, por sot, më pak se 5% e depozituesve zotërojnë afro 60% të totalit të vlerës së depozitave bankare. Nëse këtu konsiderojmë edhe llojet e tjera të pasurive, më se pari ato imobiliare, pabarazia thellohet e ashpërsohet edhe më shumë.
- Ndërsa premtuan barazi e drejtësi sociale dhe shanse të barabarta,raporti me pushtetin rilindës është bërë burim parësor i pabarazisë, padrejtësisë dhe diferencimit social si për individët edhe për bizneset. Kontraktimi shtetëror, prokurime e koncesione, është tashmë një sistem i fuqishëm dhe efektiv i shpërndarjes preferenciale e korruptive të përfitimeve ekonomike kundrejt mbështetjes dhe besnikërisë politike. Punësimi në shtet, pa meritokraci dhe i shtuar në numër me mbi 20 mijë vetë (shtesë prej afro 13% ndërsa popullsia zvogëlohet me 16% dhe koncentrohet në qytete ndërsa rritet përdorimi i teknologjisë IT dhe IA në administrimin publik), është bërë streha e patronazhimit të votës. Nga sondazhet elektorale të Euronews dhe News24 rezulton se votuesit e Rilindjes që e vlerësojnë pozitivisht gjendjen aktuale ekonomike dhe atë të pritshme të familjeve të tyre përbëjnë shumicën e atij elektorati, tregues ky 2-4 herë më i lartë se tek votuesit demokratë apo ata neutralë.
- Rilindësit e përdornin emigrimin si argument të qeverisjes së keqe të demokratëve por emigrimi gjatë qeverisjes rilindëse rimori përmasa eksodi. Census 2023, i zvarritur dhe i trukuar, nuk e fsheh dot degradimin demografik. Shqipëria ka humbur rini, moshë pune dhe moshë pjellore me ritme të paktën dy herë më të larta emigratore gjatë 12 vjeçarit rilindës krahasuar me dekadën e mëparshme dhe ky ritëm ka qenë 4-5 herë me i lartë në 6 nga 12 vitet rilindëse, veçanërisht këto 3 vitet pas pandemisë Covid19. Emigracioni s’ka se si të mos këtë qenë fortësisht asimetrik edhe politikisht, për shkak të pabarazisë ekonomike e sociale që ka krijuar pushteti afatgjatë i Rilindjes.
- Rilindja premtoi rend e drejtësi por përfundoi me polici të inkriminuar deri në palcë dhe drejtësi të politizuar deri në rrënjë. Simbioza Rilindje-Krim i Organizuar kaloi në katër faza: përfshirje e drejtpërdrejtë në parlament dhe pozita të tjera shtetërore te eksponentëve të krimit të organizuar që në 2013; kanabizim në 2016 përpara zgjedhjeve 2017; ngritje e krimit të organizuar shqiptar në nivelin e trafikut ndërkombëtar të kokainës para zgjedhjeve 2021; pastrimi në vlera gjigante e parasë së drogës në ekonominë shqiptare, veçanërisht në ndërtim, përpara zgjedhjeve 2025. Publikimet e bisedave në rrjetet e inkriminuara, ardhur nga Franca a Belgjika e demonstrojnë më së miri lidhjen rilindje-polici-prokurori/gjykatë-krim i organizuar. I vetmi përfitim (i përkohshëm) i këtij sistemi miks narko-shtet është rënia e krimeve ordinere, që si rregull bien në kësi sistemesh, rënie në të cilën ka kontribuar edhe emigracioni. Në ndërkohë, drejtësia rilindëse ka akumuluar mbi 150 mijë dosje në pritje për trajtim nga më pak se 35 mijë në 2015, e sot, një vendim gjyqësor i formës së prerë mund të kërkojë edhe më shumë se një dekadë-imagjinohet fare lehtë se sa është rritur çmimi i korrupsionin në këtë farë drejtësie. E, sa për fundin e pandëshkueshmërisë, gjethja e fikut e dashnorë(e)ve të SPAKU-t, po, po, ajo ka përfunduar për këdo përveç për njërin-Kryeministrin. Opozita ndëshkohet padrejtësisht që të fuqizohet pushteti i Kryeministrit, edhe disa qeveritarë krah tij, ata që hanë mollë e dardha prapa shpinës së Kryeministrit, ndëshkohen me lejen paraprake të tij, sepse pushteti i fuqizuar i 1-shit duke dobësuar opozitën ka nevojë edhe të lucidohet nga njollat sipërfaqësore e të legjitimohet kësisoj duke dënuar ca nga të vetët.
Afërmendsh që12 dështimet e mësipërme rilindëse (ka dhe plot të tjera) nuk premtojnë as zhvillim kombëtar as integrim europian, por që gënjeshtra të besohet, ajo duhet të jetë sa më e madhe, sa më e pacipë, sa më pretenduese.
Kryeministri thotë se do përfundojë në kohë rekord negociatat duke përdorur Inteligjencën Artificiale në përafrimin e legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Europian (krahas përdorimit magjik të AI në prokurimet publike, e-albania etj).
Nëse kështu u bërkërkan punët më shpejt, më mirë e më lirë, le ta zëvendësojmë vetë Kryeministrin me Inteligjencën Artificiale dhe kështu i japim fund mundit e rropatjes së tij për të mirën tonë e të Shqipërisë.
Kështu ai do zërë më në fund një vend nderi në historinë e Shqipërisë e do ketë me shumë kohë të merret me hallet globale që i ka gjithashtu fort për zemër.