Pesë muaj përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2023, institucionet shtetërore e frenuan vendosjen e gjobave ndaj shkelësve në thuajse të gjithë sektorët. Të dhënat e grumbulluara nëpërmjet kërkesave për informacion tregojnë se në periudhën janar-maj 2024, kur nuk kishte zgjedhje, gjobat e policisë dhe të inspektorateve ishin dy deri në dhjetëfish më të larta sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2023, kur u mbajtën zgjedhjet lokale të 14 majit.
Teksa heq nga xhami i makinës gjobën e një parkimi të gabuar, Albjona, një mësuese, që banon në zonën e Komunës së Parisit, numëron muajt deri në zgjedhjet e radhës.
“Të paktën në fushatë jemi të qetë. Një muaj nuk na “luan” njeri”, – thotë ajo, e cila vetëm gjatë muajit tetor është penalizuar 3 herë.
Të dhënat e grumbulluara nga INA Media përmes kërkesave për informacion tregojnë se përpara fushatave zgjedhore institucionet publike e frenojnë vendosjen e gjobave. Të paktën 7 institucione të monitoruara kanë vendosur shumë herë më pak gjoba në muajt përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2023, por nuk kanë treguar aspak “mëshirë” në të njëjtat periudha të një viti më pas, vit jozgjedhor.
Për ekspertët “zbutja” e inspektorateve lidhet me fushatat zgjedhore dhe kujdesin për të mos shkaktuar pakënaqësi te qytetarët përpara zgjedhjeve, por vetë inspektoratet pretendojnë se puna e tyre nuk ndikohet nga fushatat zgjedhore.
“Planet e inspektimit janë dhe inspektorët dalin në terren, por, kur porosia është: “Mos gjobisni”, ata shkojnë në terren dhe iu thonë: “Po ju falim, por kujdes”, – shpjegon Erjon Tase nga Akademia për Studime Politike.
Deri në 10 herë më pak gjoba
INA Media i pyeti të gjitha inspektoratet ligjzbatuese në Shqipëri se, sa masa administrative (gjoba) kishin vendosur në periudhën janar-maj 2023, periudhë që i paraprin zgjedhjeve lokale të 14 majit.
U kërkuan po ashtu gjobat për të njëjtën periudhë, janar-maj, por të vitit 2024, kur nuk kishte zgjedhje. Nga 8 institucione, që dhanë informacion, rezulton se 7 prej tyre kanë rritur ndjeshëm gjobat pas fushatës dhe i kanë tkurrur ato në muajt përpara se qytetarët të shkojnë të votojnë.
I vetmi institucion, që rezulton që të ketë dhënë ndëshkime më shumë përpara zgjedhjeve, sesa pas tyre, është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Policia Rrugore ka vendosur gjatë 5 muajve të parë të vitit të shkuar 333.179 gjoba, me vlerë 920 milionë lekë. Për të njëjtët muaj, gjatë vitit aktual, që nuk ka zgjedhje, janë vendosur 482.083 gjoba, me vlerë 1.9 miliardë lekë. Dukshëm, gjobat në 5-mujorin jo-elektoral janë rritur me 1.7 herë. Janë penalizuar 148.904 qytetarë më shumë, ndërsa arkëtimet e gjobave janë rritur me 678.9 milionë lekë në vitin 2024.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve gjithashtu ruan të njëjtën tendencë, duke tkurrur gjobat gjatë vitit zgjedhor. Në periudhën janar-maj 2023 janë vendosur 76 gjoba, me vlerë 4.1 milionë lekë, ndërsa në të njëjtën periudhë një vit më pas janë vendosur 453 gjoba, me vlerë 21.5 milionë lekë. Diferenca është 377 gjoba më shumë, me vlerë +17.465.000 lekë. Pra, gjatë fushatës gjobat janë reduktuar me më shumë se 5 herë.
Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial rezulton të ketë ulur me 6.5 herë vlerat e gjobave në vitin elektoral. Në 5 muajt e parë të vitit të shkuar ky institucion vendosi 12 gjoba, me vlerë 1.130 000 lekë, ndërsa këtë vit, nga janari në maj, u vendosën 14 gjoba, me vlerë 7.400.000 lekë. Diferenca në numër është vetëm 2 gjoba më shumë, por vlera financiare është ndjeshëm më e lartë, plot 6.370.000 lekë.
Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut e ka reduktuar gjobëvënien përpara fushatës me 10 herë. Për periudhën janar-maj 2023 janë vendosur 8 gjoba, në vlerën 1.020.000 lekë dhe e ka shtuar, si vlerën, ashtu edhe numrin e gjobave, në periudhën jozgjedhore. Gjatë periudhës janar-maj 2024 janë vendosur 40 gjoba, në vlerën 10.000.000 lekë. Diferenca është +32 gjoba, me vlerë +8.980.000 lekë.
Inspektorati Shtetëror i Punës dhe i Shërbimeve Shoqërore konfirmon përmes të dhënave zyrtare të njëjtën tendencë si institucionet e tjera, me më pak ndëshkime të qytetarëve përpara datës së zgjedhjeve. Gjatë periudhës janar-maj 2023 janë vendosur 48 gjoba, me vlerë totale 12.465.000 lekë, ndërsa në periudhën janar-maj 2024 janë vendosur 63 gjoba, me vlerë totale 16.500.000 lekë.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit mban rekordin si institucioni, i cili i ka tkurrur më shumë penalizimet përpara zgjedhjeve. Ato janë 12.5 herë më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit aktual, jo-elektoral. Vetë IKMT i tha INA Medias se, në 5 muajt e parë të vitit të shkuar 84 gjoba iu kishin kushtuar qytetarëve 71.748.500 lekë, ndërsa në 5 muajt e parë të këtij viti numri i penaliteteve kishte shkuar në 330 masa ndëshkimore, me një vlerë prej 896.131.426 lekësh.
Imeldi Sokoli, një urbanist, që mori në analizë gjobat e Inspektoratit të Kontrollit dhe të Mbrojtjes së Territorit, tha për INA Median se, “nuk ka asnjë ndryshim ligjor në fushën e zhvillimit urban dhe as ndonjë fenomen të ri të ndërtimit të paligjshëm në këtë periudhë, që të justifikojë kaq shumë penalitete të grupuara”.
Ai sqaron se institucione, si IKMT, veprojnë me fushata dhe me aksione, të cilat ndërmerren “në kohë stabiliteti politik, pra, kur nuk kemi zgjedhje afër, që mund të krijojnë pakënaqësi”.
Policia Bashkiake, Tiranë i bashkohet trendit të institucioneve qendrore, duke treguar standard jo të njëjtë gjatë periudhave që korrespondojnë me fushata zgjedhore. Bashkia e Tiranës pohoi se në periudhën janar-maj 2023 numri i gjobave ishte 89.736, me një vlerë prej 103.063.500 lekësh. Për të njëjtën periudhë të këtij viti numri i gjobave është ndjeshëm më i lartë, plot 219.992 gjoba, ndërsa vlera e tyre, financiare është 422.302.000 lekë. Pra, bashkia e kryeqytetit ka arkëtuar 4 herë më shumë pará nga qytetarët pas zgjedhjeve.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit tingëllon si përjashtimi, që konfirmon rregullin. Ai është i vetmi institucion, inspektorët e të cilit në muajt përpara fushatës kanë vënë më shumë gjoba sesa pas saj. Gjatë periudhës janar-maj 2023 nga AKU janë vendosur 165 gjoba me vlerë 29.030.000 lekë, ndërsa gjatë periudhës janar-maj 2024 janë vendosur 142 gjoba me vlerë 25.150.000 lekë.
Ekspertët sugjerojnë për përdorim politik
Ekspertë të ekonomisë dhe të zhvillimeve urbane, si dhe aktivistë të shoqërisë civile, që monitorojnë veprimtarinë e institucioneve shtetërore, sidomos gjatë zgjedhjeve, janë të bindur se kemi të bëjmë me “zbutjen” e inspektorateve për të mos shkaktuar pakënaqësi te qytetarët përpara zgjedhjeve.
