Nga Boldnews.al
Rreth 11 vjet pas operacionit masiv anti-kanabis në Lazarat të Gjirokastrës, tashmë fshati do të shndërrohet sërish në parcel të lëndës narkotike. Por, kësaj radhe, me lejen e kryeministrit Edi Rama.
Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, miratoi në 6 mars 2025 listën e parcelave, ku do të lejohet kultivimi i kanabis-it për qëllime industrial.
Harta e parcelave shtrihet gjerësisht nga Veriu në Jug të Shqipërisë, nga zonat e Postribës dhe Gruemirës, në Dukagjin, e deri në fshatra të tërë, në Delvinë, në kufi me Greqinë.
Mes hapësirave që kryeministri Rama do të lejojë mbjelljen e lëndës narkotike, përfshihet edhe Lazarati.

Fshati jugor shqiptar ka qenë për shumë vite një ndër qendrat kryesore të kultivimit, por sidomos magazinimit të lëndës narkotike.
Qeveria “Rama 1” vendosi të ndërhynte forcërisht në Lazarat, me forca të shumta policore e armatime të rënda.
Pas disa ditë operacioni, Policia zbuloi tonelata lëndë narkotike dhe arriti të arrestonte vetëm të moshuarat e të moshuarit e pamundur, që jetonin në fshat. Një numër i konsiderueshëm trafikantësh, të cilët llogariteshin në rreth 100 të tillë, arritën të largoheshin në kohë nga Lazarati, nën dyshimet se ishin njoftuar paraprakisht nga strukturat policore.
Pas operacioni në fshatin jugor, fara e kanabizimit u përhap në të gjithë Shqipëri, duke arritur kulmin në vitet 2015-2016. Përgjatë atyre dy viteve, thuajse në çdo hapësire të vendit gjendeshin parcela gjigante kanabisi, të cilat rritën ndjeshëm edhe trafikimin e lëndës narkotike drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Ndërkohë, fshati që konsideroj dikur “simbol i kanabisit” u la në harresë.
Pas operacionit policor, kryeministri Edi Rama deklaroi shpesh se Lazarati do të “rilindë” me Rilindjen e tij politike, do të ndërtoheshin shkolla, rrugë, ujësjellësa dhe banorëve do t’u hapeshin perspektiva të reja.
Edhe Ministri i Brendshëm i kohës, Saimir Tahiri, deklaronte në atë kohë se “banorët e Lazaratit do të kuptojnë që ky është një mundësi e re jetese dhe për t’i çliruar nga fati kriminal që kishin përcaktuar për këtë zonë një pjesë e mirë e politikës dhe ca banditë, që ditën bënin shërbimet e politikës dhe natën ato të krimit”.

Për një ironi të fatit, Saimir Tahiri u dënua vite më pas për “shpërdorim detyre”, pasi u gjet përgjegjës për lejimin e kanabizimit të të gjithë Shqipërisë gjatë kohës që ishte në krye të Ministrisë së Brendshme.
Nga ana tjetër, premtimet e Ramës, Tahirit, por edhe qeverive pasardhëse të Rilindjes, janë tretur dhe Lazarati nuk e ndjeu “rilindjen” e premtuar.
Në mungesë të projekteve domethënëse, Rama dhe ministrat e tij, kanë vendosur që t’i japin mundësi zhvillimi Lazaratit pikërisht kultivimin e lëndës narkotike. Por, kësaj radhe, me leje qeveritare.