Kryetari i partisë “Bashkimi Popullor i Pensionistëve”, Selami Jenisheri është larguar zyrtarisht nga koalicioni i opozitës “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” e drejtuar nga Sali Berisha.
Ai ka dorëzuar shkresën e dorëheqjes në KQZ, ndërkohë që vazhdon të pretendojë ende se zgjedhjet e 25 Prillit të vitit 2021 janë të paligjshme dhe në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.
Në një intervistë të pak ditëve më parë, Jenisheri pretendonte se ishte mashtruar nga Flamur Noka, i cili i kishte thënë “firmos” për t’u bërë pjesë e koalicionit dhe se për kushtet do e thërriste një ditë më pas për të biseduar, por kjo gjë sipas tij nuk ndodhi. Jenisheri u shpreh i revoltuar që nuk e kishin përfshirë gjatë hartimit të listave, pasi pretendonte kandidatë për deputet.
“Ju lajmërojmë dhe kërkojmë që subjekti zgjedhor Partia Bashkimi Popullor i Pensionisteve Shqiptar heq dore nga pjesëmarrja në zgjedhjet e 11 Majit 2025, për Kuvendin e Shqipërisë, si subjekt zgjedhor dhe si pjese e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” e regjistruar për zgjedhjet e 11 Majit 2025, ndërkohë që zgjedhjet e 11 Majit 2025 janë të paligjshme, të pavlefshme dhe madje antikushtetuese dhe nuk mund të mbahen, kur akoma nuk ka mbaruar shqyrtimi i gjithë ankimimit për zgjedhjet e 25 Prillit 2021 dhe kështu sipas Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e 25 Prillit 2021, nuk mund të ndahen mandatet, pasi janë të paligjshme dhe në kundërshtim me Kodin Zgjedhor me të cilën mbajtën zgjedhjet e 25 Prillit 2021”, thuhet në kërkesën e Jenisherit.