Grei Bihuci, 19-vjeç mbeti i vrarë me thikë pas një konflikti mes adoleshentësh në qendër të qytetit të Fierit mesditën e 11 marsit 2024.
9 muaj pas humbjes së djalit të tyre të vetëm, prindërit, Ilir dhe Diela Bihuci rrëfejnë mes lotësh ngjarjen tragjike. “Nuk e prisja kurrë të më ndodhte kjo gjëmë”, thotë nëna në intervistë për Report TV, teksa kujton momentin kur mori vesh për humbjen e të birit, “dritën e shtëpisë”.
Ndonëse me zemrën copëtuar, babai i tij, Iliri, gjen forcën për të na treguar dëshirat dhe ëndrrat e Greit.
“Mësonte dhe punonte teksa ëndërronte të bëhej dizajner grafik. Ishte një djalë i qetë por fatkeqësisht ëndrrat e tij u prenë në mes.”
I riu ishte nxënës në shkollën e mesme profesionale “Petro Sota” ndërsa pasditeve punonte si kamarier në një bar- pastiçeri, vetëm disa metra larg nga vendi i krimit.
Ilir Behuci tregon se kishte një marrëdhënie shumë të ngushtë me të birin, ndërsa thekson se për konfliktin në fjalë nuk ishte në dijeni. Grei nuk i kishte treguar asgjë ndërsa pohon i bindur se djali i tij është ndodhur në vendin e gabuar, në momentin e gabuar.
Kujtimet me Grein ndodhen kudo në shtëpinë e familjes Bihuci të cilët gjejnë forcën për të jetuar vetëm për dy vajzat e tyre binjake, dy motrat e Greit, të cilat ishin dobësia e tij dhe fjalët e fundit të tij. Një kornizë e madhe në muret e sallonit, me foton e Greit është pamja më ngushëlluese për gjithë familjarët, ndërsa shikimi për minuta të tëra i fotografive të tij të vendosura gjithandej, është një ritual i përditshëm në familjen Bihuci.
Të helmuar nga humbja e djalit, ata janë me sytë nga drejtësia.
“Nuk lejoj askënd të përdhosë gjakun e djalin tim thotë Iliri, ndërsa faljen publike të familjarëve të autorëve e sheh të pavlerë pas 9 muajsh.”
Po me kaq forcë vjen thirrja e Dielës për dënim maksimal të autorëve të krimit.
Florian Muka, 18-vjeç ka pranuar krimin dhe po mbahet në arrest me burg për veprën penale “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”. Ndërsa kushëriri i tij 16-vjec po hetohet me masën “arrest në shtëpi”. Gjyshi i tyre kërkoi falje gjatë një dalje televizive javën e shkuar, por që nuk pranohet nga prindërit e viktimës.
Prindërit e Greit, të dy mësues prej vitesh në Fier e Patos gjejnë forcën për tu bërë thirrje gjithë të rinjve të fokusohen te ëndrrat dhe dëshirat e tyre, dhe të evitojnë çdo konflikt të mundshëm.
“Mos u bëni pre e dhunës, ka pohuar mes lotësh nëna e Greit, për të mos patur më nëna të veshura me të zeza si unë”
INTERVISTAT E PLOTË
Nëna e Greit, Diela Bihuci: Grei ishte drita e shtëpisë time, shtylla e shtëpisë. Nuk e imagjinoj dot jetën pa Grein, nuk e di ku e gjej forcën për të jetuar. S’e di se si ma vranë djalin tim. Djali im ishte i pafajshëm. Nuk duhet të ndodhte kjo, absolutisht. Nuk kam fjalë. Është një dhimbje e thellë dhe e pashërueshme. Është shumë e vështirë për mua të flas për humbjen e djalit tim të shtrenjtë. Ishte gëzimi im, drita e shtëpisë time.
Fëmijët janë për prindërit gjithçka, dhe Grei i donte ato shumë. Dhe fjalët e tij të fundit ishin për motrat, madje edhe kur bënte be, betohej për kokë të motrave.
Në ato momente isha në punë. Më merr në telefon shoqja në punë, dhe më thotë që Grei nuk ndodhet në shkollë, dhe në qendër të qytetit ka ndodhur një sherr. U habita, dhe thashë me vete ç’lidhje ka Grei këtu. E mora fillimisht në telefon, nuk përgjigjej, i shkruaj mesazh, asnjë përgjigje. Më pas i telefonova bashkëshortit, Ilirit, dhe i them ku është Grei sepse mësuesja më ka marrë në telefon dhe më tha që Grei nuk ndodhet në mësim. Ai më tha që nuk është mirë. Dola me vrap, nëpër shkallët e shkollës. Zemra po më dridhej dhe hapat i hidhja me vështirësi. Në spital gjeta bashkëshortin me kunatin dhe njerëz të tjerë dhe nuk e di, shpërtheva në lot. Grei ishte një djalë me zemër shumë të madhe që i donte shokët dhe miqtë, i ndihmonte. Nuk duhej të ishte Grei atje, jo.
