Në Shqipëri nuk ekzistojnë institucione mjekësore të veçanta për trajtimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor që kanë kryer krime. Burgu famëkeq i Zaharisë u mbyll në vitin 2021 dhe këta persona janë shpërndarë mes burgut të Shën Kollit në Lezhë dhe atij të Drenovës në Korçë, por situata e tyre nuk ka ndryshuar duke mbetur të ngujuar. I ngujuar prej më shumë se 20 vitesh ka mbetur edhe vëllai i një dëshmitari i cili tregon kushtet e këqija që këta pacientë përballen çdo ditë paligjshmërisht.
Për “Vetting” familjari i këtij pacienti shprehet se: “Në burgun e Zaharisë, përsa i përket ambientit kanë qenë çnjerëzorë, kanë qenë 3 banjo me 300 të sëmurë. Ata i kanë shkatërruar, i kanë torturuar të sëmurët”. Në të njëjtën mënyrë është shprehur edhe Komisioneri për mbrojtjen nga Diskriminimi i cili ka trajtuar çështjen e këtyre pacientëve të cilët nuk mbahen në institucione të posaçme mjekësore, por në burgje.
“Zaharia është mbyllur pikërisht për shkak të kushteve çnjerëzore që kishte”- u shpreh Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda.
Në vitet 2000 në media qarkulloi lajmi se një djalë plagosi me armë të ftohtë familjarin e tij, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë mendore. Pasi kreu aktin, ai u dërgua menjëherë në institucionin shëndetësor të burgjeve në Tiranë, te “Nënë Tereza” për të kryer dënimin.
Njëzet e pesë vite pas ngjarjes, “Vetting” ka kontaktuar familjarët e këtij personi, të cilët edhe sot po merren me çështjen gjyqësore të vëllait pasi është trajtuar në mënyrë çnjerëzore nga institucionet shtetërore.
“Kam një vëlla që vuan nga shëndeti mendor, u godit dhe pësoi dëmtim të rëndë nga ana mendore nga goditja gjatë punës dhe aty u përcaktua invalid pune”- thotë familjari teksa shton që pasi u bë seanca gjyqësore u vendos për t’a çuar në një spital psikiatrik mjekësor, por Prokuroria nuk e zbatoi këtë vendim duke e çuar në Spitalin e Burgut në Tiranë, “Nënë Tereza”.
Për “Vetting”, familjari i pacientit tregon se Prokuroria nuk gjeti një zgjidhje për rastin, duke marrë një vendim që do t’i përkeqësonte shëndetin.
Sipas dëshmisë së familjarit, i cili prej 25 vitesh endet dyerve të spitaleve dhe burgjeve, duket se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Drejtësisë nuk e kanë kryer me përgjegjshmëri detyrën.
Mjeku Shkëlqim Ahmetaj shprehet: “Duke qenë se ne i kemi deinstitucionalizuar institucionet shtetërore psikiatrike ai që vuan masën e dënimit është i detyruar t’a vuajë në institucionet me burgim.”
Gjykata e rrethit gjyqësor ku i pandehuri jetonte, me anë të një vendimi të formës së prerë vendosi “Shtrimin e të pandehurit për mjekim të detyrueshëm në spitalin psikiatrik në Tiranë, duke marrë masa për ruajtjen e tij”.
Ky vendim u vu në zbatim në vitin 2001 dhe deri në vitin 2009, personi është trajtuar në Institucionin e Veçantë Shëndetësor të Burgjeve (Spitali i burgut), Tiranë. Më pas është transferuar për të zbatuar masën mjekësore në burgun e Krujës, Institutin e Ekzekutimit të Vendimit Penal në Zahari.
“Nga viti 2000-2009 ishte pa mjekime të rregullta, pa medikamente të rregullta, pa kushte të mira. Si përfundim të sëmurët që ishin të pa mjekuar e goditën. Duke i dëmtuar syrin me grusht, me cigare në sy. Vëllai do ishte kuruar që në atë moment që u godit, që i’u dogj syri, do ishte mirë”, tha familjari i zhgënjyer nga institucionet.