Ola Xama, një gazetare me eksperiencë të gjatë në çështjet ekonomike, pohon se ka parë ndër vite një tendencë historike të inspektorateve, që gjatë fushatave elektorale janë pro biznesit, pro qytetarëve, duke i këshilluar dhe duke i falur, por jo duke i penalizuar.
“Pas fushatave shohim menjëherë një ashpërsi të këtyre autoriteteve, që vendosin penalitete”, – i tha INA Medias gazetarja Xama.
Erjon Tase, drejtues i Akademisë për Studime Politike, beson se kjo është një nga mënyrat e përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje.
“Si qytetarë e kemi prekur tolerancën, që nga polici, i cili është më i butë përpara fushate, sesa pas zgjedhjeve”, – thotë Tase.
Qëndresa Qytetare (QQ), një organizatë monitoruese e shoqërisë civile, po ashtu ndan bindjen se këto shifra të grumbulluara nga INA Media kanë lidhje me fushatën elektorale.
“Shifrat, që ju keni gjetur, e bëjnë edhe më dramatike situatën. Nuk kemi të bëjmë me situatë të vetvetishme. Pas këtyre shifrave fshihet një drejtues institucioni, që ka urdhëruar këtë armatë të tërë punonjësish, që të ndalojnë punën e tyre gjatë këtyre muajve. Prokuroritë duhet t’i hetojnë këto raste”, – tha Migen Qiraxhi nga QQ.
Gazetarja Ola Xama e sheh të pamundur që këto shifra të jenë një rastësi: “Nuk mund të jetë rastësi kjo diferencë shifrash në thuajse të gjitha institucionet njëkohësisht. Është sjellje e sinkronizuar dhe e orkestruar e këtyre institucioneve”.
Ajo e vë theksin te krerët joprofesionistë dhe politikë në këto inspektorate. Edhe Erjon Tase e lidh me drejtuesit valën e re në rritje të gjobave pas zgjedhjeve. “Mund të jetë një kombinim faktorësh, përfshirë edhe ndërrimin e drejtuesve të institucioneve në një situatë të caktuar”, – tha ai.
Institucionet thonë se “nuk i njohin zgjedhjet”
Pavarësisht diferencave në numër dhe në vlerë gjobash për të njëjtën fashë vjetore, në dy vite të ndryshme, inspektoratet i thanë INA Medias se puna e tyre nuk ndikohet nga fushatat zgjedhore.
Inspektorati Shtetëror i Punës komentoi me shkrim se, “inspektorët janë të pavarur në vendimmarrjen e tyre”, dhe përdori si argument për vlerën në rritje të gjobave faktin se ajo lidhet me pagën minimale dhe rritja e kësaj të fundit ka rritur automatikisht vlerën e gjobave.
“ISHPSHSH nuk ka në asnjë moment në konsideratë vitet, kur kryhen këto inspektime. Vetëm 30% e gjobave janë vendosur në inspektime të programuara, pjesa tjetër janë marrë në inspektime për ankesë dhe aksident në punë”, – tha Inspektorati Shtetëror i Punës dhe i Shërbimeve Shoqërore.
Edhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, i cili i kishte 6-fishuar gjobat pas fushatës, nuk pranon të jetë ndikuar nga fushata zgjedhore.
Diferenca “ka ardhur si pasojë e politikave dhe reformave për zbatimin e ligjit”, – tha Inspektorati Shtetëror Teknik për INA Median.
Pas zgjedhjeve ky institucion ka ndërruar edhe drejtuesin e tij, megjithëkëtë ata thonë se nuk ndikohen nga data të caktuara: “Fushatat zgjedhore janë procese demokratike, që nuk kanë lidhje me objektin e veprimtarisë së ISHTI dhe nuk kanë asnjë ndikim në kryerjen e detyrave të tij, funksionale”.
