Që pas intervistës së fortë të Arben Ahmetajt për Çim Pekën, emri i pasardhëses së tij, zv/kryeministres Belinda Balluku, është vënë në qendër të vëmendjes duke u rankuar në vendin e parë pas Edi Ramës, në klasifikimin e akuzave të kundërshtarëve të kësaj qeverie.
Ndryshe nga sa pranohej më parë, se Erion Veliaj mbante pozitën e delfinit në piramidën e pushtetit rilindas, Balluku po zë gjithnjë e më shumë hapsirë dhe peshë brenda organizatës. Ahmetaj tha se ajo kontrollon drejtpërdrejt 5 ministra duke u nisur me atë të Mbrojtjes, Piro Vengu, të Brendëshëm, Ervin Hoxha dhe ministrin e Financave Petrit Malaj, të cilët i përmendi me emër.
Akuza e dytë ishte se ajo ka ngritur një skemë të ngjashme me atë që eksperimentuan drejtorët e bashkisë së Tiranës, të cilët kaluan më shumë se 30 milionë euro nga paratë publike në kompaninë e tyre private 5D. “Edhe Balluku ka 5B e saj” tha Ahmetaj.
Si u rrit pushteti brenda Rilindjes
Pikërisht për tu thelluar mbi këto dy konstatime Lapsi.al është interesuar në majat e pushtetit rilindas. “Po është e vërtetë që fuqia e Belindës është bërë e papërballueshme. Unë kam qenë prezent kur e kam parë Taulant Ballën -atëherë ishte ende ministër rendi- të rrinte gatitu para saj. E kam parë edhe arrogancën për ti mbyllur gojën Veliajt gjatë një mbledhjeje me videokonferencë”, tha në kushtet e anonimatit një burim brenda PS.
Ai vazhdoi: “Ajo po përdor fuqinë që i ka deleguar Rama. Kur njerëzit filluan të kenë frikë të firmosin, se mos përfundonin në burg, ajo i doli garant kryeministrit se do të gjente kamikazë. Në këtë periudhë u emëruan ministri i financave dhe i mbrojtjes. Plus kësaj Rama nuk ka më nerva të merret me punët e përditshme. Ai kontrollon lejet e kullave dhe koncesioneve të mëdha. Ai komandon një linjë paralele, atë të oligarkëve, përfituesve të mëdhej dhe i kushton shumë kohë mardhënieve ndërkombëtare. Gjërat rutinë ia ka kaluar të gjitha zv kryeministres. Drejtorët dhe ministrat japin llogari tek ajo. Kjo e ka fryrë jashtë normales pushtetin e Belës” sqaroi për Lapsi.al i njëjti burim.
Skemë e ngjashme me atë të Veliajt
Ndërsa për akuzën e dytë, atë se ajo ka ngritur skemën 5B të ngjashme me atë të bashkisë së Tiranës, faktet janë më publike. Reth dhjetë muaj më parë SPAK i vuri prangat njeriut të saj më të besuar, në sektorin ku ishin investuar shuma kolosale parash, atë të rrugëve. Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, u arrestua për korrupsion dhe pastrim parash duke iu sekuestruar edhe pasuritë. Akuza ndaj tij, e ngjashme me atë të 5D-së, ishte se kishte ngritur një kompani ku kalonte paratë e tenderave që tenderonte vetë.
A ishte ky një rast i vetëm? Po ti besosh një investigimi të redaksisë të emisionit “Plug”, bindesh se jo. E njëjta metodë dyshohet se është përdorur edhe nga Blendian Dalipi, drejtor i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë. Sipas investigimit të disa javëve më parë, Dalipi kishte përdorur kompaninë IDK Konstruksion të të atit të tij, Bajram Dalipi, përmes të cilës ka përfituar rreth 30 milionë euro punë publike që kur socialistët kanë ardhur në pushtet në vitin 2013. Po sipas investigimit, një pjesë e madhe e tyre janë dhënë nga institucione që kanë qenë në vartësi të Belinda Ballukut.
Pra, skema e “të ngrënit të kumbllave dhe dardhave” ka ekzistuar po njësoj edhe në institucionet e drejtuara nga zv/Kryeministrja, madje nga njerëzit e saj më të afërt.
Eshtë vështirë të kuptohet nëse Arben Ahmetaj e vuri emërtimin 5B, për mënyrën e njëjtë si funksiononte kanalizimi i parave publike tek njerezit e Belindës, apo thjeshtë për kontrollin e 5 ministrave të qeverisë ashtu si 5 drejtorët e bashkisë Tiranë. Por një gjë është e qartë: në një qeveri të korruptuar, është e vështrirë të flasësh për pastërtinë e njeriut që kontrollon afro 2/3 e buxhetit.
Pse u ngrit vala e re e sulmeve?
