Nga Sebi Alla
Legalizimi i banesave informale, një premtim po aq i vjetër sa vetë ndërtimet pa leje në vendin tonë, vijon të mbetet peng për interesa politike. Të dhënat zyrtare të siguruara nga Faktoje.al, që nga nisja e procesit të legalizimeve në vitin 2006 dhe deri më tani, tregojnë se legalizimet u përdorën si mjet i rëndësishëm për mbështetje politike, sidomos në fushata zgjedhore, qendrore dhe lokale. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike (por edhe LSI kur ishte në pushtet), e kanë përdorur procesin e pajisjes me dokumentacion pronësie të banesave informale jo vetëm si premtim elektoral, por edhe mënyrë për të siguruar vota, duke lëshuar dorën në dhënien e lejeve të legalizimit kryesisht katër muajt e fundit të datës së zgjedhjeve.
Eksperti i çështjeve zgjedhore, njëkohësisht edhe drejtues i organizatës së monitorimit të zgjedhjeve KRIIK Albania, Premto Gogo, në një reagim për Faktoje sugjeron se ky fenomen është i përhapur përgjatë fushatave duke “drejtuar apo detyruar votën qytetare” drejt subjektit në pushtet. “Për fat të keq, fenomeni në rritje i shpërdorimit të burimeve publike dhe i veprimtarisë shtetërore për të krijuar avantazh elektoral në favor të një partie politike e ka përdorur dhe e përdor procesin e legalizimit si ndër praktikat kryesore për të orientuar, drejtuar apo edhe detyruar votën e qytetarëve”, thotë Gogo.
Ndërsa zgjedhjet afrojnë, drejtues të pushtetit qendror dhe atij lokal, kanë shkelur haptas Kodin Elektoral, i cili ndalon reklamimin, publikimin dhe dhënien fizike të dokumenteve të pronësisë përgjatë fushatave elektorale.
Në qershorin e vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama pak javë para se të mbaheshin zgjedhjet e pjesshme lokale në Himarë, krah kandidatit të PS-së Vangjel Tavo, mbante edhe një numër të konsiderueshëm ‘certifikata pronësie’ të banesave. “…Sot janë 789 certifikata. Në të gjithë qarkun e Vlorës është një numër rreth 4 mijë e 200 apo 300, me këto të sotmet të cilat një pjesë do t’i shpërndajmë këtu dhe këtë shpërndarje fizike këtu, ne e bëjmë edhe për të sensibilizuar të tjerët që të aplikojnë”, tha kryeministri Rama.
Për 34 vite, shumë nga banorët e Dhërmiut nuk kishin mundur të siguronin certifikatë pronësie të banesës dhe truallit, por u desh një fushatë e ethshme zgjedhjesh lokale (për të rimarrë drejtimin PS) që të merrnin nga duart e kryeministrit dokumentin e mbajtur “peng” për tre dekada
Përgjatë fushatës në Himarë në të paktën tre raste, kreu i qeverisë shpërndau vetë lejet e legalizimit të banesave, duke u kërkuar njëkohësisht banorëve që të votonin kandidatin e PS-së Vangjel Tavo.
“Rritja e dhënies së lejeve të legalizimit pikërisht në vitet zgjedhore është fakti më kokëfortë i cili vërteton në shifra më së miri këtë fenomen, ndërsa pranohet tashmë gjerësisht bërja praktikë e përdorimit të këtij procesi edhe për përfitime elektorale prej të gjitha forcave politike që kanë emëruar apo drejtuar organet shtetërore kompetente për administrimin e procesin e legalizimit në tërë këto vite”, thotë kreu i KRIIK Albania, Premto Gogo.
Vitet zgjedhore, legalizime dhe vota
Një raport statistikor i ASHK-së (Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ish-ALUIZN-I ‘Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale’) i siguruar nga Faktoje.al, tregon se nga viti 2006 dhe deri në vitin 2013 janë hapur dy herë aplikimet për legalizimin e banesave informale. Numri total nga aplikimet e grumbulluara përfshin 323,082 objekte në të gjithë Shqipërinë. Mirëpo pas vitit 2013 ka pasur të tjera hapje procesesh, çka nënkupton se ndërtimet pa leje kanë vijuar dhe një pjesë e tyre edhe jashtë afateve të aplikimit janë përfshirë në proces legalizimi.
