Shëndetësia publike deklarohet se është falas, por ajo po bëhet gjithmonë e papërballueshme. Të qenit i sëmurë me kancer duket se është më shumë një mallkim social, sesa një diagnozë mjekësore.
Që nga momenti i diagnostikimit, një pacient në Shqipëri duhet të përballet me një labirint burokratik dhe mungesë shërbimesh që e shndërrojnë trajtimin e një sëmundjeje të rëndë në një udhëtim të pafund drejt dëshpërimit.
Kur 21 ditët bëhen 3 muaj
Protokollet e deklaruara nga QSUT tingëllojnë bukur në letër: ekzaminimi brenda 21 ditësh, përgjigjet pas një jave dhe e gjithë procedura brenda katër javëve.
Por, siç duket nga realiteti, ky “perfeksion” mbetet një utopi për pacientët që detyrohen të presin me muaj të tërë për një skaner. Një paciente, e cila pret të jetojë me një diagnozë të rëndë, rrëfen se ka pritur tre muaj për një ekzaminim që pretendonte të ishte “i planifikuar”. Në këtë periudhë, sëmundja ndoshta ka përparuar, ndërsa shpresa është venitur.
Spitalet publike: Kur CD-ja bëhet biznes
Në një shekull të teknologjisë, QSUT nuk arrin të sigurojë disqe për skanerin apo rezonancën. Mungesa ka krijuar një biznes privat brenda mureve të sistemit publik, ku pacientët detyrohen të blejnë një CD për 500 lekë, shumëfish më shtrenjtë nga sa kushton realisht. Ky është një shembull grotesk i një sistemi që ka lejuar korrupsionin dhe mungesat e menaxhimit të hyjnë në çdo nivel.
Analizat: Një luks i papërballueshëm
Pacientët me kancer përballen me një ironi therëse: analizat që duhen bërë çdo gjashtë muaj nuk ofrohen në spitale publike për shkak të mungesës së solucioneve. Shteti, i cili supozohet të jetë mbrojtësi i qytetarëve të tij, i kthen këta njerëz drejt spitaleve private, ku çmimet janë jashtë mundësive të shumicës.
Një paciente, e cila ka mposhtur kancerin e gjirit, rrëfen se ka një vit pa bërë analiza, pasi shteti nuk i ofron. Kjo mungesë jo vetëm që rrezikon shëndetin e saj, por është një dëshmi e dhimbshme e një sistemi që ka hequr dorë nga pacientët e tij.
“Analizat që duhet të bëj çdo 6 muaj, shteti nuk mi ofron, pasi më thonë se mungon solucioni”- thote me shqetësim një paciente, e cila ka mposhtuar kancerin e gjirit. 55-vjeçarja tregon se ka 1 vit pa bërë analizat, pasi në spitalet private janë të kushtueshme, ndërsa sa herë që drejtohet tek spitali Onkologjik, merr përgjigjen që ende nuk është mundësuar solucioni.
Mjekët: Mes dëshirës për të ndihmuar dhe mungesës së mjeteve
Mjekët në Shqipëri shpesh punojnë në kushte që lënë shumë për të dëshiruar. Shefja e Onkologjisë, Silvana Çeliku, shprehet për përmirësime në shërbimin onkologjik, por realiteti i përditshëm tregon të kundërtën.
Çeliku thote se: “Njerëzit duhet të kenë besim te strukturat shëndetësore, pasi është një staf i jashtëzakonshëm që lufton, pavarësisht mungesave, kushteve jo ideale që mund të punojë një mjek”. Çeliku shton se sot ka përmirësim të shërbimit që nga pritja që iu bëhet pacientëve, që në kontaktin e parë më mjekun e deri të trajtimi që do t’i jepet”.
Por, realiteti është se mjekët ankohen për mungesë ilaçesh, ndërsa pacientët mbeten të pasigurt nëse do të marrin trajtimin e duhur.
Si mund të luftosh një sëmundje kaq të ashpër kur edhe armët më bazike mungojnë?
Për specialistin e Institutit të Shëndetit Publik Alban Ylli, shteti duhet të pregatitet të harxhojë shumë para për trajtimin e kancerit, për të patur pak përfitime.
“Çdo vit futen medikamente të reja, kompanitë punojnë, por në 5 vitet e ardhshme nuk pritet ndonjë revolucion për këtë sëmundje”.
Ylli nënvizon se sistemi shëndetësor nuk është përfekt, por ka përmirësim dhe përpjekje, trajtim më të mirë dhe kapje në kohë më të hershme.
Mjekët gjithashtu ngrenë shqetëismin edhe të mungesës së ilaçeve, si pasojë e problemeve me tenderimin.
Mjekja onkologe Anila Pema thotë se: “Ka edhe medikamente të lira, por janë në mungesë dhe nuk mund të zëvendësohen. Kemi linja të para, akoma të pambuluara. Jemi në dilemë përpara pacientit që t’i themi se cila është më e mira apo çfarë ne mundemi”.
Deri në momentin kur nuk marrin shërbim dinjtoz, kur ka mungesa të medikamenteve, nuk ofrohen analizat, qytetarët do vazhdojnë të mos kenë besim te sistemi shëndetësor në vend. Një pjesë e tyre do të detyrohen t’i drejtohen spitaleve private me një kosto të lartë trajtimi ose jashtë vendit. Ndaj duhet të bëhet më shumë nga shteti për sistemin shëndetësor, spitalet publike, në mënyrë që mjekët të kenë të gjitha kushtet për të ofruar shërbimin e tyre, mos të largohen nga Shqipëria dhe pacientët të marrin trajtimin që meritojnë.
Në fund të ditës pacientët që nuk mund të përballojnë spitalet private mbeten viktima të një sistemi që i ka harruar. Për ata që kanë mundësi, trajtimi jashtë vendit bëhet alternativa e fundit, duke i kthyer kufijtë në një vijë ndarjeje mes jetës dhe vdekjes. Mjekët, nga ana tjetër, largohen drejt vendeve ku puna e tyre vlerësohet dhe ku dinjiteti i profesionit ruhet.