Lista B e regjistrit zyrtar të pesticideve të miratuar nga Ministria e Bujqësisë vë në vështirësi fermerët. Në pak ditë sistemi i alertit të Komisionit Europian RAFFS sinjalizoi për dy ngarkesa specash nga Shqipëria me pesticide përtej normave të lejuara.
Më 10 korrik një ngarkesë me speca të freskët që vinte nga Shqipëria u detektua në doganën kroate me prani të lartë pesticidesh, më konkretisht formetanate.
Dy ditë më pas, më 12 korrik, dogana çeke njoftoi se në specat e bardhë të ardhur nga Shqipëria ishte gjendur sasi e lartë të famoxadone dhe formetanate, dy pesticide që konsiderohen të rrezikshme. Në faqen zyrtare të Komisionit Evropian ngarkesa është shoqëruar me shënimin “serioz” për dëmin që mund të shkaktojë nëse do të ishte konsumuar. Rezultatet e analizave të publikuara që shoqërojnë ngarkesën tregojnë se në to është gjetur 0,037 mg/kg – ppm mbetje pesticidesh nga 0,01 mg/kg – ppm që është norma e lejuar.
Formetanate, është një pesticid helmues dhe shoqërohet me shenjën e kafkës. Në fletën udhëzuese të miratuar nga ministria e Bujqësisë thuhet se ai është “shumë toksik për organizmat ujore, mund të shkaktojë efekte afatgjata negative në mjedisin ujor si dhe është toksik për bletët”.
Pesticidi tjetër Famoxadone është një fungicid që ka dalë së fundmi jashtë përdorimit në vendet e BE-së, por në vendin tonë mund të përdoret edhe për disa muaj vetëm për produktet që janë për konsum vendas, jo për ato për eksport. Ky pesticid do të përdoret në vendin tonë deri në dhjetor të vitit 2024.
Famoxadone bën pjesë në atë që quhet lista B e regjistrit zyrtar të produkteve të mbrojtjes së bimëve (PMB) të miratuar nga ministria e Bujqësisë, “lejohen të tregtohen dhe të përdoren por jo të importohen”. Produktet e kësaj liste është dhënë njoftimi për të dalë nga përdorimi në vendet e BE-së, por në Shqipëri lejohen të përdoren edhe për një periudhë të kufizuar kohore pas daljes nga përdorimi në vendet e BE. Në këtë listë në muajin korrik (lista përditësdohet vazhdimisht) bëjnë pjesë 22 produkte, ndërsa në listën A janë të miratuar për përdorim 351 lloje të ndryshme pesticidesh.
Politika që ndjek ministria e Bujqësisë, në momentin që BE ndalon një produkt të mbrojtjes së bimëve rrezikon që të kthejë Shqipërinë në një magazinë të pesticideve, që dalin jashtë përdorimit në vendet e BE. Ndërsa fermerët janë viktima kryesore.
Të dhënat e ISTAT tregojnë se në katër vite (2020-2023) Shqipëria importoi rreth 7 mijë ton pesticide (6,973,395 kg), me një vlerë tregu prej 4.8 mld lekë.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, lista e PMB-ve, që lejohen të tregtohen dhe të përdoren por jo të importohen, është në përputhje me transpozimin e legjislacionit të BE-së në këtë fushë.
“Kjo listë është e ligjshme dhe mbetjet e lëndëve vepruese në përmbajtje të tyre brenda kufijve të lejuar janë të lejuara”, – i tha Citizens.al, ministria e Bujqësisë.
“Prania e mbetjeve të tyre mbi normat e lejuara është përgjegjësi e subjektit eksportues”, – sqaron Ministria e Bujqësisë.
Për ekspertin e Bujqësisë, Eduart Sharka, kjo procedurë lidhet me faktin që nuk jemi anëtarë të BE-së.