“Duhet pasur parasysh se për shkak të disa fushatave të vetëdeklarimeve, ka një numër dublikimesh në vetdeklarime (i njëjti objekt i deklaruar disa herë që shkon nga 20-30% të vetëdeklarimeve). Gjithashtu, në vetëdeklarime janë përfshirë edhe një numër objektesh të cilat nuk mund të përfshihen në legalizim për shkak të kohës së ndërtimit të tyre. Kjo shifër varion nga 7-10% të vetëdeklarimeve. Si rezultat për të arritur në shifrën reale të ndërtimeve pa leje, nga numri i vetëdeklarimeve duhen zbritur dy kategoritë e mësipërme. Përfundimisht, rezulton që numri real i ndërtimeve pa leje të futura në proces legalizimi, në periudhën 2006-2015, është 320.000 objekte” thuhet në raportin e Kadastrës Shqiptare të paraqitur në Parlament nga ish-kreu i kësaj agjencie Artan Lame.
Pas procesit të vetdeklarimit dhe monitorimit në terren të objekteve pa leje që kanë aplikuar për legalizim, rezulton se rreth 94 mijë objekte ose 29% e totalit të aplikimeve janë klasifikuar të palegalizueshme, por fati i tyre mbetet ende i paqartë, pasi në periudha të ndryshme janë dhënë dokumente pronësie për një pjesë objektesh, ndonëse janë në “hartën e kuqe”, si të përjashtuara nga legalizimi.
Një pjesë e objekteve rezultuan se ishin ndërtuar në zonat bregdetare pranë brezit ranor, ndërsa të tjerë buzë lumenjve, pranë kolektorëve, hidrovorëve ose në zona të përcaktuara për vepra publike për të cilët ekzistonin plane urbanistike të miratuara, para se të ngriheshin objektet informale. Këto janë të dhënat zyrtare dhe të vetmet që janë servirur nga ASHK.
Burime nga ASHK konfirmuan për Faktoje se edhe sot (2025) shifrat vërtiten sa më sipër pa ndonjë ndryshim të konsiderueshëm në numër
Ndonëse procesi i legalizimeve paraqet kompleksitet në hartimin, dokumentimit dhe më pas legalizimin, politika e ka shfrytëzuar këtë fenomen për të përfituar vota. Faktet po i mbështesim në të dhënat zyrtare.

Statistikat
Faktoje.al mori në shqyrtim statistikat e dhënies së lejeve të legalizimit të cilat kanë një kurbë rritjeje pikërisht në vitet zgjedhore. Shtatë procese zgjedhore lokale dhe qendrore janë zhvilluar përgjatë harkut kohor 2006-2024.
Legalizimet dhe Berisha
Përgjatë viteve 2006-2009 janë dhënë vetëm 1583 leje legalizimi, në vitin 2010 në të gjithë vendin u dhanë 1821 leje legalizimi, por një vit më vonë, e cila korrespondon me zgjedhjet lokale, jepen 4006 leje legalizimi. Në vitin pasardhës 2012 lëshohen 5769 leje legalizimi, por ky lloj trendi me ngjitje të lehtë grafiku, pëson një kurbë të dukshme rritjeje në vitin 2013, e cila korrespondon me zgjedhjet e përgjithshme Parlamentare, ku jepen 21 750 leje legalizimi.
Pavarësisht numrit relativisht të ulët të lejeve të legalizimit të dhëna përgjatë periudhës 2006-2013, rreth 90% e lejeve të shpërndara gjatë qeverisjes së Berishës i përkasin harkut kohor mes dy fushatave elektorale lokale dhe qendrore të viteve 2011 dhe 2013.
Legalizimet dhe Rama
Pas ndryshimeve politike, në pushtet vjen e majta me kryeministër Edi Rama dhe një nga premtimet kryesore të fushatës elektorale ishte legalizimi falas i banesave. Pas këtij premtimi, rezultoi se falas ishte vetëm hartimi i pjesës së dokumentacionit, ndërsa qytetarët paguan për truallin dhe objektin e ngritur me vlera të ndryshme nga një qark në një tjetër, ndërsa legalizim të plotë falas të objekteve përfituan qytetarët që e kishin ndërtuar banesat në pronën e tyre dhe për këtë dispononin dokumentacion si truall, ose tokë arë.
Shifrat
Në vitin 2014 jepen 15294 leje legalizimi, një vit më vonë, e cila korrespondon me zgjedhjet lokale nga ALUIZN-i (ASHK-ja e sotme) shpërndahen 24 748. Ndërsa në vitin 2016 është dhënë numri i madh i lejeve të legalizimit i të gjitha viteve nga nisja e procesit e deri më tani, duke shpërndarë 48 351.