Kjo familje, e cila prej më shumë se dy dekadash pret në stolat e oborrit të spitaleve dhe burgjeve për t’a transferuar familjarin në një institucion të posaçëm rehabilitues, i është drejtuar Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi duke pretenduar që familjari i tyre është diskriminuar për shkak të përkatësisë në një grup të veçantë.
“Ne kemi pasur trajtim çështjesh të cilat kryesisht lidhen me personat që kanë kryer vepër penale dhe që janë certifikuar që janë të “papërgjegjshëm” për veprën që kanë bërë, por padrejtësisht mbahen nëpër burgje.”- u shpreh Komisioneri Gajda.
Pas shqyrtimit të rastit, Komisioneri konstatoi diskriminim të drejtpërdrejtë për shkak të “përkatësisë në një grup të veçantë” dhe të “aftësisë së kufizuar” nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe vendosi që kjo e fundit, bashkë më Ministrinë e Drejtësisë të marrin të gjitha masat e nevojshme për përshtatjen e ambienteve të IVSH Tiranë dhe dy godinave 4 dhe 5 në IEVP Lezhë për akomodimin e shtetasve me vendim gjykate me masë mjekësore “Shtrim i detyruar në një institucion psikiatrik”, si një institucion i posaçëm mjekësor.
Më 30 prill 2024 me urdhër të Kryeministrit, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Lezhë ka pësuar ndryshime në strukturë duke u bërë Institucion Mjekësor i Posaçëm IEVP Lezhë.
Avokatja Ada Demiraj konstatoi mungesën e një institucioni mjekësor të posaçëm: “Aktualisht ne kemi ligje të mira por nuk kemi një institucion, i cili t’i vijë vërtetë në ndihmë këtyre rasteve. Dhe familjarët shqiptarë gjenden sot në problematika të shumta, gjenden pa zgjidhje të situatave shpeshherë dhe gjithashtu në pamundësi për të kërkuar përmbushjen e të drejtave që kanë për familjarët e tyre”.
Sipas raporteve nga Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës, institucionet shqiptare në mënyrë të vazhdueshme që prej vitit 2000 e në vazhdim, në kundërshtim me ligjin i kanë mbajtur pacientët me probleme të shëndetit mendor në Qendrën Spitalore të Burgut dhe Burgun e Krujës nën kushte që konsiderohen çnjerëzore dhe poshtëruese.
Ankuesit dhe pacientëve të tjerë të akomoduar në sistemin e IMP Lezhë, pavarësisht përmirësimit të kushteve dhe kthimit të tij në një institucion mjekësor të posaçëm, nuk u ofrohet i njëjti shërbim mjekësor si atyre në spitalet psikiatrike. Për më tepër u kufizohen liritë dhe të drejtat e sanksionuara në Kushtetutë, përtej masës që përkon me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Gjykata Europiane: Shteti shqiptar trajtim çnjerëzor ndaj pacientëve
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka ndëshkuar dy herë shtetin shqiptar për trajtimin e pacientëve të dënuar me probleme të shëndetit mendor. Konkretisht Shqipëria ka humbur dy gjyqe, një në vitin 2009 “D kundër Shqipërisë” dhe “S kundër Shqipërisë”, ku në të dyja rastet janë dëmshpërblyer pacientët e prekur nga paaftësia e shtetit shqiptar.
Sipas Gjykatës Europiane ka pasur një dështim të gjatë nga institucionet shqiptare për të ngritur një institucion mjekësor të posaçëm. Madje në rastin e “D kundra Shqipërisë”, Gjykata pohon se pacienti është trajtuar në mënyrë çnjerëzore në shkelje të nenit 3 të Konventës së të Drejtave të Njeriut.
Në këtë drejtim, mbyllja e të dënuarve me probleme të shëndetit mendor në institucione të veçanta brenda sistemit të burgjeve, përbën dhunim të rëndë të të drejtave të tyre, duke i vendosur ata në një formë të përjetshme të mohimit të lirisë.