Policia e Shtetit tha se, diferenca e numrit të masave administrative në rritje vjen si pasojë e shtimit të pajisjeve teknologjike gjatë këtij viti, konkretisht: radarë, dronë dhe teleskopë.
“Këto pajisje kanë konstatuar një numër të lartë shkeljesh, kryesisht në tejkalim të kufirit të shpejtësisë, parakalime të gabuara dhe përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit”, – tha Drejtoria e Komunikimit në Polici, e cila përjashtoi çdo lidhje të mundshme me datën e zgjedhjeve.
“Në asnjë rast Policia Rrugore dhe asnjë strukturë e Policisë së Shtetit nuk ndikohet nga fushata zgjedhore apo aktivitete politike, por përmbush me korrektësi misionin e saj”, – thuhet në reagim.
Interesimit të INA Medias iu përgjigj edhe Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregjeve, një institucion, gjobat e të cilit janë 10-fishuar pas zgjedhjeve. Ata e quajnë “të justifikueshme”, rritjen e gjobave, duke treguar se në vitin zgjedhor kanë kryer gjysmën e inspektime të planifikuara, por nuk tregojnë pse.
“Për periudhën janar-maj 2023, ISHMT kishte planifikuar 834 inspektime dhe ka realizuar 419 prej tyre, pra në një masë 50%. Për të njëjtën periudhë të vitit 2024, ISHMT kishte planifikuar 1.574 inspektime dhe ka realizuar 1.072 të tilla, pra në masën 68%”, – thotë Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregjeve. Ata përmendin kontrollin e ri për përdorimin e qeseve plastike si një tregues që justifikon vlerën e lartë të gjobave.
“Institucioni ynë nuk është ndikuar në vitin 2023, si vit fushate zgjedhore, për të “frenuar” ndëshkimin e qytetarëve apo të subjekteve”, – përfundon deklarata e ISHMT dhënë me shkrim për INA Median.
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pohon se, “nuk ka tregues të veçantë, sektorialë, që ndikojnë në rritjen apo në uljen e numrit të gjobave”, por 12-fishimin e ndëshkimeve gjatë vitit 2024 e justifikon me faktin se, “IKMT ka qenë e përfshirë në lirimin e shesheve për disa projekte me interes publik”. Reagimi i këtij institucioni për INA Median mbyllet me zotimin se, “IKMT operon në mënyrë të pavarur nga fushata zgjedhore”.
Inspektoratet e tjera nuk dhanë përgjigje brenda afatit në funksion të publikimit të këtij shkrimi.
Gjobat ndaj qytetarëve mbushin arkat e institucioneve
Të dhënat e grumbulluara nga INA Media provojnë po ashtu se sa peshë të rëndësishme zënë në buxhetin e këtyre institucioneve paratë e marra nga xhepi i qytetarëve në formën e gjobave.
Vetëm në 5 muajt e parë të vitit 2023 dhe vetëm për këto 8 institucione, që ndanë të dhëna për INA Median, buxheti i shtetit ka përfituar 1.142.234.558 lekë ose mbi 11 milionë euro; ndërsa në 5 muajt e parë të vitit 2024 qytetarëve iu janë marrë në formën e gjobave 2.997.629.532 lekë ose 30 milionë euro.
“Gjobat përdoren si mundësi për të mbushur arkat e buxhetit. Përfitojnë nga stabiliteti politik dhe nuk ka më interes elektoral”, – tha urbanisti, Imeldi Sokoli.
Gazetarja Ola Xama e vendos theksin te deformimi i misionit të inspektorëve, tek edukimi, duke e kthyer matjen e performancës së tyre me sasinë e gjobave që vendosin.
“Policia Bashkiake në Tiranë ka vendosur 4 milionë euro gjobë për 5 muaj. Kjo është një taksë më vete për qytetarët. Policia Rrugore ka vendosur 12 milionë euro gjobë në vetëm 5 muaj, që është sasi edhe më e lartë se vetë taksa e pasurisë, që paguhet”, – llogarit Xama.
/ Esiona Konomi / INA MEDIA