Nga Myqerem Tafaj
Pavarësisht nga premtimet e mëdha të bëra nga kjo maxhorancë që kur erdhi në pushtet në vitin 2013, se arsimin do ta kishte prioritet të prioriteteve dhe do të investonte për arsimin 5 % të PPB, faktet dhe statistikat tregojnë se qeveria nuk arriti as pas 12 vitesh të përmbushë as gjysmën e këtij premtimi.
Konkretisht, qeveria planifikon në buxhetin e vitit 2025 për arsimin në tërësi, përfshirë edhe arsimin profesional, vetëm 2,45 % të PPB të vendit, ku për arsimi parauniversitar të përgjithshëm planifikohet vetëm 1,79 % e PPB, për arsimin profesional planifkohet vetëm 0,17 % e PPB dhe për arsimin e lartë planifikohet vetëm 0,49% e PPB.
Ndërsa për të gjorën shkencë qeveria planifikon në këtë buxhet vetëm 0,06 % të PPB, edhe pse u bë një propagandë aq e madhe me një ligj të ri, i cili u miratua vetem me votat e PS pikërisht në seancat kur gjysma e deputetëve të opozitës e kishin paradoksalisht të ndaluar të marrin pjesë në të gjithë veprimtaritë e Kuvendit, si në komisione ashtu edhe në seancat plenare.
Me këtë nivel të investimit vendi ynë mbetet i fundit për nga investimi në arsim edhe në Rajonin e Ballkanit (në vitin 2023: Kosova dhe Maqedonia e Veriut afërsisht 4% të PPB, ndërsa Slovenia, Kroacia dhe Serbia 4,5 % të PPB dhe më e lartë). Por kjo nuk është as cështje krahasimi me vendet e tjera dhe as cështje thjesht statistikash. Ajo që është e rëndësishme të vlerësohet, ështësa i përgjigjet ky buxhet, pra ky nivel investimi, nevojave për një arsim cilësor për cdo fëmijë e të re/ri në cdo fshat dhe qytet të vendit tonë.
Parë nga ky këndvështrim ia vlen të përmendim shkurt disa nga faktet kryesore duke i‘u referuar edhe prioriteteve të kësaj qeverie për arsimin dhe shkencën, të përshkruara në relacionin e buxhetit 2025.
Nevojat e arsimit të detyruar ose bazë (9-vjecar) janë shumë të mëdha, sidomos në zonat më të varfëra të vendit, si ato rurale, qytetet e vogla dhe zonat e largëta të vendit, ku gjendja e arsimit, sipas PISA 2022, është vajtuese dhe nxënësit e këtyre zonave kanë një prapambetje në formim prej afërsisht 2 vite shkollore krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre në qytetin e Tiranës (nxënësi i klasës së 9-të në shkollat e zonave të varfëra të vendit ka një nivel arsimi të njëjtë me atëtë nxënësit të klasës së 7-të në shkollat e qyteteve kryesore Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier, Vlorë).
Kjo gjendje injorohet plotësisht në prioritetet e qeverisë të përshkruara edhe në buxhetin 2025. Por kjo gjendje ka efekte shumë negative zinxhir për aksesin dhe suksesin e këtyre nxënësve në arsimin e mesëm dhe të lartë, cka, dashur pa dashur, con në krijimin e shtresës së qytetarëve të dorës së dytë në vendin tonë. Nxjerrja nga prapambetja e thellë e arsimit të detyruar në këto zona kërkon investime shumë të mëdha për shkolla të përqendruara me infrastrukturë moderne shkollore, paga më të larta për mësuesit e gatshëm të punojnë në këto zona, mbështetjen e nxënësve edhe me politika tërësisht të reja, shkolla me drekë, konsultime pas mësimit, transport, etj.
Sic duket qeveria e ka harruar rënien drastike të cilësisë së arsimit bazë të evidentuar në PISA 2022 për gjithë sistemin e arsimit bazë. Kapërcimi i kësaj prapambetje kërkon një investim shumë të madh në të gjitha drejtimet, mbështetja e nxënësve, pagat e mësuesve, kurrikulat dhe modernizimi i infrastrukturës fizike dhe digjitale e shkollave.
Arsimi i mesëm në zonat më të varfëra të vendit kërkon investime të mëdha për një ndryshim rrënjësor me shkolla moderne të përqendruara, konvikte për nxënësit e zonave të largëta, transport, konsultim apo mësim plotësues për maturantët dhe masa të tjera, të cilat mundësojnë që edhe vajzat dhe djemtë e këtyre zonave të kenë mundësi të aplikojnë për arsim të lartë universitar dhe jo thjesht arsim të lartë jo universitar profesional (2-vjecar), madje edhe në degë e profesione më të preferuara që i duhen këtyre zonave. Por edhe për gjithë nënsektorin e arsimit të mesëm qeveria ka objektiva të vendeve të botës së tretë.
Akoma qeveria mban si objektiv një akses në arsimin e mesëm prej 87 % për vitin 2027, ose e thënë ndryshe 87% e nxënësve që kanë mbaruar arsimin e detyruar tëvijojnë në arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe profesional. Aktualisht kjo shifër është 84-85 % me një ulje prej 7-8 % krahasuar me vitin shkollor 2013/14. Si mund të pranohet që një vend, që ka hapur negociata për në BE, të toleroj 13 % të nxënësve që kanë mbaruar arsimin e detyruar pa arsim të mesëm? Si do të përballojnë këta të rinj, vetëm me formim minimal tëarsimit bazë, sfidat e zhvillimit të këtij shekulli të Dijes në 5-6 dekadat që vijnë?