Pjesa më e madhe e këtyre lejeve gjatë këtij viti është lëshuar përgjatë tre muajve të fundit të vitit 2016, ose gjashtë muaj para se të mbaheshin zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Ishte viti kur ALUIZNI atë kohë drejtohej nga LSI. Fluksi i madh i legalizimeve u shoqërua me shumë abuzime. Ka një seri arrestimesh dhe procedimesh të drejtuesve të ALUIZNI-it në rrethe dhe specialistëve të këtij institucioni, përfshi edhe Hipotekat, gjatë viteve 2016, 2017 dhe 2018. Pjesa më e madhe e abuzimeve u krye kryesisht me objektet tregtare si njësi shërbimi, hotele apo edhe banesa të cilësuara si të palegalizueshme në fazën e parë verifikuese.
Praktika e legalizimeve deri në vitin 2021 përfshinte dy institucione ALUIZNI-n, i cili lëshonte lejet, ndërsa Hipotekat regjistronin dokumentacionin dhe i pajisnin qytetarët me certifikata pronësie.
Ndërkohë, në vitin 2017, vit që korrespondon me zgjedhjet e përgjithshme Parlamentare lëshohen 26 451 leje legalizimesh. Në vitin 2018 sërish ka një rritje me 30 151 leje të dhëna. Përjashtim dhe duket se ka arsye është viti 2019. Në këtë vit jepen vetëm 12 018 leje legalizimi në të gjithë vendin. Edhe pse vit elektoral, pasi në qershor u zhvilluan zgjedhjet lokale, numri i lejeve të legalizimit është shumë i ulët. Fakt është që mazhoranca e kishte të siguruar fitoren, pasi opozita bojkotoi zgjedhjet dhe të 61 bashkitë e vendit u fituan nga mazhoranca, duke i kthyer zgjedhjet në një formalitet zyrtar.
ASHK
Megjithatë nga ASHK, në raportin për indikatorët historik, ka një tjetër shpjegim për uljen drastike të lejeve të dhëna në vitin 2019. “Rënia e theksuar e numrit të legalizimeve në vitin 2019, erdhi si pasojë e miratimit në janar të atij viti të një ndryshimi në Ligjin e taksave vendore, që kushtëzonte legalizimin me pagesën paraprake të taksës së ndikimit në infrastrukturë”, thuhet në reagim.
Në vitin 2020, jepen 20991 leje. Një vit më vonë, e cila përkon me zgjedhjet e përgjithshme Parlamentare, në vend lëshohen 25088 leje legalizimi. Kurba bie ndjeshëm një vit pas zgjedhjeve. Për periudhën 2022 nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës jepen 18 872 leje legalizimi. Ky trend vjen në ulje edhe në vitin 2023 me 10 132 leje legalizimi, ndërsa në vitin 2024 janë dhënë 10791, por pjesa më e madhe e tyre në tre muajt e fundit të vitit 2024.
Krim pa ndëshkim
Ligji përcakton qartë se çdo nëpunës i shtetit në ushtrimin e detyrës së tij duhet të jetë i paanshëm dhe të zbatojë me korrektësi, në germë e frymë, vetëm ligjin. Keqpërdorimi i funksionit shtetëror duke e përdorur pozicionin dhe veprimtarinë shtetërore për qëllime apo favorizime të një subjekti politik apo elektoral është një shkelje e qartë e ligjit, jo vetëm zgjedhor por edhe atij penal. “Në rastin e çertifikatave të pronësisë apo të lejeve të legalizimit, ligji ndalon rreptësisht zyrtarin që në ushtrimin e detyrës së tij për t’i ofruar shërbimin që i takon qytetarit t’i bëjë qoftë edhe një kërkesë në kundërshtim me vullnetin e tij për të marrë pjesë në veprimtarinë zgjedhore të një subjekti zgjedhor, të marrë ose jo pjesë në zgjedhje, të mbështesë ose jo një parti politike ose një kandidat në zgjedhje apo që të votojnë në një mënyrë caktuar. Kjo shkelje adresohet nga ligji penal (neni 328/a i Kodit Penal), i cili parashikon dënim me burg për shkelësin nga një deri në tre vjet”, thotë eksperti i çështjeve zgjedhore, Premto Gogo.
