Një prej personave të njohur të botës së krimit në Fier, 51-vjeçari Arben Isufaj nga fshati Sheq i Madh, i njohur ndryshe si “Ben Qimja”, është shpallur në kërkim, pasi akuzohet se ka kërcënuar me jetë gjyqtarin e Gjykatës së Fierit, Vladimir Cjapi.
Ka qenë vetë magjistrati Vladimir Cjapi, ai i cili ka depozituar kallëzimin në Prokurorinë e Fierit më 17 Shkurt, teksa pretendon se Ben Qimja e ka kërcënuar më 12 shkurt të këtij viti.
Gjykata e Fierit ka firmosur urdhër-arrestin ndaj Arben Isufajt dhe vendimin për të ushtruar kontroll në disa banesa, ambiente dhe automjete të tij.
Policia e Shtetit bën me dije se “Ben Qimja” nuk është gjetur në banesë dhe është shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Nga kontrolli i ushtruar nga RENEA në banesat dhe ambientet e Arben Isufajt, autoritetet bëjnë me dije se kanë gjëtur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një palë targa të huaja, jelek multifuksional si i Policisë, 2 pajisje DVR, 6 celularë dhe dokumenta zyrtarë.
“Në zbatim të vendimit të datës 19.02.2025, të Gjykatës së Fierit, Policia e Fierit dhe “RENEA” kanë kryer kontrolle në banesa, ambiente dhe automjete, në pronësi të shtetasit A. I., 55 vjeç, banues në lagjen “Sheq i Madh”, i cili është kallëzuar në Prokurorinë e Fierit, nga një gjyqtar i Gjykatës së Fierit, për kanosje të kryer më datë 12.02.2025. 55-vjeçari është shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Me qëllim hetimin e plotë të rastit, Policia ka sekuestruar sende që do t’i shërbejnë hetimit, si dhe ka shoqëruar shtetas të lidhur me shtetasin A. I..” – thuhet në njoftimin e autoriteteve.
Policia e Fierit thotë po kryhen kontrolle intensive për kapjen e 55-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të tij, për këtë rast që ka cenuar për shkak të detyrës, një anëtar të Gjykatës së Fierit
Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Kush është Arben Isufaj i njohur si “Ben Qimja”?
I konsideruar si “i forti” i Fierit, Arben Isufaj ka pasur jo pak probleme me drejtësinë, ndërsa ka qenë edhe në kërkim ndërkombëtar.
Më 7 shkurt të vitit 2020, Operacioni Forca e Ligjit i dërgoi një letër Arben Isufajt, ku i kërkohej të justifikonte pasuritë që kishte nën zotërim. SPAK vendosi nën sekuestro pasuritë e Ben Qimes më 7 tetor 2021. Ndërsa më 3 Maj 2023, GJKKO vendosi konfiskimin e tyre dhe kalimin në favor të shtetit.
Arben Isufaj ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge, i cili arriti që të shmangte ekstradimin e tij në vendin fqinj në vitin 2014, teksa është përsonazh i lakuar për një sërë ngjarjesh kriminale.
Një vendim i Gjykatës së Fierit, i janarit 2009, ekspozon pushtetin dhe reputacionin kriminal që Arben Isufaj, që arriin t’u drejtojë armën funksionarëve të policisë. Për këtë ngjarje u dënua me gjobë. Në vendim sqarohet se, më 27 maj 2007, shefi i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë, Fier, Luan Hysenaj, së bashku me dy vartës të tij kanë shkuar në një objekt, që po ndërtohej dhe kanë kërkuar shoqërimin e Ahmet Isufajt, xhaxhait të Arben Isufajt, pasi ai kërkohej nga Prokuoria e Durrësit. Ai ka refuzuar që të shkojë, duke pretenduar se e kishte mbyllur çështjen. Në vendngjarje ka mbërritur edhe shefi i Luftës Kundër Krimit të Organizuar dhe forca të tjera, policore. Nga ana tjetër ka mbërritur i armatosur Arben Isufaj.
“Nuk e shoqëron dot ti, se erdhi Ben Qimja”, – i është drejtuar shefit të Krimeve një nga personat, që kishte qenë së bashku me Ahmet Isufajn. Ndërkohë, Arben Isufaj i ka thënë funksionarit të policisë: “Lëshoje, se ti hodha zorrët në tokë!”.