Por gjendja e papërgjegjshmërisë të atyre që janë kronikë mund të zgjasë gjatë gjithë jetës dhe si rrjedhim edhe izolimi në institucione do të ishte i përjetshëm. Madje prania e hekurave dhe rojeve të armatosura krijon një atmosferë shtypëse, jo të favorshme për natyrën e një mjedisi rehabiliues.
Një rast tjetër lidhet edhe me vendimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili ka përfunduar në Gjykatën Europiane. Në vendimin e saj në çështjen “S kundër Shqipërisë” përmenden edhe pretendimet për shkeljen e nenit 3 të Konventës për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) i cili parashikon se “Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, as dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues”.
Gjykata konstatoi se z. “S”, subjekt i një vendimi gjyqësor i urdhëruar për trajtim të detyrueshëm spitalor, iu nënshtrua një trajtimi çnjerëzor dhe degradues për shkak të kushteve të këqija në Spitalin e Burgut të Tiranës, ku ishte i burgosur që nga viti 2011. “Ne kemi pasur trajtim çështjesh të cilat kryesisht lidhen me personat që kanë kryer vepër penale dhe që janë certifikuar që janë të “papërgjegjshëmn” për veprën që kanë bërë por padrejtësisht mbahen nëpër burgje”, tha për “Vetting” Komisioneri për mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda.
Sipas vrojtimeve që Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka kryer në vitin 2024, rezulton se në këtë institucion ndodhen të akomoduar 446 shtetas të cilët rehabilitohen nga 53 punonjës mjekësorë. Për këta pacientë, gjykata ka vendosur masën mjekësore “mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, duke iu mohuar shërbimin mjekësor sipas protokollit të miratuar të çrregullimeve të shëndetit mendor.
Psikiatrja Arjana Rreli u shpreh se: “Do ishte shumë më efektive puna në qendrat tona nëse siç parafola do të kishim dhe struktura të tjera, do të relaksonim disi edhe punën e personelit.”
Njëkohësisht ndesh me legjislacionin shqiptar dhe ndërkombëtar bie edhe Ministria e Drejtësisë, e cila mban në institucionet në varësi të saj, në mënyrë të paligjshme shtetas me kufizime të aftësisë mendore.
Familjari i këtij pacienti i cili ka kaluar mbi dy dekada nëpër institucione që ia kanë përkeqësuar gjendjen shpreh kërkesën e tij: “Unë kërkoj nga institucionet e shtetit, nga seancat më të larta që ka shteti vendimi i formës së prerë, i Gjykatës Administratiive të apelit Tiranë, largimin e menjëhershëm të vëllait nga burgu i Shënkollit drejt një spitali psikiatrik të specializuar të realizohet vendimi i gjykatës.”
Gjykata e Strasburgut në çështjen “S kundër Shqipërisë” konstatoi se autoritetet shqiptare kanë dështuar në ngritjen e një institucioni për trajtimin e personave me çrregullime mendore, të cilët janë privuar nga liria për shkak të trajtimit të detyrueshëm mjekësor të urdhëruar nga gjykata vendase.
Në vendimin e publikuar në fletoren zyrtare të vitit 2020, shteti shqiptar duhet t’i paguajë 15 mijë euro pacientit, precedent ky që i hap rrugën të gjithë pacientëve që janë nën këto masa të marrin dëmshpërblim nga shtetit, kur shumë mirë mund të investohet për të krijuar një institucion të posaçëm.
“Absolutisht është e nevojshme që njerëzit të kenë, ta kuptojnë mjaft mirë ligjin dhe t’i drejtohen gjykatës për dëmshpërblime të herëpasherëshme dhe patjetër që në rast diskriminimi të këtyre pacientëve që kanë probleme të shëndetit mendor, nuk janë trajtuar në mënyrën e duhur ligjore u shtofshin raste të tilla, ankesa të tilla dhe gjykatat shqiptar dhënshin sa më shumë drejtësi.”- shprehet Avokatja Ada Demiraj.
Si dështuan Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Shëndetësisë të ndërtonin një institucion për personat e rrezikshëm me probleme mendore
Në vitin 2018 Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar Komisionerin se është duke realizuar një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë për ndërtimin e një institucioni që kujdeset për personat e rrezikshëm me probleme të shëndetit mendor.
