Nga Lutfi Dervishi
1. Premtimet pa afat skadence, që përsëriten çdo katër vjet me version të ri.
2. PPP – Partneritet Privat Përjetësisht, ku fiton privati, paguan taksapaguesi.
3. Ndarja e rrugëve në lote, për t’u siguruar që askush të mos mbajë përgjegjësi për të gjithë rrugën.
4. Kosto rekord për kilometër rruge, që e bën çdo kontratë inxhinieri të duket si art abstrakt.
5. Tendera ku dokumentet publike i printon privati, sepse edhe transparenca është koncesionuar.
6. Ndërtime pa leje që legalizohen në kohë fushate, ku çdo m3 beton është votë.
7. Pyje që digjen për të ndërtuar resorte, në emër të “zhvillimit të qëndrueshëm” dhe “ndikimit në mjedis”
8. Spital me parking 5-katësh dhe hotel, por pa mjekë, sepse shëndeti fillon nga sistemimi i automjeteve, ka thënë Hipokrati.
9. Statuja e buf-it – si simbol i thelbit të debatit rreth programeve në fushatë.
10. Konferenca për transparencë pa dokumente publike, ku e vetmja gjë transparente është ekrani i projektorit.
11. Masterplani që ndryshon sipas investitorit strategjik, ndërkohë që qytetari zhvendoset pa plan.
12. Pronarë që nuk marrin pronën – sepse prioritet është zhvillimi… i dikujt tjetër.
13. Denoncues që dënohen dhe të korruptuar që promovohen, për të ruajtur balancën morale.
14. Porti i vetëm ndërkombëtar që kthehet në resort, për të shpëtuar Shqipërinë nga tregtia.
15. Fshatra turistikë pa turistë.
16. Kopshti i Ed(en)it
17. Drejtori te Hekurudhave pa trena – por me vizion të qartë dhe projekt 3D.
18. Gjeneral të Forcave Ajrore pa avionë, por me medalje të rënda dhe uniformë të NATO-s.
19. Shteti Bektashi
20. Më shumë kafene, farmaci, parukeri dhe profesorë “dr.” për metër katror se çdo vend tjetër në botë sepse kujdesemi jo vetëm për shpirtin, trupin, flokët, por dhe titujt!














