Ankimet e ushtruara në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA nga ana e Komisionerëve Publikë, prej së martës më 14 janar do të ndiqen nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. Në fillim të seancës publike për çështjen e gjyqtarit të Gjirokastrës, Arben Dosti, kryesuesja e trupit gjykues, Natasha Mulaj deklaroi se ishte vendosur kalimi i kompetencave të Komisionerëve tek drejtuesi i SPAK-ut.
Në vijim, Mulaj bëri me dije se anëtarët e trupit gjykues ishin njohur pranë isntitucioneve ligjzbatuese me informacionet që kanë të bëjnë me figurën e Dostit. Ashtu si dhe në seancat e mëparshme, Dosti kërkoi sërish të martën që t’i jepej mundësia që të njihej me informacionet për figurën, duke e cilësuar këtë kriter më të rëndësishmin. Ai theksoi se nuk i intreson të njihet me burimin e informacioneve, por vetëm me informacionin që të ketë mundësi edhe për të mbajtur qëndrim. Dumani vërejti se kjo kërkesë nuk ishte pranuar më parë nga ana e trupit gjykues.
Gjyqtari Dosti dha sqarime për tre denoncime që iu la detyrë seancën parardhëse për të përgatitur qëndrim. Ai solli në vëmendje të Kolegjit se dy prej çështjeve janë duke u shqyrtuar ende në Apel, ndërsa një në Gjykatën e Lartë.
Lidhur me denoncimin e parë për zvarritje të gjykimit, Dosti shpjegoi se i kishte kërkuar gjykatës gjithë procesverbalet e seancave ku përshkruhet dhe shtyrja. Ai sqaroi se gjykata nuk ia kishte vendosur në dispozicion, por nga sistemi online kishte arritur të dispononte thuajse gjithë procesverbalet. Dosti deklaroi se shtyrjet ishin kryer për arsye procedurale, si në rastin e seancës së pajtimit, kur posta nuk ka arritur të njoftojë palët, si dhe për mospraninë e avokatëve. Subjekti pohoi se kishte caktuar masa ndëshkimore për avokatët kryesisht dhe i kishte zëvendësuar ata. Ai theksoi se shtyrjet janë bërë vetëm për shkaqe procedurale, që nëse nuk do të kryeshin do ta bënin procesin të paligjshëm. Sipas subjektit, vendimi ishte marrë brenda 8 muajve.
Dosti dha shpjegime dhe për ecurinë e dy çështjeve të tjera të denoncuara nga publiku, duke pretenduar se nuk ka asnjë shkelje procedurale apo të objektit.
Për disa akte që Dosti tha se nuk kishte arritur t’i marrë nga gjykatat lidhur me këto çështje, kërkoi investimin e KPA.
Gjyqtarja Albana Shtylla solli në vëmendje të subjektit se një prej denoncuesve kishte bashkëlidhur dy vendime. Dosti tha se kishte kaluar kohë nga viti 2021 dhe nuk i kujtohej mirë, duke kërkuar që t’i jepej mundësia t’i shqyrtonte aktet. Megjithatë, ai shpjegoi se bëhej fjalë për një problematikë të mbërritur në Apel nga Shkalla e parë dhe se trupi gjykues ku bënte pjesë gjendej në pamundësi absolute që të gjykonte çështjen me palë 9 bashkëpronarë, pasi nuk arrihej të realizohej njoftimi i tyre apo i avokatëve.
Për një denoncim të mbërritur të hënën, Dumani tha se nuk ishte përshkruar shkelja e pretenduar, si dhe nuk përmbante fakte apo rrethana për hetime të mëtejshme.
Dosti në vijim paraqiti dhe aktin e gjendjes gjyqësore të lëshuar nga autoritetet greke, me vulë apostile.
Gjithë aktet e dorëzuara nga subjekti në funksion të parashtrimeve të tij për denoncimet, si dhe dokumenti i lëshuar nga autoritetet greke për gjendjen e tij gjyqësore u administruan nga Kolegji, ndërsa aktet për të cilat Dosti kërkoi investimin e gjykatës u konsideruan të panevojshme.
Seanca e radhës u shty për më datë 27 janar, ora 11:00.
Dosti u konfirmua në detyrë më 3 dhjetor 2021, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ai kishte dhënë shpjegime të mjaftueshme për barrën e provës lidhur me balancën financiare negative të konstatuar gjatë hetimit paraprak në shumën 36.4 milionë lekë për shkak të të ardhurave të padokumentuara, për të cilat subjekti pretendon se i ka kursyer nga emigracioni në Greqi, nga bashkëpunimi me një shoqëri tregtare, si dhe nga shitja e një lokali në pronësi të nënës, të gjitha të përfituara para fillimit të detyrës. Po ashtu Komisioni rrëzoi raportin negativ të DSIK-së, si dhe gjetjet për profesionalizmin nuk u konsideruan penalizuese.
Vendimi i KPK u ankimua nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa i cili çmoi se nuk u provua burimi i ligjshëm i të ardhurave të Dostit përpara fillimit të detyrës, si dhe se ai nuk arrin nivel të besueshëm për profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës./BIRN