Mungesa e tregut dhe çmimi i ulët i shitjes së mollëve ka detyruar fermerët e fshatit Zvirinë në Devoll që t’i presin pemët.
Në një intervistë për CNA, fermeri Skënder Nurka ka thënë se nuk ka leverdi që të merret më me këtë tregti. Fermeri tha se ka mbetur prodhimi dhe pse molla është cilësore.
Si zgjidhje të vetme për këtë situatë, fermeri shikon largimin dhe fajtor për këtë bën strukturat drejtuese të vendit.
“Dhjetëvjeçare është, e vogël. Nuk shkojnë, s’ka çmim. Për çfarë t’i mbaj? S’ke leverdi, pesticidet, plehrat janë katastrofë. Molla nuk shkon. E pres, të pres kokën? Djalin nuk e kam, çupën jo, 65 vjet, në pension dola. Ngeli prodhimi, kam akoma mollë për të shitur. Mollë cilësore, e gjithë Shqipëria kështu është. Të lot truri i kokës, të shikosh qepën njëherë. Kam edhe bahçen tjetër, gjersa të iki e unë gjëkundi. Çfarë të bësh këtu? Rrohet këtu. 200 mijë lekë pension, maksimalisht.
Pagova sigurimet tani të 2016, 70 mijë lekë kamatvonesë. Të këputet shpirti, jemi lindur e jemi rritur me këto. Kam mbaruar agronom në ’79. Me këtë jam marrë tërë jetën, me këtë jam ushqyer dhe unë dhe babai dhe djali. Djali iku në Itali ka 3 vjet. Ç’të bëjë këtu? Çfarë faji kemi ne? Faj kemi dhe për ata hajdutët që na vjedhin atje lart, na rrjepin të gjallë që kokën hëngërshin”, u shpreh fermeri.