Në vendim thuhet se, Ben Qimja i ka drejtuar pistoletën edhe shefit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar, i cili po ashtu ka nxjerrë pistoletën për t’u vetëmbrojtur. Arben Isufaj dhe xhaxhai i tij, janë larguar me një automjet, ndërsa policia ka vijuar t’i ndjekë, por pa ja arritur. Afro dy vjet pasi kishte ndodhur ngjarja, Gjyqtarja e Fierit, Lindita Sinanaj, pavatësisht se konstaton që vepra është e rëndë dhe nuk ka rrethana lehtësuese, i dënon të dy autorët me gjobë. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, Isufaj është dënuar vetëm me 800 mije lekë gjobë. Xhaxhai i tij me 66.667 (më pak se 700 Euro).
Xhaxhai i Isufaj ka gjithashtu një të shkuar të pasur kriminale. Në vitin 2006 ai është vendosur nën akuzë për prodhim dhe shitjes se narkotikeve. Por, një vit më vonë, prokuroria e Durrësit, ndërsa ka cuar për gjykim, gjithë bashkëpunëtorët e tij, për Ahmetin ka vendosur të pushojë hetimet. Pesë vite më pas, në 2011, Ahmeti është arrestuar nga Prokuroria e Prishtinës me akuzën e pjesëmarrjes në krimin e organizuar dhe trafikut të drogës. Pasi ka zbutuar masën e sigurisë në detyrim paraqitje, ky i fundit është larguar nga Kosova, për tu arrestuar në Shqipëri për llogari të drejtësisë kosovare. Ai është ekstraduar në Kosovë në janar 2021, për krim të organizuar dhe trafik droge.
Arben Isufaj u akuzua nga Prokuroria e Tiranës për vrasjen e Pirro Koçiut në vitin 2002, por gjykata e nxorri të pafajshëm.
Gjithashtu, ekziston një vendim i Gjykatës së Torinos për Isufajn të vitit 2010, për trafik droge dhe si pjesëmarrës në organizatë kriminale. Bazuar në kërkesën e ekstradimit nga Italia, Isufaj u arrestua në mars të vitit 2014, dhe Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurimit “Arrest në burg” ndaj tij, masë që u la në fuqi dhe nga Apeli. Por Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i drejtuar nga Aleksandër Muskaj, dhe me anëtarët Edmond Islamaj, Shkëlzën Selimi, Artan Zeneli dhe Tom Ndreca, në 2 korrik të vitit 2014, konkludoi se Gjykata e Tiranës nuk e kishte kompetencën për shqyrtimin e ekstradimit të Arben Isufajt dhe kaloi dosjen në Fier.
Gjykata e Fierit hoqi masën e sigurisë, duke “refuzuar” në këtë mënyrë kërkesën e autoriteteve italiane për ekstradimin e tij.
Prokuroria e Përgjithshme kërkoi atëherë inspektim dhe vlerësim të procedurave, që janë ndjekur për vendimmarrjen dhe lirimin e Isufajt. Sipas prokurorisë, vendimi për mos-zgjatjen e afateve të masës “Arrest në burg” për Isufajn ishte i pabazuar në ligj dhe në prova dhe cenonte marrëdhëniet e besimit të mirë dhe të reciprocitetit të institucioneve shqiptare me shtetet e huaja.
Por, pasi vendimi i Gjykatës së Fierit u konfirmua nga Gjykata e Apelit në Vlorë dhe Gjykata e Lartë, ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë, vendosi arkivimin e ankesës së Prokurorit të Përgjithshëm, duke mos evidentuar shkelje ligjore.
Të pestë gjyqtarët e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që gjykuan ekstradimin e Arben Isufajt u përjashtuan nga sistemi gjyqësor nga procesi i vetting-ut.
Gjykata e Apelit të Torinos rrëzoi akuzën për krijim të organizatës kriminale dhe la në fuqi akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Rrëzimi i njërës prej akuzave nga Gjykata e Apelit të Torinos u përdor si argument nga gjykatat shqiptare për të rrëzuar kërkesën e prokurorisë për ekstradimin e Isufajt. Pasi Gjykata e Fierit i hoqi masën e sigurisë duke e lënë të lirë, vendosi edhe mos lejimin e ekstradimit të tij.