Në Shqipëri, pesha në PBB e arkëtimeve nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore është mw pak se gjysma e mesatares së vendeve të BE-së për 2023. Sipas drejtuesve të shoqatave të bizneseve, nëndeklarimet nxiten nga niveli i lartë i tatimit për të ardhurat personale. Bizneset kërkojnë të mbështeten me taksim më të ulët për pagat, në të kundërt sipas tyre, rrezikohet të mbeten në rrethin vicioz të ekonomisë informale.
Administrata tatimore pritet të vijojë me hetimin në terren, për subjektet e identifikuara me risk, nëse prej tyre nuk do të korrigjohen as të dhënat e listë-pagesës për muajin nëntor (afati për dorëzim është data 20 dhjetor 2024).
Në të kundërt, subjektet e identifikuara me risk do të përjashtohen nga hetimi tatimor në terren. Kontrolli do të kryhet nga grupi “Task Force”, që ka në përbërje punonjës të administratës tatimore dhe Inspektoratit të Punës.
Në fillim të muajit dhjetor, nga administrata tatimore u evidentuan 7 mijë subjekte me risk, pas përpunimit të të dhënave për 37,3 mijë biznese, në kuadër të fushatës kundër informalitetit në tregun e punës.
Përpunimi i të dhënave me modul risku për 37,331 biznese nisi pas datës 20 nëntor 2024 dhe në fillim të muajit dhjetor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikoi rezultatet.
Këto subjekte u identifikuan me risk në fushën e informalitetit të pagave, pas rezultateve të arritura nga analiza e të gjitha listë-pagesave të deklaruara, në muajin tetor 2024, të cilët nuk reaguan pavarësisht njoftimit të parë.
Tatimet dërguan për ta një njoftim të dytë, këtë herë të personalizuar, për t’u dhënë atyre mundësinë e dytë dhe të fundit për të reaguar, në të kundërt do të jenë objekt kontrolli dhe monitorimi në zbatim të Ligjit 9920/2008, ‘Për Procedurat Tatimore në RSH’, i ndryshuar dhe Ligjit Nr. 7961, datë 12.7.1995 ‘Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë’ i ndryshuar”.
“Çdo biznes që deklaron pagat saktë nuk duhet të shqetësohet nga kjo fushatë. Qasja jonë do të jetë sa më klinike, duke hetuar vetëm ato sipërmarrje që dalin nga moduli i riskut.
Qëllimi i kësaj fushate mbetet rritja e kontributeve shoqërore për të mundësuar rritjen e pensioneve”, – deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, z. Ilir Binaj, në një takim me bizneset për skemën e sigurimeve shoqërore, pensioneve dhe rëndësinë e deklarimit real të pagave, ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama dhe ministra të qeverisë.
Aksioni kundër informalitetit të pagave nisi nga data 1 Tetor 2024, fillimisht me një fushatë ndërgjegjësuese. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se nëpërmjet një mesazhi të personalizuar u njoftuan 130 mijë biznese të regjistruara deri në fund të shtatorit 2024, me qëllimin deklarimin real të listë-pagesave mujore.
Afati për t’iu përgjigjur këtij njoftimi ishte deri më 21 Tetor 2024, datë që përkonte me dorëzimin e deklaratës së listë-pagesës për muajin shtator.
Mesazhi kishte në fokus ndërgjegjësimin dhe nxitjen e tatimpaguesve për deklarim të saktë në listë-pagesat e tyre deri më 20 tetor, datë që përkonte me dorëzimin e deklaratës së listë-pagesës për muajin shtator. Në fazën e parë të fushatës, 9,000 tatimpagues reaguan pozitivisht, duke reflektuar në deklaratat e listë-pagesave të tyre, pas njoftimit të parë të Administratës Tatimore.
Kjo solli rritje të fondit të deklaruar të pagave me një total prej 1,25 mld lekësh. Gjithashtu, për muajin tetor 2024, Administrata Tatimore pohoi se ka arritur një rritje të ndjeshme në mbledhjen e kontributeve, duke grumbulluar 819 mln lekë, ose 6% më shumë se plani i parashikuar.
