Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një skandal në fshatin Ninesh në Mallakastër, ku eshtra njerëzore kishin dalë në sipërfaqe.
Në redaksinë e emisionit investigativ mbërriti një informacion, i shoqëruar me video, teksa dukej skeleti i një trupi njeriu buzë rrugës.
Grupi i Fiksit udhëtoi në atë fshat, teksa gazetarët biseduan me disa banorë, të cilët tregojnë se në fshatin Ninesh, në Njësinë Fratar të Mallakastrës, prej rreth 3-4 vitesh në rrugën sipër këtij fshati kanë dalë eshtrat e një varri të vjetër. Ata thonë se asnjë institucion s’i ka parë, teksa shtojnë se edhe fëmijët nuk i lënë të kalojnë në atë rrugë.
Sipas tyre, rruga është shtruar rreth 20 vite më parë me kalldrëm dhe lidh fshatin me kodrat përreth si dhe me një fshat në Memaliaj. Sipas tyre, në atë kohë erdhën mjete të rënda dhe zgjeruan rrugën ekzistuese. Më pas, nga shirat që kanë rënë, në skarpatën e një ane të rruge dolën eshtrat e një trupi të varrosur.
Banorët pohojnë se eshtrat janë prej vitesh në atë vend, teksa tregojnë se në atë vend janë varreza të vjetra të fshatit. Madje, janë edhe disa varre të rinj. “Të gjithë i dinë se janë varre të vjetra. Ka gurë dhe poshtë janë varre. Tani janë edhe varre të reja. Por asnjë institucion s’ka ardhur për t’i parë” pohon një banor.
Fiksi bisedon edhe me një zonjë, e cila ka shtëpinë ngjitur me varrezat. Ka 3 fëmijë, më i vogli 10 vjeç, teksa thotë se nuk i ka lënë fëmijët të shkojnë te ajo rrugë dhe të luajnë. “E kanë parë fëmijët dhe më kanë pyetur. I kam thënë se s’është ndonjë gjë, janë gurë. Nuk i kam lënë të luajnë atje dhe të kalojnë rrugën, është shumë e frikshme” thotë ajo.
Gazetarët kontaktojnë me Policinë e Mallakastrës, të cilët thanë se do të verifikojnë rastin. Disa minuta më pas, në vendngjarje mbërrin edhe i plotfuqishmi i zonës, i cili thotë se deri më tani s’kanë marrë asnjë ankesë apo denoncim. Pohon se tani do të bëjnë verifikimet e duhura. Ai shton se do të vijë grupi hetimor dhe do të bëhen ekspertimet për të dalë në një konkluzion.
Ndërkohë, edhe Njësia Administrative Fratar, nuk kishte informacion apo ankesa për problemin në fjalë. Administratori Shkëlqim Kapllanaj tha, se pas evidentimit të rastit nga Fiks Fare, do të shkojë vetë në atë vendndodhje dhe do të marrë masa.
Disa ditë më pas, gazetarët kontaktojnë sërish me Administratorin e Njësisë Fratar, Shkëlqim Kapllanaj, i cili thotë se “sot (7 prill 2025), jemi duke u marrë me atë problem, sepse erdhi policia vuri shiritin dhe pritëm sa kthyen përgjigje ata”. Sipas tij, do të bëhet një veshje e vendit me mur dhe me mbushje dheu nga brenda që të mos duket më. “Nuk u vendos për zhvarrim, sepse ha procedura të gjata. Do kohë, do të vijë arkeologjia, të bëjë ato ADN-të, çfarë kohe i përket, kujt i përket. Dhe vendosëm që do ta murosim atje, do të bëhet një mur” thotë ai.
Më tej shton se muri do t’a mbushë me dhe’, me qëllim që të mos betonohet skeleti. “Ai është varr, me një fjalë nga ato që pyetëm se mora kryeplakun dhe njerëz të vjetër që janë aty, bëhet fjalë për një varr mbi 300 vjeçar. Që nga koha e murtajës, i hidhnin njerëzit kështu. Se po ta shikoje ishte i vendosur në brinjë, i varrosur. Jo siç varrosen zakonisht” shton Administratori.
Fiksi e pyeti se si ka mundësi që askush nuk i pa. “Për atë e pyeta edhe kryeplakun e fshatit. Ti ke informacion nga fshati, nga banorët, nga këta lagjexhinjtë këtu, nuk kam informacion! E kthyem arkivën tonë këtu, Njësinë, përmbys po s’kishte ndonjë ankesë. Nuk kishte! Nuk ka njoftuar njeri. Kujt i shkonte mendja që ne që kalonim atje të shikonim faqen e murit, s’të shkon mendja kurrë. Biles në atë fshat atje, në atë lagje atje, është edhe ish-Kryetari i Njësisë që ka qenë para meje. Dhe ai nuk e dinte s’kam informacion, s’jam marrë me këtë punë” përfundon ai, teksa punëtorët kanë shkuar dhe po punojnë për të rregulluar varrezat e vjetra./ Top Channel