Partia “Shqipëria Bëhet”, në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, ka zhvilluar ditën e djeshme një takim me qytetarët e Kurbinit.
Sekretari i Përgjithshëm i “Shqipëria Bëhet”, Elton Laska, gjatë fjalës së tij ka deklaruar se Kurbinin e kanë kthyer nga një qytet industrial me fabrika, uzina e jetë, në një fjetinë pa jetë, ku qytetarët nuk gjejnë punë dhe nuk marrin shërbime
Më tej, ai ka theksuar dhe se Kurbini ësht i vetmi qytet në Shqipëri, ku nuk ka një kopsht publik me drekë, pavarësisht se ligji e detyron bashkinë për ta ofruar këtë shërbim. Laska ka përmendur dhe mbylljen e Prokurorisë, Gjykatës, Kadastrës, shërbimit të provës.
Elton Laska, para qytetarëve të Kurbinit ka treguar dhe se çfarë premton “Shqipëria Bëhet” për qytetin e tyre.
Fjala e Elton Laskajt me banorët e Kurbinit
“Unë kam dalë në këtë skenë që kur isha 6 vjeç e në vazhdim disa herë, por kurrë nuk e kam parë më të bukur se sot. Faleminderit që na jeni bashkuar në këtë bashkëbisedim.
Pasi mbarova studimet e larta, u ktheva për të jetuar këtu ku u linda dhe u rrita. Shikoja shumë gjëra që nuk shkonin në qytetin tonë; protestoja, shkruaja artikuj të tipit “Ne nuk jemi skiftera, por jemi pasardhësit e Papa Klementit”.
Bashkë me disa aktivistë, themelova Qendrën Rinore Sebastia, ku nisëm të kërkojmë demokraci, transparencë dhe mirëqeverisje.
Protestuam për të mbrojtur trashëgiminë tonë kulturore, si Ura e Milotit, dhe pas 3 vitesh shkresa, ankesash e peticionesh, ia dolëm që ta detyrojmë qeverinë për të pasur një ndërhyrje emergjente, por prapë zgjidhje përfundimtare nuk ka.
Qyteti ynë, nga një qytet industrial me fabrika, uzina e jetë, e kanë kthyer në një fjetinë pa jetë, ku qytetarët nuk gjejnë punë, nuk marrin shërbime; në çdo zyrë të shtetit ka korrupsion; arsimi është në nivelin më të ulët që nga koha e analfabetizmit. Jemi i vetmi qytet në Shqipëri ku nuk ka një kopsht publik me drekë, pavarësisht se ligji e detyron bashkinë tonë për ta ofruar këtë shërbim; prapë jemi të fundit edhe në Shqipëri.
Këta specialistët na mbyllën gjykatën, prokurorinë, shërbimin e provës, kadastrën; i hoqën të gjitha që patën mundësi, sepse kanë një urrejtje gjenetike për këtë qytet. Por vetëm Kishën e Shën Ndout nuk mundën dhe nuk do të mundin dot të na e heqin, se e kanë provuar edhe para 60 vitesh etërit e tyre që ta bëjnë, por nuk ia kanë dalë, sepse Zoti është me ne.
Qeveria turke investoi mbi 40 milionë euro duke ndërtuar një lagje model, por çfarë po bën qeveria dhe bashkia jonë? Pasi i shpërndau apartamentet mes plot akuzave për korrupsion, u mori edhe votën në 2023 dhe prapë po u bën presion se nuk do t’u japim certifikatat nëse nuk na votoni në 2025. Si të mos mjaftonte kjo, njësitë e bizneseve i mbajnë të mbyllura dhe nuk ua shpërndajnë, sepse duan t’u marrin votat dhe ndonjë lek, siç e kanë zakon.
Të gjitha këto arsye më bënë të mendoj: çfarë po bëj unë për qytetin tim? Çfarë po arrij? A po ndryshoj gjë? Të ardhura kam nga puna, por a mjafton kjo? Nëse më bie të shkoj te spitali, si do ta zgjidh? Fëmijët e mi po rriten dhe po mendoja: a do të pranojnë ata të jetojnë me mua në Shqipëri me këto që po i ofron Shqipëria? Nëse ata do të emigrojnë, a duhet të emigroj edhe unë më mirë sot se nesër? Se fundja, të gjithë familjen me pasaporta amerikane e kam.
Por jo, vendosa të themeloj bashkë me kolegët Lëvizjen “Shqipëria Bëhet” dhe të përballemi me të keqen. Vendosëm prioritet votën e diasporës; i dërguam propozimin tonë 140 deputetëve për të miratuar këtë projektligj, por asnjëri nuk e pranoi për ta miratuar. Rama dilte dhe thoshte se kjo nuk realizohet, sepse nuk kemi regjistër të diasporës sonë. Shkuam cep më cep të botës, mblodhëm 21 mijë firma dhe ia dolëm ta detyrojmë parlamentin që ta miratojë. Sot jemi përpara jush!
Dhe unë dua të përqendrohem se cili është vizioni ynë për Kurbinin dhe qarkun e Lezhës.
E para, nëse ne do të marrim mbështetjen tuaj, Kurbini do të shpallet zonë e lirë ekonomike, duke e bërë atraktiv për investitorët që duan të vijnë e të hapin fabrikat e tyre këtu.
Do të kthejmë menjëherë gjykatën dhe institucionet që meriton t’i ketë qyteti ynë.
Do të investojmë në arsim cilësor; brenda dy viteve, 5% të PBB-së, duke bërë të mundur që fëmijët tanë të hanë drekën dhe t’i bëjnë mësimet në shkollë.
Do të zbatojmë programin “Shtëpia ime, familja ime”, ku çdo çift që krijon një familje të re ka mundësinë për të blerë shtëpi me kredi vetëm 1%.
Do të zhbëjmë sistemin korruptiv dhe burokratik të kadastrës, duke ia kaluar të drejtat e certifikimit zyrave të noterëve publikë.
Do të ndryshojmë kodin penal, duke shpallur korrupsionin e zyrtarëve të lartë si tradhti të lartë kombëtare dhe dënimin e saj me 25 vjet burg dhe konfiskimin e të gjithë pasurisë së rrjedhur nga korrupsioni.
Për të arritur të gjitha këto dhe shumë të tjera që kemi në programin tonë, na duhet mbështetja juaj.”