Informaliteti në punësim
Madhësia e punësimit informal në Shqipëri vlerësohet ndër më të lartat në vendet e Bashkimit Europian dhe vendet e rajonit, mbështetur te të dhënat e arkëtimeve për taksën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Në Shqipëri, pesha në PBB e arkëtimeve nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore është 7,9 pikë përqindje më e ulët se mesatarja e vendeve të BE-së për 2023.
Në Shqipëri, për vitin 2023, në raport me PBB-në, pesha e arkëtimit të të ardhurave nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore ishte 6,2%. Krahasuar me 2022, pesha e arkëtimeve u rrit 0,5 pikë përqindje.
Në 27 vendet anëtare të BE-së, sipas të dhënave të Eurostat, arkëtimet nga taksa e punës zunë 14,1% të PBB-së për vitin 2023.
Për vendet anëtare të BE-së, pesha e arkëtimit të të ardhurave nga taksat e punës ishte në të njëjtin nivel në 2022. Teksa për vendet e rajonit, të ardhurat e arkëtuara nga tatimi për punën zunë rreth 10% të PBB-së për 2023.
Faktorët që po nxisin nëndeklarimet
Nëndeklarimi i pagave nuk rezulton se është një zgjedhje vullnetare, por sipas drejtuesve të shoqatave të bizneseve, kjo vjen nga mungesa e produktivitetit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe taksimit të lartë mbi të ardhurat personale.
Në vend, informaliteti në tregun e punës është i përhapur, sipas përfaqësuesve të shoqatave të bizneseve, për shkak të normës së lartë të tatimit mbi të ardhurat (TAP) si për pagat e ulëta dhe të larta.
Tatimi mbi të ardhurat personale llogaritet në bazë të një skeme progresive që hyri në fuqi më 1 qershor 2023. Kjo skemë llogarit tatimin mbi të ardhurat në mënyrë që individët që fitojnë më shumë, paguajnë një përqindje më të lartë të tatimeve.
Për pagat bruto deri në 50,000 lekë, norma e tatimit është zero.
Për pagat bruto nga 50,001 lekë deri në 60,000 lekë, TAP është 13% mbi shumën mbi 35,000 lekë. Nëse paga bruto është 50,001 lekë, TAP është 50,001-35,000 X 13% = 1,950 lekë. Ndërsa për pagën bruto prej 52,000, TAP llogaritet në vlerën e 2,210 lekëve në muaj.
Për pagat bruto nga 60,001 deri në 200,000 lekë, TAP është 13% mbi shumën 30,000 lekë. Nëse paga bruto është 80,000 lekë, TAP është 80,000-30,000 X 13% = 6,500 lekë.
Për pagat mbi 200,000 lekë, TAP llogaritet 22,100 lekë + 23% mbi shumën që tejkalon 200,000 lekë. Pra nëse paga është 250,000 lekë, TAP llogaritet 250,000-200,000 = 50,000 x 23% = 11,500+22,100 = 33,600.
Presidenti i Qendrës Shqiptare të Eksporteve, Alban Zusi, tha se te bizneset agropërpunuese, detyrimi për tatimin mbi të ardhurat personale është kthyer në barrë të rëndë për shkak të nivelit të lartë të taksës, sidomos te pagat e larta në nivel menaxherësh.
Z.Zusi thotë se kërkesa për formalizim të plotë të punës, në momentin kur prodhuesit dhe eksportuesit kanë humbur konkurrueshmërinë nga rënia e euros, dhe ekonomia nuk mbështetet me taksim të ulët, nuk bën gjë tjetër veçse do të shtyjë bizneset drejt rrënimit.
“Pagesat për sigurimet, edhe pse shkojnë afro 30% e pagës, punonjësit pranojnë t’i paguajnë disi dhe bizneset po ashtu. Në Kosovë, është 10% e pagës sigurimi.
Por kur vjen puna te TAP, asnjë punonjës nuk do që ta paguajë dhe ia kërkon ndërmarrjes. Kështu që kjo bëhet një barrë e rëndë për të dyja palët.
Më tej, niveli i TAP prej 23% te pagat e larta, është ekstrem i lartë.
P.sh., një menaxher i mirë, që paguhet, le të themi 200 mijë pagë neto, duhet t’i paguash mbi 100 mijë në muaj sigurime dhe TAP. Këtë nuk pranon punonjësi ta paguajë. Ndërmarrja e ka barrë të rëndë. Atëherë bien dakord ndryshe.