“Kemi një fazë tranzitore deri një vit me vonesë. Mirë do të ishte që në kuadrin e aderimit të kishim të njëjtin afat siç e kanë vendet e BE”, – thotë Eduart Sharka.
Sipas ministrisë së Bujqësisë kjo listë B lejon përdorimin e një PMB-je që çregjistrohet deri në afatin e skadencës së produktit që është në treg ose deri ne datën që përcakton urdhri i ministrit.
Një fermer i vetëm “ndryshoi” rregullat
Bashkim Lika, fermer dhe një ish mësues matematike, prej vitesh lufton me të gjithë strukturat e ministrisë së Bujqësisë për ndalimin e përdorimit të ethephon, një hormon për rritjen dhe pjekjen më të shpejtë të produkteve e freskëta bujqësore.
Në vitin 2012, në të njëjtën kohë që ai u regjistrua për përdorim në tregun shqiptar, vendet e BE-së vendosën kufizime duke e ndaluar të përdorej në prodhimet e freskëta. I zbuluar për herë të parë më 1965 studime të shumta dëshmuan se hormoni kishte efekte anësore në shëndetin e popullatës, pasi prekte sistemin endokrin dhe ndikonte në sistemin e riprodhimit.
Duke iu referuar praktikës së vendit fqinj Greqisë, e cila e ka ndalur përdorimin e ethephon në produktet bujqësore për konsum direkt, fermeri Lika kërkon që edhe në Shqipëri përdorimi I tij të kufizohet.
Për këtë ai i referohet VKM -së së vitit 2008 që saktëson se pesticidet që hyjnë në Shqipëri duhet të jenë të përdorshme në dy vende të BE, që kanë kushte teknike dhe agroteknike të ngjashme si ne.
“Greqia mori një vendim në prill të 2012, e kanë hequr nga përdorimi për kulturat bujqësore, dhe e kanë lënë vetëm për pambukun”, – thotë ai, duke sqaruar se në vitin 2016 doli një tjetër VKM, që e hoqi kriterin e ngjashmërisë.
Të dhënat nga doganat tregojnë se në një dekadë përdorimi, pra që nga viti 2014 janë tregtuar mesatarisht 30 mijë litra të këtij hormoni, ose rreth 3 mijë litra në vit.
Sipas ministrisë së Bujqësisë në vitin 2020 sipërfaqja e përgjithshme e serave ishte rreth 2000 ha në të gjithë vendin.
“Që do të thotë se ai është përdorur të përdorur në të gjithë sipërfaqen e serave”, – thotë Bashkim Lika.
Lika zotëron 1.1 ha serra me domate në fshatin Petovë të Fierit dhe i prodhon ato në mënyrë organike, duke e refuzuar këtë produkt.
“Tek sera është i zoti (ai që punon) dhe Zoti që e merr vesh, të tjerët nuk dinë asgjë”, – thotë ai teksa pohon se në vendin tonë një pjesë e konsiderueshme e fermerëve e kanë përdorur këtë hormon për të pjekur dhe stimuluar prodhimin e produkteve.
Në listën e miratuar nga ministria e Bujqësisë janë pesë produkte që kanë si lëndë aktive hormonin ethephonin, i cili përdoret prej 12 vitesh në vendin tonë.
Me një listë të gjatë dokumentesh dhe të dhënash, që vetëm për fotokopjimin e tyre shpenzoi rreth 60 mijë lekë të reja, pas vitesh përpjekje, Lika arriti të bindë ekspertët e ministrisë së Bujqësisë që të kufizojë përdorimin e së paku një produkti, por jo të të tjerëve edhe pse kanë të njëjtën lëndë aktive.
Më 21 qershor të këtij viti ministria e Bujqësisë ka marrë vendimin për të ndryshuar etiketën e së paku njërit prej produkteve dhe ndaluar përdorimin e pesticidit për prodhimet bujqësore.