Sipas tij, pranohet që ka raste kur ky shërbim jepet duke e favorizuar qytetarin në ndonjë formë që është në kundërshtim me ligjin. Kjo në këmbim të angazhimit të qytetarit për dhënien e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme në mbështetjen e një kandidati ose partie politike. (korrupsioni pasiv në zgjedhje për të cilën parashikohet dënimi me burg nga një deri në pesë vjet për shkelësin).
“Ky rast është i vështirë që të faktohet e të denoncohet më pas drejt organeve të përkatëse të drejtësisë, pasi ligji penal në një marrëdhënie të tillë ka pasoja ligjore për të dy palët, qoftë ndaj zyrtarit, qoftë ndaj qytetarit. Pikërisht ky rast i veçantë ku ligji shkelet nga të dyja palët, paraqitet qëllimisht në mënyrë të gabuar sikur është përmbajtja e ligjit edhe në rastin e parë, kur qytetarit i takon marrja në mënyrë të rregullt dhe korrekte e lejes së legalizimit dhe çertifikatës së pronësisë, ndërkohë që nuk është kështu”, pohon Gogo.
Kodi Zgjedhor
Nëse do të flitej për periudhën zgjedhore, Kodi Zgjedhor dhe Vendimi 9/2020 i Komisionit Rregullator, përcaktojnë sërish qartë detyrimin për mos-shpërdorimin e autoritetit dhe funksionit shtetëror për të krijuar avantazh elektoral në dobi të një subjekti apo kandidati. Çka do të thotë që sërish zyrtari shtetëror nuk duhet në asnjë rast të kushtëzojë apo krijojë përfitime për qëllime elektorale në këmbim të përmbushjes së detyrës së tij për të pajisur sipas procedurave qytetarin me shërbimin e kërkuar, përfshi këtu edhe lejen e legalizimit dhe çertifikatën e pronësisë. Theksohet se pavarësisht se vendi është në regjim zgjedhor është i natyrshëm vijimi normal i punës prej institucioneve shtetërore përkatëse për të pajisur qytetarët me çertifikatat përkatëse të pronësisë, mjafton që ato të ndiqen sipas të gjitha procedurave dhe kritereve të përcaktuara nga ligji.
“Ajo që ndalohet gjatë kësaj periudhe lidhur me këtë proces është dhënia e këtyre çertifikatave ndaj qytetarëve në veprimtari publike, çka do të thotë në një veprimtari ku janë ftuar edhe qytetarë ose zyrtarë të tjerë, media, etj. Konsiderohet veprimtari publike që nuk lejohet, edhe rasti kur marrja e çertifikatës së pronësisë së qytetarit bëhet personalisht, por aktiviteti dokumentohet vizivisht me foto ose video dhe shpërndahet në media apo në rrjetet sociale, duke pasur kështu si qëllim informimin e publikut rreth saj”, thotë Gogo.
Shkelja
Edhe pse ligji është dukshëm i qartë, rastet e shpërndarjes së lejeve të legalizimit apo certifikatave të pronësisë për banesat e ndërtuara para viteve 1990, nga drejtuesit politik, kryeministri, ministra, drejtues lokal apo drejtues të ASHK-së ishte kthyer në rutinë sidomos gjatë fushatave zgjedhore 2015, 2017 dhe 2021.
Rastet e shpërndarjes së lejeve të legalizimit apo certifikatave të pronësisë për banesat e ndërtuara para viteve 1990, nga drejtuesit politik, kryeministri, ministra, drejtues lokal apo drejtues të ASHK-së ishte kthyer në rutinë gjatë fushatave zgjedhore.
Zonat më problematike
Një nga zonat që u përdor ndjeshëm dhënia e lejeve të legalizimit është në ish-keneta në Durrës. “Jam i bindur që me kryetarin e bashkisë në detyrë sot e në detyrë pas zgjedhjeve, ashtu si kemi përmirësuar infrastrukturën e kësaj zone, do ta kthejmë zonën e Kënetës në një lagje që e meriton të quhet Durrës i Ri”, tha Rama në prill të vitit 2015, pranë kandidatit të tij për Bashkinë Durrës, Vangjush Dako. Ndërsa vetë Dako i cili në atë takim ndante leje legalizimi bashkë me Ramën u shpreh: “Jam shumë i lumtur që pas dy viteve premtim që dhamë në këtë zonë, vijmë sot dhe shpërndajmë 1001 leje”. Pak javë më vonë, kryeministri Edi Rama u shpreh se “ndoshta ishte gabim” shpërndarja e lejeve të legalizimit në periudhë fushate, por “rituali” me shpërndarjen e dokumenteve të pronësisë para dhe në prag të fushatave zgjedhore vijoi.
