Janë zbardhur detaje të reja nga atentati i regjistruar pasditen e djeshme në fshatin Pllanë të Lezhës, ku u ekzekutua në ambientet e një lokali 64-vjeçarit Gjovalin Prendim, babai i Roan Brahimit alias Sidore Prendit, i cili u ekzekutua në Maj të vitit të kaluar në Athinë.
Burime për mediat pranë grupit hetimor bëjnë me dije se dyshohet për 3 atentatorë, të cilët kanë lëvizur me një automjet tip “Porche”.
Automejeti i autorëve ka ndaluar para biznesit të Gjovalin Prendit dhe dy prej tyre, të maskuar, kanë dalë nga makina, ku njëri ka qëlluar me breshëri plumbash në distancë të afërt.
Shënjestra ka marrë plumba në kraharor, të cilët kanë rezultuar fatal për të. Në momentin e ngjarjes, Gjovalin Prendi ka qenë në tavolinë me një person tjetër, por fatmirësisht ky i fundit nuk ka marrë lëndime. Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje deri më tani mbi 10 persona.
Pista kryesore e hetimeve është ajo e hakmarrjes, për shkak të përfshirjes së djalit të tij në disa ngjarje kriminale. Roan Brahimi alias Sidore Prendi kishte lidhje të afërta me persona të përfshirë në krime të bujshme në Shqipëri, përfshirë vrasjen e Gentjan Bejtjes më 15 mars 2024 në Larushk të Krujës, ku një nga të arrestuarit, Ilir Beqaraj, ishte kunati i tij.
Po ashtu, ai konsiderohej si rival i fortë i grupit të Niklës dhe armik i përbetuar i Ervis Martinajt, “mbretit të kumarit”, i zhdukur pa gjurmë që prej gushtit 2022.
Roan Brahimi dyshohet se ka pasur rol edhe në vrasjen e Brilant Martinajt, kushëririt të Ervis Martinajt, në atentatin e ndodhur më 17 korrik 2022, ku humbën jetën edhe dy persona të tjerë.