Nga Boldnews.al
Gjykata e Apelit Administrativ ka rrëzuar kërkesën e kompanisë së mikrokreditit, “Final” shpk, për rikthimin e licensës së aktivitetit, e cila iu hoq nga Banka e Shqipërisë pas shpërthimit të skandalit financiar, vitin e kaluar.
Pronari i arrestuar i “Final”, Arben Meksuti, kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit që të shfuqizonte vendimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe t’i rikthehej licensa, nën argumentin se masa e marrë ndaj kompanisë së tij ishte ekstreme dhe e papërligjur.
Por, kjo kërkesë është refuzuar pak ditë më parë nga trupa gjykuese e shkallës së dytë, pasi u konstatua se padia është ngritur nga një person, i cili nuk e ka këtë tagër.
Shoqëria “Final” është nën sekuestro me vendim të Gjykatës së shkallës së parë Tiranë dhe ajo administrohet nga përfaqësuesi i Agjencisë Shtetërore të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Ligji për shoqëritë tregtare parashikon se tagrin për përfaqësimin e kompanive me palë të treta, përfshirë edhe në çështjet gjyqësore, e ka administrator. Në rastin konkret, padia është ngritur nga pronari Meksuti dhe jo nga administratori i caktuar nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara.
Në këto kushte, Gjykatat e të dyja shkallëve kanë konstatuar të meta në ngritjen e padisë dhe, përfundimisht, kanë vendosur të mos pranojnë kërkesën për rikthimin e licensës së “Final”.
Skandali i mikrokredive
Në maj të vitit 2024, Prokuroria e Tiranës lëshoi 9 urdhër-arreste për administratorët e subjekteve financiare dhe përmbaruesve në lidhje me skandalin e mikrokredive.
Prej urdhër-arresteve, 5 prej tyre janë masa të sigurisë “arrest në burg”, ndërsa katër të tjera janë masa e sigurisë “Arrest në Shtëpi”.
Më konkretisht, në kuadër të operacionit të koduar “Liability-3” është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit Aldo Daka, 35 vjeç, Albert Gega, 36 vjeç, Edmond Mato, 51 vjeç dhe Arben Meskuti , 46 vjeç, të gjithë banues në Tiranë;
Ndërkohë është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetaset K.S., 36 vjeçe, Elda Ibro, 42 vjeçe, Alketa Tanushi, 39 vjeçe, dhe Jorsida Dervishi, 35 vjeçe, të gjitha banuese në Tiranë.
Urdhër-arrestet u lëshuan në lidhje me kallëzimin penal të bërë në vitin 2020 nga Ministria e Drejtësisë ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre.
“Boldnews.al” ka konsultuar vendimin e gjykatës së Tiranës, në të cilën prokurorët kanë zbërthyer skemën e mashtrimit, me një dëm, i cili llogaritet në mbi 7 milionë euro.
Në Shtator të vitit 2019, Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Përmbarimit ngritën një grup pune për të administruar dosjet e përmbaruesve privatë, të cilët u ishte hequr licensa për shkelje të ndryshme.
Ky proces administrativ zbuloi fakte dhe te dhëna për cënimin e interesave financiare të mijëra personave nga veprimtaria e paligjshme e 3 shoqërive përmbarimore, një institucioni financiar jo-bankar, një zyrë avokatore, një noteri dhe disa persona të tjerë.
Pas këtyre gjetjeve, Ministria e Drejtësisë dorëzoi kallëzim penal ndaj subjekteve “Micro Credit Albania”, “ADCA”, “SHP Zig”, “FS”, FLASH”, si edhe administratorëve të tyre.
Një hetim i thelluar, i cili kërkoi kohë për shkak të veprimet tejet specifike, krijoi bindjen se gjithçka është ndërtuar mbi një skemë mashtruese.
Ndërkohë, në fund të vitit 2024, ky rast hetimor i kaloi për kompetencë Prokurorisë së Posaçme, pasi dyshohet se skemë përbën një rast tipik të grupit të strukturuar kriminal.
Beteja e dështuar për rikthimin e licensës
Në 23 Maj 2024, Banka e Shqipërisë revokoi licensën e kompanisë së mikrokreditit, “Final” shpk, pas zbulimit të skemës mashtruese nga Prokuroria e Tiranës.
Arben Meksuti i “Final”, nga ambjentet e paraburgimit, në Gusht të vitit 2024 e ankimon vendimin në Gjykatën e Apelit Administrativ, duke u përfaqësuar nga një mbrojtëse ligjore.
Në Tetor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit ia riktheu padinë, për shkak të të metave të konstatuara. Sipas Gjykatës së Apelit, padia duhej ngritur nga administrator dhe jo pronari.
Pronari Meksuti, nëpërmjet avokates, i kërkon zyrtarisht administratorit të caktuar nga Agjencia e Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara që të legjitimojë padinë në emër të shoqërisë “Final” shpk.
Administratori shtetëror ia përcjellë këtë kërkesë Komitetit Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar.
Ky Komitet, në Tetor 2024, konstaton moskompetencën për shqyrtimin e kësaj kërkese dhe ia rikthen çështjen sërish Agjencisë së Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Arben Meksuti nuk ishte dakord me vendimin e Komitetit dhe e ankimon pranë Gjykatës Administrative të shkallës së parë, Tiranë.
Ndërkohë që kjo ankesë për Komitetin ishte ende në pritje të shqyrtimit, nga ana tjetër po avanconte shqyrtimi i themelit të çështjes në Apel, pra ajo ku Meksuti kërkonte rikthimin e licensës.
Në javën e tretë të Shkurtit 2025, Gjykata e Apelit Administrativ, pasi konstatoi se padia është ngritur nga pronari dhe jo nga administratori, vendosi përfundimisht që të refuzojë kërkesën e kompanisë “Final” për rikthimin e licensës.