Në rrugicat e vogla të qytezës së Krumës më së shumti sheh të lëvizin persona të moshës së tretë. Kryeqendra e Hasit është prekur vitet e fundit nga largimi i shumë të rinjve. Një pjesë e tyre ende kultivojnë dëshirën për ta ndërtuar jetën diku jashtë Shqipërisë. Megjithatë nuk mungojnë as ata të rinj që besojnë se ëndrrat mund të realizohen edhe në vendin e tyre, mjafton të kenë një dorë që iu zgjatet.
Në gjimanzin “Skënderbeu”, i vetmi në qytezën në veri – lindje të Shqipërisë, programi i UPSHIFT ka mbërritur si një rreze drite.
Një grup vajzash 16-vjeçare kanë punuar mbi dy projekt – ide, të cilat shpresojnë që t’i realizojnë sa më parë.
UPSHIFT, një program i UNICEF, po mbështet potencialin e këtyre vajzave të reja për të krijuar ndryshime reale dhe të prekshme në jetën dhe komunitetin e tyre duke i pajisur me aftësi thelbësore si zgjidhja e problemeve, kreativiteti, bashkëpunimi dhe udhëheqja.
Një mini-kinema dhe një dhomë muze ishin projektet që një grup gjimnazistesh ëndërrojnë t’i sjellin në jetë. Konkretisht, grupi Shqiponjat synojnë të ndërtojne një mini-kinema, ndërsa grupi Plisat ëndërrojne krijimin e një dhome muzeu, ku do të ekspozojnë trashёgiminё e të parëve të tyre dhe traditat shumë vjeçare, që vijojnë të ruhen me fanatizëm edhe sot e kësaj dite.
Fitues u shpall projekti i grupit Plisat, por guximtaret e grupit Shqiponja nuk heqin dorë lehtë nga ëndrra e tyre!
Plisat
Nxënësja 16-vjeçare e grupit Plisat tregon se ideja lindi nga “mungesa e një muzeu që më parë e kishim, por tani kemi vetëm rrënojat e tij”.
“Ishin emocione të papërshkueshme”- tregon ajo për momentin kur kuptoi se projekti i tyre ishte zgjedhur për tu realizuar.
Teksa intervistonin banorët e qytetit, vajzat u habitën nga dëshira e madhe që u tregua për hapjen e dhomës muze, madje gjetën edhe mbështetje për ta pasuruar me më shumë materiale që tregojnë për historinë e kuksianëve.
Sofër (tavolinë e vjetër), tabëll duhani janë vetëm disa nga objektet të cilat u janë premtuar nga banorët.
“Gjatë intervistimit me komunitetin, ato shfaqën interes të madh për këtë dhomë muze dhe na thanë që do na ndihmonin me materiale të ndryshme që i përkisnin paraardhësve të tyre”- tregon ajo.
Puna ka nisur dhe së shpejti dhoma muze do “flasë” për historinë e traditat e tyre.
“Kemi punuar mirë deri tani, por nuk e kemi përfunduar akoma dhe nuk kemi një datë fikse se kur do ti hapim dyert. Kemi hapur dhe faqe në rrjete sociale me emrin “Etnos.museum”- tregon ajo e emocionuar për arritjen e tyre.
Shqiponjat
Edhe pse projekti i tyre nuk u shpall fitues, mini-kinemaja do hapë dyert shumë shpejt falë vajzave luftarake të Hasit.
Një 16-vjeçare, pjesë e grupit Shqiponjat, tregon e bindur se projekti i tyre do vijë në jetë dhe ato nuk do heqin dorë derisa të shohin frutet e punës së tyre.
“Edhe pse nuk fituam, ne kemi kërkuar ndihmë nga administratori i Tirana Business University, Këshilli Vendor Rinor dhe Bashkia Has, dhe na është premtuar se do na ndihmojnë”- tregon 16-vjeçarja.
Të palëkunduara në idenë e tyre, ato tregojnë se në janar do nisin punën për të sjellë në jetë mini-kinemanë.
Çfarë është konkretisht programi UPSHIFT?
UPSHIFT është një program i UNICEF-it që ndihmon të rinjtë dhe adoleshentët e margjinalizuar të bëhen sipërmarrës kreativë dhe socialë përmes trajnimeve, duke u mundësuar atyre të fitojnë një kuptim më të thellë të problemeve të komunitetit, të hartojnë zgjidhje përmes zhvillimit të një produkti ose shërbimi dhe më pas ta çojnë këtë sfidë sociale drejt realizimit.
Duke i pajisur të rinjtë me aftësi thelbësore si zgjidhja e problemeve, kreativiteti, bashkëpunimi, udhëheqja dhe komunikimi, UPSHIFT i përgatit ata të marrin përgjegjësinë për të tashmen dhe të ardhmen e tyre si sipërmarrës, punonjës dhe qytetarë globalë.
UPSHIFT përdor si metodologji “Human Centre Design” për të ndërtuar mbi pasionet e të rinjve dhe për t’i kthyer ato në veprim dhe arritje.
Në Shqipëri, UPSHIFT ka filluar të zbatohet që në vitin 2020 dhe deri më tani janë arritur:
– 24 Bootcamps (Kampet ose punëtoritë ku kanë marrë pjesë mbi 240 grupe dhe rreth 1200 të rinj)
– 13 bashki përfituese
– 98 projekte të udhëhequra nga të rinjtë të financuara
– 1.429 shkolla të përfshira
– Mbi 10,000+ të rinj të përfshirë në zbatimin e projekteve në komunitet, inovacion dhe sipërmarrje
– UPSHIFT si një program i akredituar për mësues në sistemin arsimor para universitar.
Metodologjia e UPSHIFT është përshtatur nga UNICEF për të mbështetur të rinjtë të dizenjojnë projekte që lidhen me tematika si:
– Parandalimi i trafikimit të qenieve njerëzore
– Drejtësia miqësore për fëmijët (zbatuar pranë Institutit për të Mitur Kavajë)
Nga Anduela Laçi në bashkëpunim me UNICEF