Ndërsa një punonjës me pagë 50 mijë lekë, nëse për shkak të realizimit të normës, paguhet p.sh., 52 mijë lekë, për shkak të shkallës 13% të TAP, automatikisht merr 3,000 lekë më pak. Por për pagat e ulëta 30-40 mijë lekë janë shumë të ndjeshme për punonjësin. Ndërsa për një ndërmarrje që ka 100 punëtorë, kjo bëhet 3-4 mijë euro, në muaj nëse do ta mbajë vetë.
Në kushtet aktuale që i gjithë prodhimi vendas është në vuajtje, për shkak të euros (si eksportuesit ashtu edhe prodhuesit, pasi po konkurrohen nga importet) kërkesa për formalizim të pagave do t’i shtyjë më shpejt drejt rrënimit, nëse ata nga frika do ta respektojnë”, pohon presidenti i Shoqatës së Eksporteve Shqiptare Alban Zusi.
Edhe Kryetari i Shoqatës ProEksport Albania, Edvin Prençe, ngre shqetësimin se taksimi jo i drejtë i pagave dhe taksave që gjenerohen nga këto deklarime për pagat deri në fashën 60,000 lekë bruto, ka ndikim te familjet dhe punonjësit e shtresës së ulët. Z. Prençe thotë se rishikimi i kësaj fashe do të mund të ndikonte sadopak në përmasimin e informalitetit në deklarimet e pagave.
“Nëndeklarimi i pagave është një problem që ka prekur shumë sektorë të ekonomisë shqiptare, dhe ka disa arsye kryesore që i shtyjnë bizneset të veprojnë kështu.
Fenomeni më shpesh ndodh për të përfituar nga shmangia e kostove fiskale dhe për të rritur konkurrueshmërinë në treg, por kjo sjell pasoja të dëmshme për ekonominë, për të drejtat e punonjësve dhe për stabilitetin e sistemit tatimor”, nënvizon ai.
Vështirësitë financiare nga shtimi i kostove është një tjetër faktor që nxit biznesin të nëndeklarojë pagat. Kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi, thotë se rritja e pagave të punonjësve të sektorit për shkak të emigracionit ka rënduar në kosto bizneset e hotelerisë dhe nuk ka sjellë përmirësime në tregun e punës.
Z. Topuzi pohon se njëherazi këto biznese vuajnë edhe shtimin e kostove nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, ndërsa tendenca e konsumit është në rënie.
“Largimi nga vendi i forcës se kualifikuar të punës drejt vendeve të BE-së, ka sjellë nevojën e rritjes së pagës mesatare në sektorin e shërbimeve, pavarësisht kostos që u kushton subjekteve. Sektori shërbimeve vepron kryesisht në biznesin familjar.
Vihet re një angazhim më i madh i familjarëve dhe më pak punësime të punonjësve të tjerë. Kjo për tri arsye.
Së pari, bizneset duhet të përballojnë rritjen e pagave, që nuk duhet të kalojë më shumë se 25-30% të xhiros.
Së dyti, për të balancuar rritjen e çmimeve të energjisë, lëndëve të para dhe taksave e tatimeve.
Së treti, për të përballuar uljen e xhiros, si rezultat i rënies së konsumit nga klientë vendas dhe të huaj. Shqipëria po vizitohet nga turistë që shpenzojnë gjithnjë e më pak.
Jemi vend me industri të pazhvilluar, ku shërbimet janë mundësia kryesore e investimit dhe punësimit, rritja pa kriter e njësive të kategorisë Bare & Restorante (vendi i tretë në BE për nga numri njësive rreth 180 banorë /njësi) ka ndikuar në çorientimin e tregut dhe më e rëndësishmja: shitja e produkteve nën kosto, si rezultat i konkurrencës.
Çmimi i shitjes së produktit në bar-restorante përcaktohet qartë. Kostoja e produktit duhet të jetë 25% e çmimit të shitjes për pijet dhe 30% për ushqimin! Një birrë vendase që blihet 88 lekë, duhet të shitet në barin e lagjes 350 lekë, që subjekti të jetë me fitim të moderuar në normat 15-17%.