Shqipëria e ka të nevojshme, për të mos thënë imediate, të shpallë politikën e arsimit të mesëm të detyruar, në mënyrë që cdo i ri/e re të ketë së paku një arsimim të mesëm, pra 12-vjecar, i përgjithshëm ose profesional.
Vetëm kështu brezi i ri do të ketë shanse që të përballoj më mirësfidat e zhvillimit në dekadat që vijnë dhe Shqipëria tëpërgatitet seriozisht për t’u integruar në BE dhe në familjen e vendeve të zhvilluara. Por kjo politikë e arsimit të mesëm të detyruar kërkon së paku një dyfishim të investimit për arsimin e mesëm.
Cilësia e ulët e arsimit të lartë në vendin tonë kërkon një investim të shumëfishuar për krijimin e kushteve normale të mësimit për studentët, auditore me infrastrukrurë moderne fizike e digjitale, mbështetjen e studentëve të zonave të varfëra të vendit dhe të familjeve të varfëra, shpërblimin e pedagogëve, si dhe mbështetjen me përparësi të kualifikimit të brezit të ri të pedagogëve.
Niveli i investimit prej 0,49% të PPB për arsimin e lartë publik është vite dritë larg nevojave reale të universiteteve dhe nuk premton asgjë për rritjen e cilësisë së tyre. Me një investim të tillë nuk mund të arrihet asgjë domethënese në arsimin e lartë dhe studentët më të mirë do të vazhdojnë të largohen nga vendi për të studjuar në universitetet e huaja.
Në prioritetet e përshkruar në relacionin e ligjit të buxhetit as nuk përmendet mbështetja e universiteteve për reformimin e tyre si një hap i domosdoshëm për t‘iu përshtatur më mirë nevojave të zhvillimit të gjithanshëm të vendit, kërkesave të tregut të punës të vendit dhe atë rajonal, si dhe për t’iu përgjigjur më mirë pritshmërive të studentëve dhe të punëdhënësve.
Investimi i planifikuar për shkencën në buxhetin 2025 nuk jep asnjë mesazh pozitiv për kërkuesit shkencorë në universitete apo jashtë tyre, sepse ai vazhdon të jetë disa herë më i ulët se sa në vendet e Rajonit. Për cudi vetëm Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të injorojnë investimin për kërkimin shkencor, cka ka dhe do të ketë efekte të mëdha negative në të ardhmen e dijes në trojet shqiptare në Ballkan.
Kjo rrjedhojë kaq negative për të ardhmen e zhvillimit të gjithanshëm të Shqipërisë nuk po kuptohet akoma. Dhe kjo i ka rrënjët në mentalitetin e trashëguar ndër dekada, sipas të cilit, kërkimi shkencor është cështje elite dhe duhet t‘a bëjë vetëm një grup i vogël kërkuesish të përzgjedhur. Kjo është një qasje fatale tipike për vendet e botës së tretë dhe një paradoks i madh kur mendon se Shqipëpria synon të integrohet në BE brenda vitit 2030. Po si do të shkojmë ne në BE? Me investim qesharak 0,06 % të PPB për shkencën, kur Turqia, Kroacia, Slovenia, madje edhe Serbia investojmë mbi 10 herë më shumë (mbi 0,7 % të GDP)!
Qeveria dhe gjithë politika duhet të kuptojnë se është e domosdoshme që Shqipëria të shumëfishojë investimin nga buxheti, me qëllim që cdo kërkues e pedagog të ketë mundësi të zhvilloj kërkime shkencore në interes të zhvillimit ekonomik e social të vendit. Shqipëria nuk ka luksin të mos shfrytëzoj këtë potencial të madh krijues që zotëron komuniteti akademik shkencor i vendit tonë(vetëm në sistemin e arsmit të lartë punojnë me kohë të plotë 5600 pedagogë dhe kërkues dhe gati 40% e tyre janë nën 40 vjec).
Me një investim të tillë kaq të ulët, praktikisht nuk mund të shfrytëzohet as 10-15% e këtij potenciali. Në relacion është shkruar që qeveria synon të arrihet që Shqipëria të ketë në vitin 2027 një numër kërkuesish/1000 banorë ose të punësuar në mesataren e vendeve të OECD (8,8 kërkues/1000 të punësuar), cka do të thotë që numri i kërkuesve të rritet afërsishttë paktë 2,5 herë! Si do të arrihet ky objektiv me këtë nivel financimi? Që të arrihet kjo rritje duhen programe mbështetje për projekte kërkimore që mbështetin me vende pune ose bursa studentët ekselentë për studimet e doktorantës. Sot ata largohen në universitetet e huaja, sepse vendi i tyre nuk i mbështet.
Të mos bëjmë fjalë për nevojat shumë të mëdha për laboratorë kërkimorë modern në universitete, në mënyrë që grupet kërkimore të kenë mundësi të aplikojnë për projekte kërkimore në kuadër të programit Horizontë BE si dhe të arrijnë në rezultate dhe botime të nivelit të vertetë internacional.
Një investim i rritur për shkencën duhet të krijojë kushte atraktive të pagesës dhe të punës edhe për këkruesit e talentuar shqiptarë që punojnë sot në universitete dhe qendra kërkimore të vendeve të tjera, thjesht sepse Atdheu i tyre nuk e vlerëson potencialin e tyre të jashtëzakonshëm krijues shkencor që mund të ishte shumë i dobishëm për zhvillimin e gjithanshëm të vendit tonë. Po të investohet seriozisht për shkencën një pjesë e këtyre kërkuesve të talentuar mund të kthehen në vendin e tyre.