Janë publikuar “exit poll-et” e para pas mbylljes së procesit të votimit për zgjedhjet parlamentare që u mbajtën sot në Gjermani. Ashtu siç pritej, vendi i parë nuk ka surpriya, ku CDU/SCU parashikohet që të ketë marrë 29% të votave.
Në vendin e dytë renditet partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) me 19.5% të votave. Siç duket ata kanë dyfishuar votat, pasi në vitin 2021 arritën të merrnin vetëm 10% të votave.
Ndërkohë, SPD në pushtet e kancelarit Olaf Scholz vjen e treta me 16% të votave dhe “Të Gjelbërit” në vendin e katërt me 13.5% të votave.
Sa u përket partive më të vogla, Partia e Majta ndoshta do ta kapërcejë pragun prej 5 % dhe do të hyjë në parlament. Ndërsa për partinë liberale FDP me kandidatin kryesor Christian Lindner dhe Aleancën Sahra Wagenknecht (BSW) nuk është ende e sigurt nese do të arrijnë të hyjnë në Bundestag, pra të kalojnë pragun prej pesë përqind.
Pra sipas sondazheve, kandidati për kancelar, Friedrich Merz dhe kristian demokratët e tij kanë një epërsi të padiskutueshme. Nëse konfirmohen këto shifra, nuk është e qartë nëse ai mund të formojë një koalicion vetëm me një parti tjetër, Social Demokratët. Gjithçka mund të varet nga fakti nëse njëra nga partitë e tjera hyn në parlament apo jo. Nëse i duhet të gjejë një palë të tretë, mund të marrë kohë.
Sipas mediave gjermane, pjesëmarrja e votuesve ka shkuar rreth 84%, dhe kjo rezulton të jetë pjesëmarrja më e larta në votime që nga viti 1990.
Exit poll-et bazohen në anketat e votuesve që sapo kanë hedhur votën e tyre në qindra qendra votimi përfaqësuese. Ato priren të jenë relativisht të sakta.
59.2 milionë gjermanë kishin të drejtë të votojnë në këto zgjedhje, rreth 1.2 milionë më pak se në vitin 2021. 30.6 milionë janë gra dhe 28.6 milionë janë meshkuj. 2.3 milionë të rinj kishin të drejtë vote për herë të parë duke përbërë 3.9% të të gjithë votuesve. Pas reformës zgjedhore, numri i deputetëve është kufizohet në maksimumi 630 deputetë. Bundestagu do të ketë më shumë se 100 anëtarë më pak pasi aktualisht janë 733 deputetë.
Në zgjedhje morën pjesë 29 parti, dukshëm më pak se në zgjedhjet e fundit të vitit 2021, kur u pranuan 47 parti. Numri i kandidatëve për deputetë është 4506, dukshëm më i ulët se zgjedhjet e vitit 2021, atë kohë ishin 6211.
Janë 5 kandidatë për kancelar dhe nuk ka pasur kurrë kaq shumë në Gjermani. Friedrich Merz (CDU) kandidon për Unionin, kancelari, Olaf Scholz për SPD dhe Robert Habeck për të Gjelbrit. AfD ka emëruar Alice Weidel, kurse Aleanca Sahra Wagenknecht, BSW ka emëruar kandidate për kancelare, Sahra Wagenknecht.