Sociologu Gëzim Tushi ka folur në “Live From Tirana” në TAR për një fenomen gjithnjë e më të komentuar siç është tradhtia. Ai shprehet se sinjali më i sigurtë i tradhtisë është në shtratin martesor dhe sa më të rralla të jenë ato, sinjali vjen duke u përforcuar.
Si e komenton ai këtë koncept dhe shkaqet që çojnë në tradhti?
Ka një problem shumë të madh social në shoqërinë tonë, që ka të bëjë me përkufizimin e tradhtisë. Ky term i shpërdorur është një çështje konceptuale. Unë jam kundër këtij termi. Në përgjithësi është një term i politizuar. Tradhtia lidhet me akte të forta hakmarrje. Ne duhet ta zëvendësojmë gradualisht me terma si ‘shkelje e kurorës’. Nëse do e zëvendësojmë, atëherë aktin e tradhtisë do ta marrim ndryshe, jo me hakmarrje barbare.
Cilët janë faktorët socialë ose kulturorë që çojnë drejt tradhtisë?
Tradhtia ndodh. Bashkë me martesën, me bashkëjetesën, bashkë me dashurinë është dhe ky fenomen. Shkaqet janë jashtëzakonisht të shumta. Shkaqet biologjike janë të dorës së parë, që një marrëdhënie mund të konsumohet më shpejt, kemi atë që quajmë mospërputhje karakteresh… Tradhtia është e lidhur me modernitetin.
A çon mungesa e dashurisë në tradhti?
Është një nga arsyet sepse tutkalli që e mban të fortë lidhjen, ndjenja e dashurisë është një lloj garanti.
Cilat janë sinjalet e para që dikush po tradhton?
Janë të shumta. Sinjali më i sigurtë është në shtratin martesor, sa më të rralla të jenë aktet, nëse nuk janë shëndetësore, është një sinjal i dukshëm. Nëse nuk kanë qejf të kthehen në shtëpi, kur vjen e hëna thonë ‘shyqyr’, se shkojnë në punë. Ka dhe arsye të tjera. Në shoqërinë shqiptare, problemi i higjienës personale nuk është në nivelin e duhur. Kjo sjell neveri në marrëdhënien në çift.
Kur mund të tolerohet tradhtia?
Një pjesë e martesave nuk janë më monogame. Disa filozofë po thonë që monogaminë kemi për ta gjetur në muze. Ka raste që duhet treguar një lloj tolerance. Nëse partneri ka rënë në dashuri dhe i ka prerë urat, është e parikuperueshme. Në këtë rast dicorci është rruga e vetme. Në rast se nuk është lidhje dashurore, është lidhje fizike, duhet t’i dallojmë këto. E toleron ose jo lidhjen jashtëmartesore të partnerit tënd, kjo është shumë personale. Martesa duhet të ketë tolerancën, erotikën, lirinë…