Juristi Ylli Manjani ka deklaruar se ecuria e procesit në lidhje me kryebashkiakun e Tiranës nuk duhet të ketë ngarkesa personale, as nga ana e prokurorisë dhe as nga kryebashkiaku.
Manjani u shpreh se e kishte dëgjuar audion e seancës gjyqësore dhe kishte objeksionet e tij.
“Duket sikur ka një ngarkesë personale më shumë sesa emocionale, sepse kemi në mes edhe episodin e lejes së ndërtimit. Sigurisht, prokurori ta gëzojë, por kjo çështje ka pikëpyetje që kërkojnë një investigim. Ndaj dhe unë i sugjerova miqësisht Dumanit që të kishte një qëndrim, sepse përveçse është prokuror, është edhe drejtues,” tha Manjani.
Lidhur me prokurorin Ols Dado, ai tha se nuk e njeh personalisht, por nga komunikimi i deritanishëm duket qartë se ka një ngarkesë personale në këtë çështje.
“Këtu nuk është halli as të shpëtojmë Ols Dadon, as të mbrojmë Erion Veliajn. Këtu është fjala për atë që ndodh në gjithë botën: edhe sikur të kesh vetëm dyshimin, pra vetëm dyshimin që një njeri po të sulmon personalisht, atëherë drejtësia normale merr masa. Prandaj janë shpikur rregullat e etikës dhe antilogjisë. Kjo ndodh në çdo profesion,” theksoi ai.
Sipas Manjanit, vetë Ols Dado duhet të ishte i interesuar të mos ishte pjesë e këtij procesi, ndësa shtoi se një proces i drejtë kërkon paanësi nga të gjitha palët.
“Unë nuk e njoh personalisht, por kjo duhej të kishte ndodhur kështu.
Nëse një prokuror demonstron ngarkesë personale, nuk është për atë punë. Të vërtetën do ta ndihmonte situata kur këtë çështje ta merrte një prokuror tjetër,” përfundoi ai.
Juristi Manjani tha se ka dëgjuar audion e gjyqit dhe sqaroi se në zbardhje përfshihet vetëm fjala e personit që ka të drejtën e fjalës, jo ajo që flitet në sallë nga të tjerët në sfond.
“Këtë audion e kam dëgjuar tani vonë, por e kam dëgjuar. Ka fjalë murmurirëse jashtë mikrofonit, sepse ato nuk zbardhen. Sekretarja, kur e zbardh, shkruan vetëm fjalët që thuhen në mikrofon nga personi që ka të drejtën për të folur. Fjalët që thuhen në sfond nuk zbardhen në asnjë rast, edhe sikur të thuhen fjalë kriminale. Duhet të kuptoni dallimin mes audios dhe asaj që shkruhet,” shpjegoi ai.
Manjani u shpreh se një term i përdorur gjatë procesit është problematik.
“Mjafton dhe kjo që ‘s’ke turp. Tani ça domethënë, s’ke trup. Po s’ka trup, tani ai është në burg. Turpi duhet të ketë zyrtari i shtetit, zyrtari publik. Nuk përmendet fjala ‘turp’, sepse nuk jemi në gjykatë morali aty,” tha ai.
Sipas Manjanit, kryebashkiaku i Tiranës duhet të fokusohet në procesin gjyqësor dhe jo në përplasjet publike.
“Veliajt do t’i sugjeroja të bënte ballafaqim gjyqësor dhe jo ballafaqim publik, pasi kjo i ka rënë për hise. Gjithsesi, kjo i takon atij dhe avokatëve të tij. Duke folur për interesin e publikut dhe jo të turmës, duhet të them se për interesin publik duhet të na interesoje e vërteta,” theksoi Manjani në Euronews Albania.