Zgjidhje shteruese e këtij problemi do të ishte ngritja dhe funksionimi i një Institucioni Mjekësor të Posaçëm.
Por sa janë në vëmendje të institucioneve që përdorin politika parandaluese, për t’i shërbyer jo vetëm njerëzve me probleme, por edhe për të frenuar shtimin e këtyre rasteve?
“Vetting” ka investiguar institucionet që duhet të merren me trajtimin e të sëmurëve mendorë, që duhet theksuar shpeshherë i hasim edhe në rrugë, pasi largohen nga institucionet apo shtëpitë e tyre të pashoqëruar. Madje ka pasur raste që të sëmurët të shëndetit mendor, janë lënë nëpër shtëpitë e tyre, pa marrë trajtimin e duhur e për pasojë në mënyrë të pavetëdijshme kanë kryer vepra penale.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është institucioni përgjegjës, i cili duhet të sigurojë kujdesin shëndetësor, sigurimin e një mjedisi social të përshtatshëm për personat me çrregullime të shëndetit mendor.
Mjeku Shkëlqim Ahmetaj tha: “Të gjithë ata që merren me politikë duhet t’u ofrohen Shqiptarëve me zgjidhje, pra me ofertë të drejtëpërdrejtë. Pra ç’do bëhet me fëmijët tanë? Ç’do bëhet me ata persona më aftësi të kufizuar që nuk kanë asnjëlloj hapësire.”
Sipas një Raporti të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përgjatë vitit 2023, rreth 58% e grave të anketuara dhe 40% e burrave kanë vuajtur nga një simptomë e Shëndetit mendor.
Nga anketa e kryer nga BERZH është evidentuar se të rinjtë dhe të moshuarit kanë përhapje më të lartë të problemeve me shëndetin mendor, pasi 40% e tyre në rang global raportojnë shqetësime ose episode të ankthit mesatarisht një herë në javë.
“Grupmosha aktive është më e prekshmja nga këto lloj problematikash por gjithsesi patjetër që vëmendja duhet të jetë tek grupmoshat e vogla dhe mosha e tretë që kanë llojin e problematikës të përshtatur me moshën.”- dëftoi gjatë psikiatre Arjana Rreli.
Kushtet ‘shkel e shko’ të Spitaleve Psikiatrike
Spitalet psikiatrike janë një mjedis kyç ku pacientët e shëndetit mendor mund të rehabilitohen dhe të marrin mjekimin e duhur nga mjekë të specializuar.
Por a i marrin këta pacientë të gjitha shërbimet e nevojshme?
Në Shqipëri ka katër spitale psikiatrike: Spitali psikiatrik në Qendrën spitalore kombëtare Nënë Tereza (QSUNT), Spitali Psikiatrik Elbasan, Spitali Psikiatrik i Vlorës dhe Spitali Psikiatrik i Shkodrës.
Spitali Psikiatrik “Xhavit Gjata” ndodhet në Tiranë dhe në këto ambiente janë të ndara 74 shtretër për të rriturit dhe 15 shtretër të shërbimit të psikiatrisë për fëmijë.
Ky spital prej vitesh është përballur me vështirësi financiare dhe investimesh, duke e bërë shërbimin jo cilësor për pacientët. EKG në vitin 2018 ka qenë jashtë funksionit prej më shumë se dy vitesh, por edhe shërbimet sikurse dhe ai stomatologjik, laboratorik klinik-biokimik dhe ekzaminimet imazherike, ofrohen pjesërisht nga shërbimi i neurologjisë dhe nga shërbime të specialiteteve përkatëse në QSUT.
“Nëse flasim për Tiranën është një qytet që shtohet çdo ditë, që zgjerohet çdo ditë. Në fakt ne jemi vetëm 3 qendra komunitare të shëndetit mendor kështu që nevojat padiskutim janë në rritje.”-u shpreh psikologe Rreli.
Koha e kufizuar në punë e psikiatërve dhe radha e gjatë e personave në pritje të vizitës bëjnë të mundur që mjeku t’a kryejë vizitën shumë shpejt duke mos ofruar një shërbim cilësor.
