Mjekët palestinezë njoftuan të mërkurën për dhjetëra të vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës ndërsa bisedimet për një armëpushim të mundshëm vazhduan në Katar dhe forcat izraelite gjetën trupin e të paktën një pengu në një tunel në afërsi të Rafahut.
Punonjësit mjekësorë palestinezë thanë se një sulm ajror izraelit shkaktoi vdekjen e të paktën 10 personave në një shtëpi shumëkatëshe në lagjen Sheik Raduan, në qytetin e Gazës, dhe 10 të tjerë u vranë në pjesë të tjera të qytetit.
Në Deir Al-Balah, qytet në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, ku qindra mijëra palestinezë të zhvendosur po strehohen, dhe në Xhabali, kampin më të madh të refugjatëve nga tetë kampe të tilla në Gazë, shtatë persona u vranë, sipas tyre.
Ushtria izraelite tha se ka goditur militantët e Hamasit, të cilët po vepronin në një ndërtesë shkolle në kampin e Xhabalisë dhe theksoi se ndërmori masa për të minimizuar rrezikun ndaj civilëve.
Shifra të tilla viktimash janë bërë përditshmëri në Gazë, ku rreth 46,000 palestinezë janë vrarë gjatë luftimeve 15 muajshe të Izraelit ndaj Hamasit, sipas zyrtarëve shëndetësorë në këtë territor.
Ndërkohë që Izraeli po vazhdon bombardimet, Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti po bëjnë përpjekje intensive për të arritur një marrëveshje armëpushimi. Një burim pranë bisedimeve vlerësoi se përpjekjet aktuale janë përpjekjet më serioze të bëra deri më tani për të arritur një marrëveshje.
Administrata aktuale amerikane ka bërë thirrje për një përpjekje të fundit për arritjen e një marrëveshjeje para largimit të Presidentit Biden dhe shumë në rajon e shohin inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump më 20 janar si një afat jozyrtar për arritjen e saj.
“Gjërat janë më mirë se në të kaluarën, por ende nuk ka marrëveshje”, i tha një burim agjencisë Reuters.
I dërguari i posaçëm i zotit Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff tha gjatë orëve të vona se shpresonte që do të ketë lajme të mira për pengjet izraelite deri në ditën e betimit të zotit Trump si president. Një marrëveshje do të përfshinte edhe lirimin e palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite.
Ndërkohë që vazhduan bisedimet të mërkurën, forcat izraelite njoftuan se kanë gjetur trupin e pengut beduin Youssel Al-Ziyadna dhe prova të cilat sugjerojnë se edhe djali i tij, Hamza, që u mor peng në të njëjtën ditë, mund të ketë vdekur.
“Do të vazhdojmë të bëjmë çdo përpjekje për t’i kthyer pengjet, të gjallë apo të vdekur”, deklaroi Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përmes një deklarate.
Spitalet nën kërcënim
Organizata bamirëse Mjekët Pa Kufij paralajmëroi se tre spitale në Gazë janë buzë kolapsit për shkak të mungesës së karburanteve. Mbyllja e tyre rrezikon jetën e qindra pacientëve dhe të foshnjeve, sipas saj.
Izraeli mohon se po pengon futjen e ndihmave humanitare në Gazë dhe thotë se po lehtëson shpërndarjen e ndihmave nga qindra kamionë me ushqime, ujë, ilaçe dhe tenda.
Izraeli e filloi operacionin në Gazë pas sulmit të Hamasit ndaj vendbanimeve izraelite me 7 tetor të vitit 2023, që shkaktoi vdekjen e 1,200 personave dhe gjatë të cilit militantët morën 250 pengje, sipas të dhënave izraelite.
Luftimet në Gazë kanë shkatërruar pjesën më të madhe të enklavës. Shumica e 2.1 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur disa herë dhe ata po përballen me mungesë të vazhdueshme ushqimesh dhe ilaçesh, sipas organizatave humanitare.
Të mërkurën, Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Shoqata e Hënës së Kuqe thanë se shiu i rrëmbyeshëm dhe vërshimet kanë kapluar tendat e familjeve të zhvendosura, duke i mbushur deri me 30 centimetra ujë. “Ato mezi po mbijetojnë pa gjërat më bazike, siç janë batanijet”, sipas organizatave.
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëra-tjerin për bllokimin e marrëveshjes për armëpushim dhe lirimin e pengjeve duke mos bërë lëshime për kushtet e vendosura, duke i dështuar të gjitha përpjekjet gjatë këtij viti.
Të martën, Hamasi këmbënguli ndaj kërkesës së tij, duke thënë se do t’i lirojë pengjet e mbetura nëse Izraeli pajtohet t’i jap fund luftës dhe të tërheqë të gjitha forcat e saj nga Gaza. Izraeli thotë se nuk do t’i japë fund luftës deri në shkatërrimin e Hamasit dhe deri në lirimin e të gjitha pengjeve./ VOA