Ne na kanë vrarë djalin tonë, Grein tonë të shtrenjtë. Kërkojmë dënim maksimal nga drejtësia shqiptare dhe kemi besuar tek ata. Deri tani nuk jemi prononcuar nëpër media, por nga kjo marrim edhe shkas, nga intervista e palës tjetër, dhe besojmë se drejtësia do të vendoset në vend. Kërkojmë dënimin maksimal. Për këtë kemi vendosur edhe avokat, i cili po merret me çështjen, dhe besojmë te drejtësia shqiptare. Besojmë se jeta e djalit tonë nuk mund të vlerësohet kaq pak, dhe për më tepër që ata hiqen të pafajshëm. Absolutisht nuk e lejojmë që jeta e djalit tonë të kalojë kaq lehtë.
Do t’u bëj apel të gjithë të rinjve që të mos kapen pas fjalëve të kota, fjalëve pa kuptim, sepse mund të mbyllin një derë. Mos lejoni që nënat të vishen me të zeza si unë. Absolutisht nuk dëmtoni vetëm njerëzit e familjes, por edhe të gjithë ata që ju duan rreth jush. Përqendrohuni tek ëndrrat, tek pasionet, tek dëshirat tuaja. I lini fjalët që nuk kanë vlerë, dhe fjalët e kota. Këtë do t’u uroja të gjithë të rinjve sot, që të kenë jetë sa më paqësore dhe të jenë më të mirëkuptueshëm me njëri-tjetrin. Këtë do doja për të gjithë. Një mesazh që besoj se do vlejë.
Babai i Greit, Ilir Bihuci: Grei ishte një djalë, që siç e tha dhe ime shoqe, me zemër të madhe. Ai kurrë nuk i linte shokët, nuk linte njeri pa ndihmuar. Atij iu prenë ëndrrat në mes. Kishte ëndrra të mëdha. Ashtu siç bisedonte me mua, donte të vazhdonte shkollën.
Kishte plan të hapte dhe një faqe për grafik-dizajn, e pëlqente shumë. Filloi të punonte, por ndodhi ajo që ndodhi. Ishte shumë e dhimbshme për ne. Kur e mora vesh, më morën në telefon dhe më thanë që është bërë një sherr në mes të qytetit dhe Grei është në spital. Nuk e di si kam udhëtuar me makinë nga Patosi, atje ku punoj, deri në Fier. Kur erdha në spital, ndjeva diçka. Pashë reagimin e parë që në hyrje të spitalit, por edhe në vazhdim. Njerëzit më shikonin si të habitur, si me keqardhje. Nuk di çfarë të them.
Pra e parandjetë që…?
Eh, e ndjeva, por s’doja që ta besoja. Kur kam shkuar lart në spital, nuk më jepte njeri përgjigje. Pyes njërin e pyes tjetrin, jo është në operim. Na hoqën në një moment që aty, na thanë që do ta çojmë në Tiranë. Po mirë, pse na largoni, u thamë? Po mos ta shikoni…
Por Grei nuk kishte lidhje fare me sherrin. Ai është gjendur aty për të ndihmuar shokët dhe u vra pabesisht me thikë në kohën që ka filluar ai sherr. Madje nuk ka pasur asgjë me vete, ndonjë thikë apo mjete të tjera që mund të merrte pjesë në sherr me to. Jo, nuk më ka folur rreth këtij konflikti. Grei ishte vetëm shkollë-punë. Ai kthehej në shtëpi në orën 11 të natës, pas punës. Nëse do ishte ngatërruar diku, s’kishte pse të ndodhte ngjarja në mes të qytetit. Grei është ndodhur në vendin e gabuar, në momentin e gabuar. Edhe në këto çaste që flasim bashkë më duket sikur do hapet dera dhe do flasë i qeshur ashtu siç fliste gjithmonë. Hynte, mirëmbrëma, vinte të kapte për qafe, ishte shumë i lidhur me nënën e tij.
U drejtohem gjithë fëmijëve, adoleshentëve, që të qëndrojnë larg debateve, të qëndrojnë larg sherreve, të merren me shkollën, të merren me librat. Është gjëja më e mirë që mund të bëjë një adoleshent sot. Të bisedojnë me prindërit e tyre për problemet që kanë, të hapin zemrën me prindërit e tyre, sepse asnjëherë një prind nuk e do të keqen e fëmijës. Kështu që bëj një apel të madh për gjithë adoleshentët. Larg, larg sherreve dhe larg debateve me njëri-tjetrin. Mësoni sa më shumë.