Përgjatë dimrit të ftohtë, këtyre pacientëve u ka munguar sistemi qendror i ngrohjes e sikur të mos mjaftonte kjo, dyert e dhomave, dushet, tualetet, sipas monitorimeve në terren të Avokatit të Popullit, kërkonin ndërhyrje të menjëhershme rikonstruksioni dhe riparimesh.
“Gjendja ekonomike le të themi është faktor që ndikon shumë në sjellje diskriminuese sepse kryesisht janë personat e pamundur ekonomikisht që ekspozuese ndaj sjelljeve diskriminuese”- tha Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Çfarë ndodh me spitalet psikiatrike larg kryeqytetit?
Në monitorimin e vitit 2018 rezulton se Spitali psikiatrik “Sadik Dinçi” Elbasan ka një kapacitet prej 310 shtretërisht dhe pavarësisht popullsisë së zonës së mbulimit, ku përfshihen qarqet Elbasan, Durrës, Korçë dhe Lushnjë, duket se edhe në vitin 2024 nuk është shtuar asnjë shtrat duke e lënë numrin maksimal të kapacitetit 310 pacientë, 50 prej të cilëve janë të akomoduar duke krijuar probleme të mbipopullimit të spitalit dhe mungesës së shërbimeve.
Ky spital i ka kushtet shumë të këqija dhe kjo duket qartazi nga tualetet me lagështirë dhe kushte jo të mira higjieno-sanitare.
Ndërkohë në Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë problematikë shumë e madhe është dërgimi i personave abuzues me substancat narkotike dhe alkoolin pasi spitali nuk ka kapacitet infrastrukturor dhe as burimet njerëzore për ofrimin e një shërbimi të specializuar për këtë kategori personash.
Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit thuhet që spitali Psikiatrik i Elbasanit dhe ai i Vlorës nuk kanë arritur të zgjidhin problemet e pacientëve rezidentë kronikë të vendosur pranë këtyre dy spitaleve, nuk kanë rishikuar rregulloret, nuk kanë garantuar fonde dhe infrastrukturën e nevojshme për akomodimin e pacientëve.
Në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor ofrohet Shërbimi i Shëndetit Mendor me Shtretër Shkodër. Por, njësoj si spitalet psikiatrike të tjera edhe ky institucion nuk i përmbush kriteret e të qenit një institucion që ofron shërbim cilësor. Ky spital nuk ka dhoma izolimi, po as mjetet e parashikuara të kufizimit fizik gjë që ia vështirëson punën mjekëve.
Sipas raportit të Avokatit të Popullit, në këtë njësi thuhet se ka mungesë të juristëve për të përfaqësuar të dënuarit me masa mjekësore që ka sjellë si pasojë mbajtjen e paligjshme në spitalet civile, pavarësisht vendimeve gjyqsore.
Me rritjen e të numrit të personave që i drejtohen psikologut, psikiatrit duket se nuk është reflektuar njësoj edhe për specialistët, ku spitalet gjenden në mungesë të burimeve njerëzore dhe financiare duke çuar kështu në mungesë të shërbimeve cilësore.
“Do ishte shumë më efektive puna në qendrat tona nëse siç parafola do të kishim dhe struktura të tjera, do të relaksonim disi edhe punën e personelit”- shprehet psikiatrja Arjana Rreli.
Raporti numër pacient-staf sipas modelit Italian është një mjek psikiatër duhet të kujdeset vetëm për rreth 10 – 15 pacientë apo një psikolog për 20 – 30 pacientë.
Por pavarësisht standarteve dhe mundësisë për t’u kujdesur denjësisht për secilin pacient në Shqipëri, dy prej spitaleve më të populluara atë të Elbasanit dhe Vlorës, vërehet se raporti nr. pacientësh/staf është problematik.
Pavarësisht trajtimit falas në institucionet shtetërore, pacientët zgjedhin t’i drejtohen privatit sepse më anë të pagesës blejnë konfidencialitetin e të dhënave që zgjedhin të ndajnë më specialistin, por edhe besojnë së shërbimet janë më cilësore./Emisioni Vetting