“Me ndalimin që parashikon Kodi Zgjedhor bëhet i mundur sigurimi i parimit të barazisë në zgjedhje, për të mos i dhënë asnjë përfitim dhe avantazh forcës politike që është në pushtet, apo forcës politike të cilit i përket titullari i institucionit. Në këtë mënyrë tërë avantazhet e mundshme të krijuara në perceptimin publik, lidhur me punën e bërë e që rezulton në përfitimin e marrjes së çertifikatës së pronësisë, lidhen vetëm e vetëm me institucionin shtetëror dhe detyrimin ai ka për t’i shërbyer qytetarit, me korrektësi e shpejtësi sipas procedurave të ligjit”, thotë Gogo.
KQZ
Në rastet e shkeljeve të provuara nga hetimi administrativ që bën KQZ-ja, përveçse në rastet kur ato përbëjnë vepra penale, parashikohen sanksione sipas nenit 171 të Kodit Zgjedhor, duke dënuar me gjoba nga 3,000 deri në 90,000 lekë personat e ngarkuar me detyra sipas ligjit zgjedhor ose me gjoba nga 1,000 deri në 2,500 lekë për gjithë rastet e tjera të shkeljeve të ligjit zgjedhor, të paparashikuara në mënyrë eksplicite.
“Nëse do të flisnim për raste specifike të bëra publike të shpërdorimit të autoritetit shtetëror në funksion të qëllimeve elektorale, mund të sillet rasti i shpërndarjes së çertifikatave të pronësisë në lagjen 5 maji prej Kryetarit të Bashkisë Tiranë z. Erion Veliaj më datën 18 janar 2025; rasti i shpërndarjes së certifikatave të pronësisë në Himarë, përpara dhe pas zgjedhjeve të 4 Gushtit 2024, prej ish-prefektit të Vlorës e më pas Kryetar i Bashkisë Himarë z. Vangjel Tavo së bashku me Kryeministrin Edi Rama e përfaqësues të tjerë politikë të Partisë Socialiste; rasti i shpërndarjes së çertifikatave të pronësisë për banorët e Gosës dhe Spillesë në Kavajë, më datën 13 janar 2023, nga Drejtori i Agjencisë së Kadastrës Shqiptare Artan Lame; rasti i shpërndarjes së lejeve të legalizimit për banorët e njësisë administrative Hysgjokaj të Lushnjës, në datat 28.12.2020 dhe 30.12.2020, nga deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela, etj”, thotë Gogo.
Këto çështje janë referuar si shkelje të Kodit Zgjedhor, por edhe në zbatimin e tij dhe masat administrative që duhet të merren nga KQZ dhe KAS praktika ka treguar se lindi një përplasje mes institucioneve të administrimit zgjedhor.
KAS
Sipas Kodit Zgjedhor, KAS është organi kompetent për shqyrtimin e ankimimeve administrative dhe për vendosjen e sanksioneve për shkelje të ligjit zgjedhor. “Mungesa e ndërveprimit efektiv midis tre organeve Drejtuese në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pra midis Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisionit Rregullator dhe Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, ka bërë që të rriten akoma më shumë divergjencat dhe të kuptuarit e ndryshëm të kuadrit ligjor, duke ndikuar rrjedhimisht në një ligjzbatim të dobët, si dhe duke krijuar ngërçe të panevojshëm e precedentë vendimmarrjeje problematikë”, thekson kreu i KRIIK Albania.
Paqartësia
Kjo paqartësi në qasjen dhe vendimmarrjen organeve të KQZ-së në raport me adresimin e shpërdorimit të funksionit publik dhe burimeve shtetërore, ka bërë që veprimtaria e paligjshme e zyrtarëve shtetërorë të vazhdojë, përfshirë këtu edhe procesin e legalizimit dhe të dhënies së çertifikatave të pronësisë, për shkak edhe të mungesës të informacioneve zyrtare mbi veprimtarinë e brendshme të institucioneve, si dhe të denoncimeve që lidhen me procedurat e kundraligjshme të ndjekura prej tyre.
Proçes i pambyllur
Edhe pse procesi i legalizimeve ka 19 vite që ka nisur, mijëra qytetarë ende nuk janë pajisur me leje legalizimesh, ndërsa presin edhe fushatat zgjedhore që të përfitojnë dokumentacionet e pronësisë për banesat, trojet ose tokë arë, sepse koha dhe faktet kanë treguar se pikërisht në këtë periudhë ka një “lëshim dore”.