“Ky është preparat sistemi, dmth kur e spërkat bimën e thith dhe imbarkohet tek bima gati në mënyrë biologjike dhe nuk largohet plotësisht nga ajo pavarësisht karencës që e ka të shënuar në etiketë. Kështu që efektet në shëndet janë afatgjatë, ata mund të shfaqen pas 10 vitesh”, – shpjegon fermeri Lika arsyet se përse ai këmbëngul që fermerët të mos e përdorin këtë produkt.
Aktualisht ky hormon lejohet të përdoret në vendet e BE-së deri në 15 nëntor 2024, ndërsa në Shqipëri afati i përdorimit të tij është shtyrë edhe një vit më pas, deri në fund të 2025.
“Strukturat e varësisë së MBZHR-së janë njoftuar për këto ndryshime, me qëllim që të këshillojnë fermerët, monitorojnë ato përmes kontrollit në fermë për përdorimin e PMB-ve si dhe me anë të marrjes dhe analizimit të mostrave, në kuadër të planit vjetor të monitorimit të mbetjeve të pesticideve”, – thotë ministria e Bujqësisë në një përgjigje me shkrim.
Ministria e Bujqësisë përgatit çdo vit planin e monitorimit të mbetjeve të pesticideve në produktet bujqësore, i cili zbatohet nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), që marrin mostra në terren dhe i dërgojnë në laboratorin e ISUV (Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë).
Një vit më parë u analizuan për mbetje të pesticideve në produktet banane, domate, karota, kastravec, mollë, patate, rrush tavoline, sallatë jeshile, spec, spinaq, ullinj tavoline, shalqi, pjepër, mandarinë, lakër, pjeshkë + nektarinë, portokalle, qershi dhe luleshtrydhe. Nga analizimi 10% e produkteve kanë rezultuar me nivel më të lartë pesticidesh se norma e lejuar.
“Për vitin 2023, rezulton të marra dhe dërguar në ISUV në total 945 mostra. Nga rezultati i analizave të kryera në laboratorin e ISUV, kanë rezultuar 98 mostra jokonforme, pra me nivel të mbetjes së pesticideve mbi normën e lejuar”, – thotë AKU në një përgjigje me shkrim.
AKU thotë se për në 28 raste (eksport dhe import) që kanë rezultuar me pesticide mbi normë është njoftuar edhe sistemi i alertit të BE-së, RASFF (Rapid Alert System for Food and Feed).
Për fermerin Lika për shkak të dyshimeve për përdorin të pesticideve fermerët po përballet me humbje të tregjeve.
“Ne kemi humbur shumë tregje, deri në 2012 tregu jonë ishte i lirë dhe shkonte në të gjithë Evropën. Sigurisht kishte raste me mbetje të pesticideve se nuk respektonin karencën. Sot është shumë më keq, i kemi humbur këto tregje plotësisht tani. Ne sot për sot tregtojmë në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe shumë pak në Bullgari e Rumani”, thotë ai.
Sipas tij ka disa njësi që eksportojnë edhe në vendet e BE-së, por ata janë të pakta dhe agronomin e marrin andej.
Sipas tij vetë ministria e Bujqësisë ka krijuar amulli me vendimet që merr dhe e ka lënë të vetëm fermerin.
Duke iu referuar rastit të etiketave të hormonit ethephon, megjithëse kanë të njëjtën lënndë active, thonë se ndikimi në ekosistem është i ndryshëm.
“Nuk ka logjikë. Njëri thotë që nuk ngordh as peshkun e as bletën, njëri thotë i ngordh të dyja”, – thotë Lika.
“Nëse i thua bujkut që nuk ka asnjë efekt negativ dhe e lejon me ligj të tregtohet, fshatarët nuk kanë arsye të jenë të kujdesshëm. Ndaj ata e marrin dhe lyejnë prodhimet dhe gjendemi pastaj para situatave te pakëndshme” -përfundon ai.
/Citizens