Në një periudhë mjaft të errët për Milanin vjen një lajm i mirë për kuqezinjtë. Tijjani Reijnders ka rinovuar sot kontratën e tij me klubin kuqezi duke e çuar tashmë fundin e saj në vitin 2030.
Reijnders, i afruar si një goditje e rëndësishme në vitin 2023, është kthyer shpejt në një nga emrat më të rëndësishëm të skuadrës, një titullar i pazëvendësueshëm në mesfushë me një rol vendimtar në të dy fazat e saj.
Kur firmosi dy vite më parë, ai siguroi një rrogë prej 1,7 milionë eurosh në sezon. Tashmë rroga e tij do të jetë 3,5 milionë euro në sezon plus bonuse, një dyfishim i menjëhershëm i përfitimeve të lojtarit, për të shmangur tundimin nga klube të tjera.
“Jam krenar që rinovova pas një viti e gjysmë, është si të jem në një familje. Pres me padurim sezonet e ardhshme. Milani është si shtëpia ime e dytë, jam i lumtur. Është një moment i vështirë, duhet të bëjmë mirë që të jemi më të fortë. Duhet të vazhdojmë të besojmë te ajo që po bëjmë”, tha mesfushori duke dalë nga klubi pas firmës me kuqezinjtë.