E megjithëatë një pyetje mbetet: asnjë nga këto fakte nuk është i ri, atëherë përse fortuna kundër Ballukut u ngrit tani? Ndonëse nuk servirin asnjë provë për të mbështetur tezën e tyre, disa burime nga PS pohojnë njëzëri për një marëveshje të fshehtë të Veliajt me Ahmetajn e arratisur. Ashtu sikurse u pa gjatë intervistës së fundit Ahmetaj e ridimensionoi tepër qëndrimin ndaj Veliajt. Ai tha se Rama e kishte urdhëruar për inceneratorin e Tiranës, duke e kaluar peshën kryesore të fajit tek kryeministri, ai pohoi se nuk do të donte ta shihte kryebashkiakun në burg, por të hetuar në gjendje të lirë, madje hodhi farën e shantazhit mbi protestat e opozitës të së premtes, duke dëshmuar se disa protestues paguhen nga Belinda kundër Erionit. “Teoria konspirative që qarkullon brenda disave prej nesh është se ka një marëveshje në distancë mes Veliajt dhe Ahmetajt. I pari e furnizon me të dhëna dhe suport të dytin që të vazhdojë shantazhin ndaj Ramës, të cilin ky e quan si përgjegjës për arratinë e tij. Në këmbim, Beni bën aq sa mundet për ta transferuar mërinë e publikut nga Lali tek Bela”, tha burimi i Lapsi.al, pa servirur ndonjë fakt konkret për këtë.
Armiqtë e tjerë branda llojit
Por, nga ana tjetër, lufta vëllavrasëse me Veliajn, nuk është halli i vetëm që Balluku ka brenda partisë. Ajo ka bërë shumë armiq. Një nga ta është ministri i Lulturës dhe Ekonomië Blendi Gonxhe. Një mjeshtër i fushatave që nga vitet 2000 në bashkinë e Tiranës, ai u caktua si shef elektoral i qarkut Dibër, të cilin e drejtonte Belinda përpara se Rama ta caktonte në Fier.
Por, kur Gonxhe nisi të fillonte punën në terren, ai e kishte të pamundur. Takimet kur nuk dështonin ishin të zbehta. Me kalimin e ditëve ai kuptoi se pas kësaj fshiheshin njërëzit që kishte vendosur në funksione Belinda, që vazhdonte ti komandonte edhe pse ishte larguar nga ky qark.
Edhe më keq e pësoi Erion Braçe, socialisti i vjëtër të cilin rilindsja e re e flaku si kalli të kalbur nga fushat e Myzeqesë. Ashtu si dhe Gonxhen, Rama u detyrua ta caktojë Erionin në fushatën elektorale të Tiranës.
Përpos këtyre dy rasteve Balluku ka qenë mjaft e ashpër edhe me kryetaren e kuvendit Spiropali, për tolerimet që, sipas saj, i janë bërë opozitës në drejtimin e seancave të kuvendit. Lapsi.al i ka raportuar këto përplasje të cilat më pas u konfirmuan edhe publikisht nga vetë të pranishmit në mbledhje.
A ka dalë nga kontrolli i Ramës?
Radha e atyre që kënaqen nga goditjet që merr zv kryeministrja është e gjatë. Por dilema që shtrohet është pse ajo vijon të ketë mbështetjen e Ramës edhe kur bën gjëra pa miratimin e tij? Mirë psh. kur godet Elisën, për llogari të tij, po pse shefi nuk i thotë ndal në raste si ato të Gonxhes apo të Braçes?
Burimi ynë ka një spjegim: “Rama i ka dhënë aq shumë pushtet, i ka lënë dorë në aq shumë fonde, i ka dorëzuar kontrollin e aq shumë njerëzve, sa tani, pak javë para nisjes së fushatës e ka të vështirë ta kundërshtojë Ballukun për detaje të vogla. Ai shpesh i hap rrugë asaj edhe pa dëshirë. Kjo s’do të thotë aktualisht se Belinda ka kontrollin, larg asaj, por ama se përkohësisht Rama nuk ka mbi të fuqinë e plotë që ka mbi të tjerët. Them përkohësisht sepse pasi të fitojë zgjedhjet e 11 majit besoj do të jetë ndryshe. KM-ja nuk e duron dot që dikush të mbledhë shumë fuqi rreth vetes. Këtë e ka dëshmuar gjithnjë. Siç përdori Belën kundër Lalit, dikush tjetër do vijë pas zgjedhjeve për të shfryrë atë, më shumë sesa u shfry fizikisht”.
Me sa duket, deri sa të mbërrijë ajo ditë, Belinda Balluku nuk do të goditet vetëm nga Berisha që në sintoni me Ahmetajn e ngre dhe e ul si “lubi”. Sulmet do jenë të koordinuara edhe nga vëllezërit e saj armiq. Sepse pushteti i tepërt prodhon automatikisht të tillë.
/Lapsi.al