Kjo situatë, detyron subjektet të rrisin informalitetin dhe mosdeklarimin e pagave reale në mënyrë të pashmangshme”, pohon z. Topuzi.
Po a i kanë nxitur vështirësitë financiare nëndeklarimet e pagave, apo kthimin e shumave te punëdhënësi, pasi u depozitohet punonjësve?
Edvin Prençe, nga ProEksport Albania, thotë se periudha e kthimit mbrapsht të një pjese të pagës tashmë i takon së shkuarës, veçanërisht për sektorin eksportues ku transfertat bankare janë të monitoruara dhe përjashton mundësinë për nëndeklarime.
A e bën më konkurruese ekonominë shqiptare nëndeklarimi i pagave?
Njëzëri, drejtuesit e shoqatave të biznesit pohojnë se nëndeklarimi i pagave nuk e favorizon rritjen e drejtë të konkurrueshmërisë për sektorët e ekonomisë.
Për Alban Zusin, drejtuesin e Qendrës Shqiptare të Eksporteve, nëndeklarimet e pagave po ndodhin, pasi nën presionin e ndryshimeve strukturore të tregjeve ndërkombëtare dhe taksave të larta “ndihmojnë” biznesin të jetë më konkurrues.
“Për një kategori biznesesh, ku presioni i tregut është i pashmangshëm, si p.sh., eksportet se aty çmimet i vendos tregu ndërkombëtar nuk punon dot me formulën: kosto + fitim = çmim, por anasjelltas: çmim – kosto = çfarë të ngelet.
Ose në prodhimet bujqësore dhe ushqimore, ku përsëri çmimin nuk e përcakton kostoja në Shqipëri, por çmimi i mallit, që vjen nga importi që aktualisht përsëri për shkak të euros është shumë më i lirë, atëherë e vetmja alternativë, që u ka ngelur prodhuesve të këtyre kategorive është të ulin diçka nga 30-40% që u merr shteti me taksa tatime, përfshirë dhe taksat e larta të krahut të punës e veçanërisht tatimi mbi të ardhurat personale (TAP).
Për shembull, për sektorin e ndërtimit, pasi ky sektor nuk ka presion nga tregjet ndërkombëtare. Është tregu vendas që e përcakton koston dhe në të njëjtën kohë, një ndërtues vendos vetë nëse hyn në një projekt apo jo, pasi kjo industri e tillë është me projekte, dhe mbështetet dhe me fonde publike.
Ndërsa një prodhues eksporti apo një blegtor, apo një prodhues serre, nuk e ka luksin që ta ndalojë veprimtarinë për disa muaj apo një vit, derisa t’i dalë një mundësi ku e ardhura mbulon shpenzimet. Ai ose punon ose e braktis aktivitetin, pasi këto lloj aktivitetesh nuk janë që e mbyll dhe aktivizon kur do ti.
Ndaj kategorinë e njerëzve që prodhojnë, nëndeklarimi mund ta ndihmojë të qëndrojë në treg derisa të gjejë forma e hapësira për të bërë një biznes të rregullt në kushtet aktuale. Ndërsa sipërmarrje të tjera, e bëjnë ndoshta për një përfitim më të lartë”.
Kryetari i ProEksport Albania, Edvin Prençe, thotë se nëndeklarimi i pagave vetëm sa po krijon iluzionin e një përfitimi afatshkurtër për konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, por në të vërtetë, pritet të ketë efekte të dëmshme në periudhë afatgjata. Z. Prençe rekomandon ulje të tatimit mbi të ardhurat personale, në të kundërt ekonomia do të vijojë të vërtitet në informalitet.
“Ndihmon ndoshta bizneset të ulin kostot e menjëhershme të prodhimit dhe të mbajnë çmime më të ulëta për produktet dhe shërbimet, por ky fenomen ka pasoja të shumta negative për zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë në përgjithësi.
Nëse sistemi ekonomik nuk rregullohet dhe nuk fillon të mbështesë një konkurrencë të ndershme dhe ligjore, por edhe taksim të drejtë sipas fashave të pagave, ekonomia mbetet e bllokuar në një spirale të informalitetit dhe të ulët të rritjes ekonomike, duke u përballur me një mjedis të pasigurt dhe të paqëndrueshëm”./MONITOR