Tirana pa që t’i ikte nga “duart” fitorja në derbi ndaj Partizanit, teksa pësoi gol në fund. Një triumf që do vlente më shumë se 3 pikë për bardheblutë, që nuk po zhvillojnë një sezon pozitiv.
Për “tymnajën” e derbit të luajtur në “Arenën e Demave”, ku nuk munguan kartonat e kuq apo edhe përplasjet, foli drejtori sportiv i Tiranës, Agim Ibraimi, në një intervistë në News 24.
Ibrahimi thotë se derbi u zhvillua në “Arenën e Demave” për shkak të mungesës së stadiumeve teksa klubi i Tiranës është vendosur në plan të dytë nga FSHF në momentet kur Kombëtarja ka ndeshje për të zhvilluar.
Më pas, drejtori i bardhebluve është ndalur tek tensioni në prag të sfidës dhe në përfundim të saj. Ibraimi ashtu si klubi i Partizani vuri në dukje vonesat e Policisë së Shtetit. Ai tha se kishte edhe mungesë kontrolli në rrugë.
Pse nuk u zhvillua ky derbi në Arenën Kombëtare? Ne jemi munduar që edhe ndeshje të tjera t’i zhvillojmë në “Arenën Kombëtare”, por e favorizuar ka qenë kombëtarja. Duhet të qartësohemi sa i takon kësaj, pasi në shumicën e rasteve jemi në plan të dytë. Duke parë mungesën e stadiumeve, duhej të zhvillohej në “Arenën Kombëtare”. Mesa kam parë unë dhe mbikëqyrësi i fushës, ka thënë se nuk është fusha gati dhe se rregullohet për ndeshjen e përfaqësueses, që luan në mars. Ne na lajmëruam dy ose tre ditë para.
A kishit ju një kërkesë specifike për zhvillimin e këtij derbi në “Arenën e Demave”? Nuk kishin marrëveshje. Do donim të kishim më shumë tifozë, kjo do ishte kërkesa jonë.
Kush ishte fajtor në këtë histori, kush dështoi?
Kishte vonesa dhe rrugët ishin të bllokuara. Unë nuk e di si organizohen këto ndeshje, duke marrë parasysh se është derbi më i madh në Shqipëri, vëmendja duhet të jetë më e madhe. Kontrolli duhet të ishte më i madh në rrugë.
Frikë për përshkallëzimin e situatës? Duke marrë parasysh situatat e kaluara, nuk kishim frikë, edhe pse rrugët ishin të mbushura me tifozë të Partizanit. Fakt është se situata mund të ndryshojë nga situata, ndoshta edhe ndonjë provokim apo ngacmim ndaj autobusit tonë. Mund të ndodhë që të bëhemi gafë e mediave jo vetëm vendase, por edhe të huaja. Ato mezi presin që të shkojë keq dhe të thonë, që jemi kthyer vite mbrapa.
Çfarë ndodhi në ato minuta kaosi në fund? Unë edhe gjatë karrierës kam qenë aktiv në situata të tilla. Jam miq me të gjithë, por në fushë mbroj atë që është e imja. Provokimi i lojtarit të Partizanit krijoi një situatë jo të pëlqyer, arbitri i pa vetë gjërat se si nisën. Nuk më pëlqeu rasti, pasi ne shumë shpejt na u dhanë katër kartona të kuq.
Ndaj unë u revoltova me arbitrin. Pastaj u krijua rrëmujë, unë kapa Taipin dhe e largova nga ajo zona. Këto janë gjëra që ndodhin.
A i druheni një dënimi nga Komisioni i Disiplinës? Nuk besoj se unë mund të dënohem! Për pasoja nuk e di, do ndikojnë në ndeshjen e radhës. Ata janë vendimmarrës për këtë zgjedhje, i kanë videot. Unë mendoj se për ata që kanë qenë aktorët e problemit, le të merren masa. Marku u ndëshkua me karton të kuq pa bërë asgjë, dua të di çfarë ka ndodhur. /News24