Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, “sakrifikoi” kryeministrin e tij në përpjekje për të qetësuar protestat që kanë përfshirë qytete të shumta në Serbi, duke përbërë një sfidë të madhe për pushtetin e tij dhjetëvjeçar, shkruan New York Times.
Kryeministri Millosh Vuçeviç, një aleat i ngushtë i Vuçiçit dhe lideri de jure i Partisë Progresive Serbe, njoftoi dorëheqjen e tij me arsyetimin se nuk dëshironte të “rriste më tej tensionet në shoqëri” vetëm disa orë pasi Vuçiç kërkoi një “rikompozim të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës të qeverisë”.
Vuçiç, i njohur për aftësinë e tij për të manovruar në një skenë politike thellësisht e polarizuar dhe si balancues midis Rusisë dhe Perëndimit, ka një histori të gjatë të eleminimit të aleatëve të tij dhe të nxjerrjes jashtë loje të partive opozitare. Kundërshtarët e tij kanë pasur vështirësi ta sfidojnë në zgjedhje, por janë bashkuar me protestat e drejtuara nga studentët, shkruan New York Times.
Nuk është ende e qartë nëse dorëheqja e kryeministrit do t’i shuajë protestat apo do t’i intensifikojë ato më tej. Këto protesta u nxitën nga zemërimi publik pas vdekjes së 15 personave në një aksident në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor.
Studentët, të cilët prej javësh po bllokojnë fakultetet, u mblodhën përpara selisë së partisë në pushtet në Novi Sad. Muri i ndërtesës së partisë u mbulua me grafite me mbishkrime si “Vrasës” dhe “Hajdutë”. Protestat vazhduan edhe në qytetin e Nishit.
Vuçiç premtoi të përmbushë një nga kërkesat kryesore të studentëve publikimin e kontratave dhe dokumenteve të tjera të lidhura me rindërtimin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit, një projekt i kryer nga një kompani kineze dhe nënkontraktorët e saj.
Shumica e kërkesave fillestare të studentëve janë përmbushur, përfshirë ndjekjen penale të përgjegjësve për katastrofën dhe shkarkimin e ministrave që mbikëqyrën projektin, përfshirë ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës si dhe ministrin e Tregtisë, shkruan New York Times.
“Vuçiç po përpiqet të fitojë kohë, duke pritur që protestat të shuhen”, tha analisti politik Dragomir Andelković, i cili mbështet studentët. Ai shtoi se protestat do të vazhdojnë, pasi dorëheqja e kryeministrit është vetëm një “përpjekje për mashtrim të ri”, thuhet në shkrim.
Kriza politike në Serbi, ku dhëndri i ish-presidentit Donald Trump, Jared Kushner, ka punuar për një marrëveshje për ndërtimin e një hoteli luksoz të Trump-it në qendër të Beogradit, po krijon një dilemë për administratën e re amerikane.
Nën presidencën e Joe Biden, SHBA ka tentuar ta tërheqë Vuçiçin nga partneriteti tradicionalisht i ngushtë i Serbisë me Rusinë. Megjithatë, opozita serbe e ka kritikuar administratën amerikane për një qëndrim tepër të butë ndaj Vuçiçit.
Politika e Biden ka sjellë disa rezultate, përfshirë një marrëveshje të fshehtë për shitjen e gati 1 miliard dollarëve municione dhe armë serbe për Ukrainën, si dhe mbështetjen e Serbisë për rezolutat e OKB-së që dënojnë pushtimin rus, shkruan New York Times.